Shuhet Virna Lisi, aktorja që refuzoi Hollivudin

Dec 19, 2014 | 13:34
SHPËRNDAJE

E bukur dhe e vërtetë, një nga aktoret më të mëdha të kinematografisë italiane, Virna Lisi u nda nga jeta dje në Romë.
Gruaja që i pati të gjitha, suksesin, famën, një martesë të lumtur 53-vjeçare me të shoqin arkitekt, nëna e një djali e gjyshja e 3 nipërve, u shua pas një lufte të humbur me tumorin në moshën 78-vjeçare. Portreti i saj nuk është i panjohur për publikun shqiptar, sidomos përmes “Nëse një ditë do trokasësh në portën time”, por Virna Lisi (Virna Pieralisi) ishte më shumë se kaq. Fare e re, me një bukuri perfekte, bionde, sy bojëqielli ia nisi rrugës së kinemasë me filma të Mario Mattolit e Alberto Sordit, por Italia do të dashurohej me të përmes një reklame për pastë dhëmbësh, me batutën: “Me atë gojë, mund të thuash ç’të duash!”. E në të vërtetë, Virna Lisi më vonë pati mundësi të zgjedhë e të thoshte të sajën në kinematografinë italiane. Gjatë karrierës së saj ka punuar me emra të mëdhenj si Jack Lemmon e Terry-Thomas, Frank Sinatra, James Stewart, Warren Beatty, George C. Scott e Tony Curtis… Do mund të kishte pushtuar Hollywood-in po të kishte dashur, por ishte kthyer në Itali, sepse siç do të thoshte ajo “nuk më pëlqen të bëj divën” dhe se “më pëlqejnë gjërat e vërteta dhe jo bota false”. Do të refuzonte rolin e Bond-girl në filmin “007, nga Rusia me dashuri” (1963) në krah të Sean Connery, pjesë që iu dha një tjetër aktoreje italiane, Daniela Bianchi. Me ironi, vite më vonë do të thoshte se ishte penduar për këtë zgjedhje. “Më duket se kam bërë me të vërtetë një budallallëk, po s’më ngjiste. Jam instiktive, vendos me vrull”. Për Hollywood-in mund të kishte qenë trashëgimtarja e Marilyn Monroe; firmosi një kontratë ekskluzive prej 7 vjetësh me Paramount dhe u transferua me të shoqin dhe djalin në Los Angeles. I pari film hollivudian ishte “Si të vrisni gruan tuaj” në 1965, me Jack Lemmon, por me sa duket “sistemi i yjeve” nuk i shkonte për shtat Virna Lisit, aq më pak imazhi i një femre seksi e të lehtë. Refuzon “Barbarella” nën drejtimin e Roger Vadim dhe kthehet në Itali, duke prishur pas tre vjetësh kontratën me “Paramount”, madje iu desh të paguante edhe një gjobë. “Më pëlqen kur mund të transformohem, sepse gjatë gjithë jetës duhet të tregosh që je e zonja. Nëse ndalen te bukuria… një mërzi e tmerrshme. Asnjëherë nuk kam qenë një divë. Jam një grua si gjithë të tjerat”, do të thoshte ajo dikur për mediat italiane. Edhe pse e kishte nisur karrierën shumë herët, u bë fituese çmimesh vetëm në vitet ’80. Do të fitonte gjashtë “Nastri d’argento” si aktorja më e mirë dhe katër “David di Donatello”.
Me gjithë dashurinë për kinemanë, ajo ishte gati ta sakrifikonte për familjen. “Për mua familja është një pikë e palëvizshme, ndihem më tepër e realizuar si grua sesa si aktore”. Kishte menduar edhe të tërhiqej, por ishte i shoqi, Franco Pesti, me të cilin u lidh në martesë qysh në vitin 1962, që e bindi që të vazhdonte karrierën si aktore. Një vit më parë i shoqi u nda nga kjo jetë, ndërsa në muajin prill të këtij viti, pas 12 vitesh mungesë, ajo iu kthye sheshxhirimit për filmin “Latin Lover” të Cristina Comencinit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura