“Si e njoha të madhin Kadare”- Nga dhurata që mori prej tij, tek tri ditët në panairin e Leipzigut, rrëfimi i Bashkim Zenelit: Çfarë më tha nobelisti gjerman Grass për shkrimtarin

Jul 2, 2024 | 14:06
SHPËRNDAJE

Diplomati i mirënjohur ambasadori Bashkim Zeneli “Mjeshtër i Madh”, mik i Ismail dhe Elena Kadaresë, në librat e tij “Për Gjermaninë” dhe “Miqësi e Trazuar”, por edhe në shkrime publicistike, i kushton një vemëndje të madhe vlerësimeve të jashtëzakonshme që i bëhen shkrimtarit tonë të madh nga shkrimtarë, artistë, gazetarë por edhe politikanë në Gjermani dhe Greqi. Duke e shoqëruar për 3 ditë në Berlin dhe në panairin e Librit në Leipzig, autori përcjell vlerësimet më të larta që i bëhen Kadaresë. Në panairin e Leipzigut, shkrimtari i madh do të linte “pa frymë” sallën me mbi 500 pjesëmarrës…. Dhjetëra intervista, takime, interesim për foto e autografe…

ismail kadare bashkim zeneli1

Ambasadori Bashkim Zeneli në dhjetëra faqe të librit të tij për Gjermaninë tregon se disa ministra gjermanë si Kinkel, Sharping, Zopel etj., flisnin me admirim për librat e Kadaresë, të cilët i mbanin të përkthyera në gjermanisht në bibliotekat e tyre. Ai flet edhe për një vizitë të Kadaresë me Elenën në Athinë dhe së bashku me bashkëshorten e tij, Engjellushe, do të kalonin kohë të gjatë bashkë në takime e biseda me shkrimtarë e artistë grekë. Shtypi kishte një interesim të veçantë për ta intervistuar…. Ndërsa në librin e tij, “Miqësi e trazuar” ambasadori Zeneli, me dashamirësi të veçantë përcjell vlerësimet e mëdha të disa shkrimtarëve grekë për Kadarenë, por edhe të heroit kombëtar grek, Manolis Glezios, të personalitetit me famë botërore, kompozitorit e politikanit të njohur Mikis Teodorakis për Ismail Kadaren.

Ata do ta vlerësonin atë si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë. Teodorakis do të shprehej se “askush si Kadare nuk ka shkruar aq mjeshtërisht për kulturën, letërsinë dhe antikitetin grek si Kadare”. I pyetur nga gazeta “Panorama” për botimin e pjesës me vlerësime nga Nobelisti Grass për Kadarenë, ambasadori Bashkim Zeneli, në bisedën telefonike, shprehu keqardhjen e madhe për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, si më i madhi i letrave shqipe, si pena e jashtëzakonshme që aq shumë e bëri të njohur Shqipërinë e Kosovën në botë”.

Ai kujton se disa vite më parë kur ishte në zyrën e botuesit dhe mikut më të mirë të Ismail Kadaresë, do të binte zilja e telefonit dhe Elena do t’i thoshte zotit Bujar Hudhri se “Ismaili më porosit që t’i dhurosh Bashkimit veprën e plotë të tij”. “Unë kam dhjetëra libra në gjermanisht të Kadarese, por ajo dhuratë, me porosi nga Parisi, mbetet shume e çmuar për mua, do të shprehej ambasadori”, – shprehet ambasadori Bashkim Zeneli për gazetën “Panorama”.

ismail kadare bashkim zeneli

******

BASHKIM ZENELI *MJESHTËR I MADH

Atë vit, 3 tetori, festa kombëtare e Gjermanisë, do të festohej në Erfurt, në Landin Thuringen. Por edhe në Berlin organizoheshin veprimtari të shumta. Njëra prej tyre ishte ngjitur me portet e Brandenburgut. Bashkia e Berlinit, me kohë kishte organizuar “Ditën e arinjve të paqes”. Të gjitha përfaqësitë diplomatike do të ngjyrosnin me flamuj ose me simbole të tyre kombëtare një ari të madh prej allçie që do të vendosej në një shesh, në krah të majtë të Portës së Brandenburgut, në rrugën drejt Potsdamer Platz, aty ku sot është ambasada e SHBA-ve dhe varrezat e hebrenjve.

