Arti shqiptar u zgjua mëngjesin e djeshëm me një lajm tejet të hidhur. “Artisti i Kombit”, Mirush Kabashi, ndërroi jetë pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Mirush Kabashi, një yll i papërsëritshëm i kinematografisë shqiptare, u shua në moshën 75-vjeçare. Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit, e njoftoi familja e tij në “Facebook”-un zyrtar të aktorit.
I njohur si “Sokrati shqiptar”, artisti shumëdimensional është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë shqipe, duke u identifikuar edhe për zërin e tij të veçantë. Gjatë karrierës së tij artistike, Kabashi është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Aktor në më shumë se 100 role në teatër e filma, interpretues brilant i poezisë dhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Mjeshtër i madh i skenës shqiptare, është pak për të përshkruar Mirush Kabashin, sepse mbi të gjitha, ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm! Mirush Kabashi në mbi 100 rolet e tij në teatër e kinematografi na ka lënë pas një pasuri që nuk do të shuhet kurrë.
Mirush Kabashi shkonte gjithmonë përtej rolit. Apostoli, babai i Almës në filmin “Edhe kështu edhe ashtu”, Makut të “Zëvendësi i grave”, Brahushit te “Dora e ngrohtë”, Nasi te “Shoqe nga fshati” janë vetëm disa nga rolet e të madhit Kabashi, që ngritën kinematografinë shqiptare duke e lënë sot në zi. Lajmin e hidhur e ndau familja e ti, të cilët përmes një njoftimi lajmëruan se Kabashi mbylli sytë mesnatën e djeshme.
Ai prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, të cilën e kuronte jashtë Shqipërisë, ndërsa gjendja e shëndetësore ishte renduar kohët e fundit.
Mirush Kabashi jetën artistike e ndau mes kinemasë dhe tetarit, ku roli më i spikatur do të mbetet ai i Sokratit në veprën “Apologjia e Sokratit”, ndërsa për këtë është nderuar me dhjetëra çmime edhe jashtë vendit. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Por, filozofia e Sokratit duket se e paska udhëhequr ende pa e ditur jetën e aktorit dhe familjes Kabashi në kalvarin e persekutimeve të diktaturës, që u vendos në Shqipëri pas vitit 1944.
JETA SI NË FILM
Aktori që ka luajtur mbi 100 role në teatër e kinema, para 4 vitesh rrëfeu sesi gjyshi i tij vrarë nga serbët la amanet që djali i vetëm, Musai, babai i tij, të shkollohej në gjuhën shqipe në Shqipëri, sepse Serbia nuk lejonte çeljen e shkollave shqipe në Kosovë. Ky vendim do ta ndryshojë jetën e familjes së Mirush Kabashit. I lindur në vitin 1948 në Shkodër, Mirush Kabashi do të mbetet i paharrueshëm me Sokratin, rolin më brilant në mesin e 100 roleve të luajtura gjatë jetës së tij në teatër e kinema.
Por, filozofia e Sokratit duket se e paska udhëhequr ende pa e ditur jetën e aktorit dhe familjes Kabashi në kalvarin e persekutimeve të diktaturës, që u vendos në Shqipëri pas vitit 1944. Aktori pati rrëfyer jetën e familjes gjakovare përgjatë gati një shekulli në Shqipëri, nga Tirana në Kavajë e në Shkodër.
“Gjyshin tonë e kanë vrarë serbët. Im atë nuk e ka njohur të atin, dhe gjyshja ime, Mirushja, e dinte amanetin e tij që ta shkollonte të birin në shkollat shqipe. Sepse Saliu, babai i tim ati, ashtu si të gjithë gjakovarët kishte shumë interes për kulturën shqiptare dhe lufta për alfabetin që ka bërë atëherë, se në Kosovë shkollat ishin vetëm në gjuhën serbe ose turke i nxiti dëshirën për shkollimin në gjuhën shqipe.
Dhe babain tim, edhe pse ishte djalë i vetëm, “djalë dëshirit”, gjyshja vendosi që ta dërgonte në shkollë në Shqipëri dhe ai bashkë me një shok kaluan kufirin dhe erdhën në Tiranë vetëm për t’u shkolluar këtu, ku gjetën mbështetje tek disa njerëz disa miq që kishim prej Gjakove dhe e regjistruan në shkollën e Fultz-it siç quhej në atë kohë”, është shprehur Mirush Kabashi.
Kalvari i familjes së aktorit nis me burgosjen e babait, Musa Kabashin, pa asnjë shkak, vetëm se paskej studiuar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. Të tjera dënime pasuan në familjen Kabashi me burgosjen e dajës Hysen Çela, si gjoja spiun i amerikanëve dhe masakrimi e zhdukja e eshtrave të dajës tjetër, Skënder Çela. Këto histori dhe një fjalë përgëzuese e Enver Hoxhës për talentin e aktorëve Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi, që i “rehabiliton” të dy artistët.
“Madje tamam-tamam ka qenë kur në një festival filmi, Enver Hoxha përmendi dy artistë, dhe tha: ‘Mirë, kemi këtu artistë të mëdhenj si Tinka Kurtin, Sandër Prosin, Violeta Manushin etj., por unë kam parë dhe nja dy të tjerë. Robert Ndrenika më kanë thënë se ka probleme biografike, ka një vëlla të arratisur, por është aktor i mirë. Po ai tjetri që i merret goja, more, belbacuk është ai?! – Jo – i thanë ata – Po ja, kemi dhe aktorë të tjerë të rinj…’. Mendo, në atë kohë të fliste kështu Enver Hoxha ishte një gjë shumë e madhe dhe m’u hap edhe një dritare që unë të prezantoja Vitin e Ri”, është shprehur artisti i madh 4 vite më parë në një rrëfim për jetën e tij.
Por në këtë ditë të ftohtë dimri, humbja e Mirush Kabashit pason me një dhimbje të madhe për të gjithë ata që kanë shijuar ndër vite rolet e papërsëritshme e interpretimet e tij unike.
Lamtumirë mjeshtër! Sot gjithë Shqipëria qan për ty…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al