NGA FATOS ÇOÇOLI
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të saj Mbikëqyrës për vendimmarrjen e politikës monetare, Banka e Shqipërisë vendosi ta lërë normën bazë të interesit të lekut në 3 për qind, ndër normat më të ulëta në rajon. Sipas Guvernatorit të bankës qendrore, rritja ekonomike, punësimi dhe pagat kanë ardhur në shtim të dukshëm në vend. Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6 për qind gjatë tremujorit janar-mars të këtij viti. Banka qendrore mendon se në këto shina, ekonomia ka ecur edhe gjatë tremujorit të dytë prill-qershor. Zgjerimi i aktivitetit tonë ekonomik erdhi si pasojë e rritjes së konsumit familjar, të investimeve të sektorit privat dhe të rritjes së eksportit të shërbimeve, në radhë të parë të turizmit.
Eksporti i mallrave shënoi rënie, i ndikuar nga koniuktura jo e favorshme e çmimeve të tregjeve ndërkombëtare të mineraleve dhe problematikat e mprehta të sektorit të prodhimit me material porositësi, pra ndërmarrjeve fason të eksporteve të veshjeve dhe këpucëve. Ndërkohë, inflacioni shënoi një ulje të ndjeshme, duke kaluar nga 3.4 për qind në janar 2024 në 2.1 për qind në korrik 2024, ose një rënie me 61 për qind. Kjo ecuri e ekonomisë dhe inflacionit nënkupton se ekonomia jonë po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy viteve 2022–2023, për shkak të luftës dhe agresionit të Putinit në Ukrainë. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë arriti të vërë inflacionin nën kontroll.
Ky kontroll nuk ka as frenuar, as edhe cenuar drejtimin pozitiv të zhvillimit të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit. Në të kundërt, kjo qëndrueshmëri financiare është forcuar, me borxhin publik të ulur në nivel rekord për 10 vitet e fundit. Ai qëndron në 55,7 për qind të prodhimit kombëtar në qershor 2024, nga 58.9 për qind që ishte në dhjetor 2023. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, prirjet pozitive të zhvillimit të ekonomisë do të vijojnë edhe në të ardhmen. Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime është shoqëruar me rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe të pagave në sektorin privat.
Ndonëse të dhënat zyrtare për tregun e punës nuk janë ende të disponueshme për periudhën janar-qershor 2024, informacioni i tërthortë i sugjeron bankës qendrore se zhvillimet ogurmira në tregun e punës gjatë vitit të kaluar kanë vijuar edhe gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Për të dhënë një shembull, nëse paga e një sanitareje në hotelet e bregdetit në vitin e kaluar ishte 55-60 mijë lekë në muaj, në këto muaj asnjë sanitare apo personel shërbimi në hotelet dhe restorantet tona nuk merret në punë me një pagë më të vogël se 80 mijë lekë në muaj, sipas pohimeve të veprimtarëve të fushës. Rritja e pagave në sektorin privat sjell më shumë të ardhura për familjet shqiptare, duke stimuluar konsumin.
Mjedisi nxitës financiar është përforcuar nga politika e kujdesshme monetare, e ndjekur nga banka qendrore gjatë dy viteve 2022- 2023. Kjo politikë ka rezultuar e suksesshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik edhe gjatë muajve janar-korrik 2024 është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, si dhe nga besimi i konsumatorit dhe sipërmarrësve për të ardhmen. Sidomos sipërmarrësit në industrinë turistike kanë kryer investime të konsiderueshme në aktivitetin e tyre edhe këtë vit. Ky mjedis i shëndoshë financiar në Shqipëri në këto momente është ndihmuar shumë nga ecuria e kredisë bankare për biznesin dhe qytetarët. Tregjet tona financiare vijojnë të jenë të qeta. Ato karakterizohen nga likuiditet (paraja kartëmonedhë) i bollshëm, prime të ulëta rreziku dhe një ofertë e mirë kredie, si në aspektin e kostove të kreditimit, ashtu edhe në përqasjen e bankave tregtare ndaj huave që japin. Kursi i këmbimit të lekut me euro, dollarin amerikan, etj., ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë muajve të fundit. Ai ka pasqyruar edhe një nivel më të lartë blerjesh valute në treg nga Banka e Shqipërisë. Kredia për sektorin privat ka vijuar të ketë një ecuri pozitive në tremujorin e dytë prill-qershor 2024.
Në qershor 2024, kredia bankare për sektorin privat ishte 14.6 për qind më e lartë se kredia e qershorit 2023. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet, në masën më të madhe, nga rritja e shpejtë e kredisë në lekë, për shkak të nivelit të ulët të normave të interesit në lekë. Shtimi i kredisë po ashtu, vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Dallojnë kreditë për investime në mjediset familjare që jepen me qira jo vetëm në qytetet kryesore dhe në bregdet, por edhe në bujtinat e dhjetëra e dhjetëra fshatrave të vendit edhe në brendësi të tij. Kreditë vijojnë të kenë një cilësi të mirë, sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të kredive me probleme. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë për të ardhmen ekonomike të vendit mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet në periudhën afatmesme, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe asaj të huaj. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke shtuar mirëqenien e familjeve shqiptare.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al