Ishte një veprimtari shumë interesante dhe që pati një jehonë të madhe. “Ariun” tonë e veshi me flamur, me një punim të mrekullueshëm, një artist nga Tropoja që jetonte prej vitesh në Gjermani, Gjon Gecaj. Kishte studiuar për skulpturë në Tiranë. Vinte shpesh në ambasadë, sidomos kur ishim në Bon. Ishte shumë i hapur, e me humor. Më erdhi me një maket një ditë në zyrë dhe më tha: “Ambasador, më bukur nuk ka… Qe Shqipnia e jonë, qe trojet tona prej Artës e deri në… qe edhe Kosova, edhe një pjesë e Maqedonisë dhe e Malit të Zi, edhe… A po të pëlqen? Nuk ka më bukur!” “Gjon, i thashë, a po na vizaton vetëm hartën e Shqipërisë… Si thue, të tjerat i “lëmë për ma vonë”, si thue të mos i kemi vetëm në letër, vetëm në vizatim…”, “Të lumtë goja ambasador, ashtu pe lamë…”. Edhe Gjoni e kuptoi se po bëja humor…

Dhe punoi një ari shumë të bukur, ndoshta ishte dhe punimi më i mirë, sepse pas disa ditësh ekspozim, juria e shpalli fitues Gjon Gecaj (Jon Gecaj). Atë ditë që u përurua, ambasadori i ri i Serbisë, Milovan Bozinoviç, mu afrua dhe më tha: “E keni parë ariun tonë, koleg?”. “Jo”, i thashë dhe më shoqëroi pak metra më tej. Ariu ishte “i veshur” me hartën e Jugosllavisë së mbetur, i shpuar me plumba… “Do të shërohet, i thashë, dhe duhet të shërohet…”. “Sigurisht”, mu përgjigj krejt pa takt dhe pa qenë nevoja shtoi: shiko si e bëri NATO…a qenë aspak nevoja, “por Kosova do të mbetet pjesë e Jugosllavisë…”. “Sot kemi ardhur për arinjtë”, i thashë duke qeshur. Më ftoi për të pirë një kafe në Adlon, rreth 50-70 metra larg.

Më foli mirë për vizitën që kishte bërë një muaj më parë Ministri i Jashtëm Paskal Milo në Beograd. Në një tjetër veprimtari, me gazetarë, shkrimtarë dhe artistë, do të takohesha me Günther Grass, shkrimtarin nobelist. Me të isha takuar për herë të parë në Hanover, në vitin 1998, para zgjedhjeve parlamentare, në një veprimtari të Fondacionit “Friedrich Ebert”. Më pas isha takuar në një kongres të SPD, pak kohë pasi kishte marrë çmimin Nobël. Pa asnjë diskutim, Günther Grass, së bashku me Heinrich Böll, është përfaqësuesi më i shquar i gjeneratës së dytë të letërsisë gjermane të pasluftës. Ai kishte lindur në qytetin Danzig (sot Gdansk-Poloni). Në vitin 1956, pasi përfundoi studimet për pikturë dhe grafikë në Paris, vazhdoi të punojë e jetojë atje. Në vitin 1982 u pranua në radhët e SPD, dhe në vitin 1983-1986 u bë kryetar i Akademisë së Arteve në Berlin. Ka pasur sukses të madh që në romanet e hershme “Blechtromel” (Daullja prej llamarine) në vitin 1959, “der Butt” (Barbuni) më 1977, etj..

Gjermanët e donin Grassin, por edhe nga sa kam lexuar, shpreheshin se ishte disi i vështirë në të shkruar. Kritika e vlerësonte si një përshkrues të rrallë të detajeve, me një realizëm të veçantë. “Daullja prej llamarine”, romani i tij i parë, i shkruar në mënyrë groteske, për historinë dhe pasqyrimin e Rajhut të Tretë dhe të periudhës së pasluftës, i dha atij vërtet një famë botërore dhe u përkthye në shumë gjuhë. Siç theksova edhe më lart, me Günther Grassin isha njohur në Hanover, në një veprimtari të SPD me F.Ebert. Më prezantoi një mik i imi gjerman. U ulëm bashkë, në bufenë e mjedisit ku zhvillohej veprimtaria për të pirë një kafe. Ai ishte shumë i interesuar të dinte se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri një vit më parë dhe midis të tjerave më pyeti drejtpërdrejt: “Janë më kallashnikovët nëpër rrugë?…

Kam parë skena aspak të mira në televizion…” Mbushi një llullë me duhan dhe e ndezi. Herë pas here, duke rregulluar krejt pa vetëdije mustaqet, më shihte me sytë e vegjël, sa majtas-djathtas. Dukej impulsiv. Ai ishte shumë aktiv në kuadër të Fondacionit Friedrich Ebert,(ish-kancelari i parë i Rajhut të Republikës së Vajmarit në vitin 1918 dhe një vit më vonë, më 1919, u zgjodh nga Kuvendi i Vajmarit President i vendit. Ka qenë një nga udhëheqësit e shquar të SPD dhe pas vdekjes së August Bebelit, së bashku me Hugo Haas, mori drejtimin SPD). Grass më pyeti fillimisht për situatën në Shqipëri. Nuk dinte shumë se çfarë kishte ndodhur një vit më parë por kishte dëgjuar për piramidat dhe tani, për kallashnikovët. I shpjegova situatën. Pastaj më pyeti për Kosovën. Mu duk se i pëlqente ta informoja sa më shumë për Kosovën, edhe për jetën, për raportet ndëretnike, për gjuhën, kulturën.

“Sa serbë janë në Kosovë?- do të pyeste, sa myslimanë dhe sa katolikë, a ka ndryshim në dialekt e folura në Shqipëri me atë në Kosovë, kush ishin shkrimtarët dhe poetët më të njohur”, etj. Më vonë, zhvillimet në Kosovë, sidomos në vitin 1999, do të merrnin një rrjedhë të jashtëzakonshme dhe Günther Grass do të fliste shumë për krimet e regjimit të Milosheviçit kundër shqiptarëve, për krizën humanitare dhe dëbimet masive, në media por edhe në mitingje. Pastaj folëm shkurt për fushatën zgjedhore. “E dini ju, ambasador, se unë nuk jam anëtar i SPD, unë jam larguar që në vitin 1992, por të gjithë kujtojnë se unë jam edhe në udhëheqje…”.

E pata takuar edhe në një kongres të SPD ku vlerësoi shumë figurën e Kancelarit Kohl, por u ndal edhe te “afera” me donacionet për Partinë. “Ai turpëroi Gjermaninë… na turpëroi të gjithëve… nuk e meritonte Gjermania këtë turp…”, këto përsëriste vazhdimisht. Fitoi duartrokitje të fuqishme. Tani ai “fliste” edhe si nobelist, dhe kjo i jepte një peshë më të madhe fjalës së tij. Në fillim të tetorit 2001, do të takohesha në një veprimtari me gazetarë, shkrimtarë dhe artistë. Në morinë e kolegëve dhe miqve që kërkonin ta takonin, iu afrova edhe unë dhe e përshëndeta. E vura re që nuk më mbante mend dhe i thashë se “tani do të flasim për Kosovën e lirë, z.Grass”. “Ah, po, Ambasadori i Shqipërisë”. U ngrit në këmbë dhe më tha: “Dua të bisedoj me ty… kam një çështje që dua ta diskutoj, dalim aty…” dhe më tregoi me dorë një tarracë.

“Pimë edhe duhan… ti e pi ambasador?” Dolëm në tarracë që kishte tavolina të larta, të rrumbullakëta, me mbulesë e me një vazo shumë të vogël lulesh. Nxori llullën dhe e mbushi me duhan. “Po, zoti ambasador, sa mirë që u takuam”, mu drejtua duke vendosur të dy bërrylat në tavolinë. “Zoti ambasador, të lutem, dua të ma sqarosh, të më flasësh sinqerisht për një gjë… po… unë nuk dua ta besoj… është e pamundur, por unë kam dëgjuar, pak kohë më parë… po… ma ka thënë një shkrimtar shqiptar… jo nga Shqipëria, nga Kosova… tani nuk më kujtohet emri… E dini se çfarë më ka treguar? Është e tmerrshme…” Nuk po kuptoja aspak se çfarë kishte ndodhur dhe vetëm po e shihja… Thithte llullën, rregullonte mustaqet, kruante kokën… “Zoti ambasador, mua më treguan se ju, d.m.th. shteti juaj, ka kundërshtuar dhënien e çmimit Nobel për Ismail Kadarenë… Unë nuk e di se si, por nuk kanë qenë dakord… apo diçka e tillë… më kupton… nuk kanë dashur që të marrë këtë çmim… Unë nuk dua ta besoj këtë… E dini pse? Sepse shtetet punojnë shumë, me të gjitha mënyrat, për të mbështetur kandidatët e tyre, në një fushë apo tjetër… Më thuaj tani, zoti ambasador, a mundet një shtet ta bëjë këtë?

0d094b3d-6dfb-43d6-afa8-14ec8c467804

… Çfarë do të më thuash?” dhe i dha me dorë përpjetë flokëve duke parë majtas e djathtas… “Edhe unë, z.Grass, kam dëgjuar për diçka të tillë…” Po nuk më la të flasë dhe mu drejtua: “A, d.m.th. qenka e vërtetë, unë nuk doja ta besoja… d.m.th. shteti juaj e ka bërë këtë? Kjo është një turp… askush nuk e bën këtë… Ju nderon juve kjo, zoti ambasador, d.m.th… e nderon shtetin tuaj kjo…”?. “Të shpjegohemi, zoti Grass”, vazhdova. “Ju thashë thjesht se dhe unë kam dëgjuar… vetëm kaq, nuk mund të flas asgjë më tej… sepse nuk di asgjë… Kështu flitet në Shqipëri, edhe në shtyp, por unë nuk mund të flas aspak me bindje… thuhet se ambasadori i Shqipërisë në Stokholm i ka bërë një letër Akademisë Suedeze… Kështu kam dëgjuar, siç kanë dëgjuar për këtë të gjithë shqiptarët… Më vjen shumë mirë që ju vlerësoni kështu z.Ismail Kadare…”, por nuk dimë tej… “Po, patjetër, natyrisht… Kadare është një shkrimtar i madh, shumë i njohur… ne flasim për të në rrethet tona… Unë nuk arrij ta kuptoj përsëri…”, u shpreh zoti Grass duke lëvizur duart, “a mund të ndodhë kjo”?

“Ai ka shkruar “Der general der Toten armee”(Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur)” më tha. “Po, ka shkruar “Die Festung” (Kështjella)” vazhdoi. “Libri i parë”, i ndërhyra, “i përkthyer në gjermanisht është “der grose Winter” (Dimri i Madh) i botuar në vitin 1987, nga shtëpia botuese Neuer Malik në Kiel”.

“Po, po, një roman shumë i bukur… për kinezët…”. “Jo”, i thashë, “për sovjetikët…” “Po, për sovjetikët… për Enver Hoxhën dhe Hrushovin… Kadare ka studiuar në Moskë?”

“Zoti Kadare ishte këtu pak kohë më parë, në Berlin dhe Leipzig, në panairin e librit”, i shpjegova.“Oh, më vjen shumë keq që nuk isha, do të kisha shumë dëshirë të bisedonim… Qëndroi gjatë? Tjetër herë më njoftoni, ju lutem… kur vjen në shtëpinë tonë, këtu në Gjermani… Sidoqoftë, unë kështu dëgjova, që shteti juaj nuk ka dashur që ai të marrë çmimin Nobel… tani sa e vërtetë është kjo, unë nuk e di… as ti nuk e di…”.

Ky ishte edhe takimi im i fundit me nobelistin Günther Grass, këtë shkrimtar të shquar gjerman, që u nda nga jeta pak muaj më parë.

Unë e kam veprën e tij të plotë, me 17 vëllime, të botuar nga shtëpia botuese Steidl, me qendër në Gottingen. Është një lidhje shumë e mirë, me ngjyrë të kuqe të errët…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura