Nga AFRIM IMAJ
Është folur e shkruar shpesh për këtë mënyrë gjurmimi në regjimin komunist, madje aty-këtu është cekur edhe përgjimi sekret në dhomën e gjumit, por pohimet kanë mbetur në kuadrin e dëshmive të përgjithshme. Për herë të parë, kemi zbuluar një dokument autentik të policisë sekrete, me procedurat zyrtare të mekanizmit represiv, që mbante në vëzhgim qytetarët edhe në çastet intime, në dhomën e gjumit.
Dosja Nr.100, “Tepër Sekret” (datë 29.07.1978) e Drejtorisë së Veçantë të Sigurimit të Shtetit, alias, Departamentit të Aparaturave dhe Pajisjeve të Përgjimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmban materialet e një analize sekrete, mbi rastet e dështimit, gjatë operacioneve gjurmuese me pajisjet speciale ndaj elementëve antiparti. Objekt i shqyrtimit, sipas dokumentit, janë “dobësitë e të metat që i kanë dhënë shkas objektit të përpunimit për të zbuluar pajisjen përgjuese në banesën e tij”.
Ngjarjet zhvillohen në fshatin Kutalli të Beratit, në verën e ’78-ës. Fillimisht, dikasteri i Sigurimit, lajmëron Degën e Brendshme, për të përgatitur një banesë për familjen e armikut Vasil Kati, që transferohej aty nga Tirana, pas dënimit për sabotim dhe qëndrim antiparti. Detyra specifikon adresën e apartamentit dhe mënyrën e vendosjes së aparateve përgjuese në të. Teksa raportohet nga Berati për përshtatjen, sipas kritereve të strehës për ish-zëvendësministrin e Tregtisë te numri dy i Sigurimit, Feçor Shehu, nga Tirana, niset për të Kutalli, familja e Isuf Alibalit, ish-kryeredaktorit të revistës “Shqipëria e re”, me urdhrin për t’u strehuar aty.
Pikërisht, këtu fillon plasaritja e parë. I porsaardhuri, që të nesërmen, shpreh dyshime të forta për praninë e pajisjeve përgjuese në banesë. Kjo vë në alarm Degën e Punëve të Brendshme të Beratit, e cila reagon menjëherë, për të konfirmuar pohimet e ish-kryeredaktorit. Pavarësisht konstatimeve të kontrollit të fshehtë në shtëpinë e Alibalit, ku u vërtetua pasaktësia e pohimeve të tij, organet e Sigurimit, operojnë me shpejtësi, duke e transferuar atë në një banesë tjetër. Përtej kronologjisë së ngjarjes, në dokumentin e analizës, përshkruhen edhe mjaft çështje të tjera “për rritjen e cilësisë së punës gjurmuese”, “për shtimin e pajisjeve përgjuese në kushtet e zgjerimit të veprimtarisë armiqësore”, “për sofistikimin e procedurave teknike, për mos deshifrimin e praktikave subversive”, etj…!
DOKUMENTI
DOSJA Nr.100
Analizë mbi dobësinë e të metat në punën me teknikën operative.
Në bazë të raport-propozimit datë 15.12.1977, bërë nga Dega e Brendshme Berat, miratuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, u pajisën me teknikë operative stacionare (aparaturë përgjimi), dy dhoma e një kuzhinë në katundin Kutalli të rrethit të Beratit, ku do të vendosej familja e të dënuarit Vasil Kati, objekt i linjës së Degës së Veçantë.
Pajisja u vendos nga Punëtori Operativ i T.O.(teknikë operative) të Degës së Pestë, Sotir S., i ndihmuar nga Punëtori Operativ i T.O. i Degës së Beratit, Androkli T., dhe u krye brenda një dite, mbasi ishte menduar të sillej me urgjencë, familja që do të vendosej në të. Në kohën që u vendos pajisja, në pallat nuk ishte futur asnjë familje, bile një pjesë e dhomave (përjashto ato ku do të vendosej teknika), ishin ende të pa suvatuara plotësisht. Gjatë kohës që u punua, nuk u konstatua nga shokët e ngarkuar me këtë detyrë, asgjë negative që rrezikonte deshifrimin e punimeve dhe vendosjen e T.O.
Pas vendosjes së teknikës, me gjithë urgjencën e paraqitur nga Dega e Veçantë dhe Dega e Punëve të Brendshme, Berat, familja e të dënuarit Vasil Kati, nuk u soll në apartamentin që ishte vendosur të sillej. Në vend të saj, u vendos më 17/4/1978, Isuf Alibali me familjen e vet, objekt po i linjës së Degës së Veçantë. Vendosja e këtij objekti në apartamentin e pajisur me T.O, u bë sipas raport-propozimit të Degës së Brendshme Berat, miratuar nga Feçorr Shehu.
Si pikë përgjimi, është përdorur banesa e anëtarit të Partisë, Besim P., kryetar i Këshillit Popullor të Kooperativës Kutalli, i cili ka vetëm të shoqen dhe dy fëmijë të vegjël dhe banon në dy dhoma e një kuzhinë, një kat më poshtë nga objekti i përpunimit, njeri mjaft i predispozuar për të ndihmuar organet e Sigurimit. Nga 22/12/1977, deri më 17/4/1978, që u vendos objekti Isuf Alibali, çelësat e apartamentit të pajisur me T.O., janë mbajtur nga shoku Besim P., dhe sipas rregullave, janë bërë kontrolle nga Punëtori Operativ i T.O., në Degën e Beratit.
Më datën 17/4/1978, d.m.th., atë ditë që u vendos objekti, është bërë nga sh. Androkli T., përgjim me T.O. Nga përgjimi, nuk ka dalë asgjë me interes operativ. Janë bërë midis pjesëtarëve të familjes, vetëm biseda lidhur me vendosjen e plaçkave, etj. Edhe nga gjashtë përgjimet e mëvonshme, nuk rezulton të jetë zhvilluar asnjë bisedë me karakter armiqësor, gjë kjo, e cila të jep të kuptosh, se ata i janë ruajtur mundësisë së përgjimit me T.O.
Në fillim të muajit maj 1978, objekti Isuf Alibali, në një takim me kryetarin e Degës së Beratit, Pëllumb Kapo, dhe me shokun Çome Asimaqi, denoncoi se; ndërsa ishte duke pastruar dhomën, në një cep të saj (pa cilësuar në cilën dhomë), kishte gjetur një copë tubo, të vendosur në mur dhe e kishte lënë në vend pa e prekur. Gjithashtu, shfaqi mendimin se ky tub, duhej të ishte vendosur për kontrollin e familjes së Vasil Katit, që ishte menduar të sillej në këtë apartament, para ardhjes së tij (Isufit).
Për të vërtetuar këto pretendime, më datën 27/5/1978, u largua me kombinacion objekti (Isuf Alibali), bashkëshortja e djali i tij dhe me hapje sekrete, u futën në banesë për të parë gjendjen, shokët Agim Ç., dhe Sotir S., të cilët konstatuan:
a – Në vrimën e bravës së derës së jashtme, ku futet çelësi, ishin vendosur dy kunja shkrepëseje për të dalluar nëse mund të hyhej në apartament gjatë kohës që objekti nuk ndodhej në shtëpi. Veç kësaj, dera ishte mbyllur dhe me një çelës tjetër “Elezet”. Hapja dhe mbyllja e derës së jashtme, u bë pa lënë gjurmë, kurse dyert e brendshme, u gjetën dhe u lanë të hapura.
b – Në faqen e murit të kuzhinës, por në drejtim të kundërt me faqen e murit të saj, që e ndan atë me dhomën tjetër (dhoma e gjumit) dhe ku ndodhet i vendosur tubi i T.O., ishte bërë një vrimë me drejtim horizontal, me madhësi 2×2 cm. dhe rreth 2cm. më lart, nga niveli i pllakave të dyshemesë.
c – Në faqen e brendshme të murit, që ndan dhomën ngjitur me kuzhinën nga dhoma tjetër, ishin dy vrima, njëra me madhësi rreth 10 x 15 cm., e cila ishte mbuluar përsëri me llaç, kurse tjetra, me madhësi 4×4 cm., por e lënë hapur. Duke gjykuar mbi këto veprime të kryera nga objekti i përpunimit, shokët e ngarkuar për të parë gjendjen, konkluduan se; T.O., nuk ishte gjetur prej tij.
Pas këtij verifikimi, edhe në dy takime të mëvonshme me shokët Nevzat Haznedari e Çome Hasimaqi, megjithëse iu fol, për të mos pasur iluzione e dyshime të kota, objekti insistoi që në banesën e tij ishte vendosur T.O., se ai kishte konstatuar një copë tub, të cilën e kishte lënë në vend, e mbuluar me llaç. Sipas pretendimeve të Isufit, e bëri këtë, i nisur nga dy rrethana kryesore: Së pari, kur ishte me punë kryeredaktor i revistës “Shqipëria e re”, nga leximi i literaturës së huaj, kishte mësuar mbi ekzistencën dhe mënyrat e vendosjes së T.O në vendet kapitaliste, gjë për të cilën edhe kishte shkruar një artikull në revistën “Në shërbim të popullit”, mbi përdorimin e T.O. në SHBA-ës.
Së dyti, në dhomat e apartamentit ku u vendos, kishte konstatuar se brezi i fundit i dhomave (20-30 cm. mbi dysheme) ndryshonte në lyerje me sipërfaqen tjetër të tyre. Për t’u dhënë fund këtyre pretendimeve, si dhe për t’u bindur plotësisht nëse ishte gjetur ose jo T.O., u hoq objekti, duke u vendosur në një apartament tjetër. Ndërkohë, u rishikua nga shokët e qendrës, të kryesuar nga Nevzat Haznedari, mënyra e vendosjes së teknikës, gërmimet e bëra nga objekti, si dhe u çmontuan mjetet e T.O. Nga puna e bërë ,u konkludua se; asnjëra prej gërmimeve të objektit, nuk ka prekur mjetet T.O.
Mos gjetja e T.O. nga objekti, vërtetohet:
Së pari, nga funksionimi normal i T.O., në momentin që u çmontua. Ky fakt, rrëzon pretendimin e objektit, që sipas tij, gjeti një copë tub dhe e mbuloi përsëri me llaç, sepse po të kishte ndodhur kështu, mikrofoni që ka lidhje me këtë tub, nuk do të funksiononte fare.
Së dyti, asnjëra nga gërmimet e kryera nga objekti, nuk e ka atakuar T.O., sepse janë kryer larg vendosjes së saj (shih skemën bashkëngjitur, në të cilën pasqyrohen vendet ku është vendosur T.O. dhe gërmimet e bëra nga objekti).
Së treti, po të ishte gjetur tubi në dhomë, siç pretendon objekti, do të zbulohej mikrofoni, kurse në fakt, nuk ishte bërë asnjë tentativë, por ishte gërmuar në faqen përballë të murit, që e ndan këtë dhomë nga dhoma tjetër.
Së katërti, gjatë çmontimit të mjeteve T.O., u konstatua se gërmimet e bëra nga objekti, nuk kishin prekur asgjë prej mjeteve të teknikës.
Së pesti, në qoftë se objekti do të kishte gjetur, ashtu siç thotë, tubin e teknikës në mur, nuk kishte pse t’i mbyllte me plastelinë edhe tubat e kordonit elektrik të llambave të ndriçimit, që siç pranon vetë objekti, e bëri këtë në konsultim me Bekteshët (familjarët e Sadik Bekteshit, ish-gjeneralit të dënuar për tradhti), për t’u mbrojtur nga përgjimet me T.O.
Mbyllja e tubave të kordonit elektrik, u konstatua edhe nga ana jonë, ose nuk kishte pse të vazhdonte të kërkonte për gjetjen e teknikës edhe pas hyrjes sekrete në banesën e tij, sepse u konstatua, që ai kishte bërë një gërmim tjetër, në njërën nga qoshet e kuzhinës, me madhësi 15 x 15 cm. dhe e kishte mbyllur përsëri me llaç.
Megjithëse nga teknika operative, nuk është gjetur fizikisht objekti, duke u bazuar në njohuritë që ka pasur mbi të, në bisedat e bëra me armiqtë; Sadik e Hava Bekteshi, mbi mundësinë e vendosjes së teknikës (objekti pranon se Havaja i ka thënë se edhe në stola jashtë banesës, vendoset teknikë operative), ka konkluduar; mbi mundësinë e vendosjes së T.O. në banesën e tij.
Dobësitë kryesore të punës tonë dhe shkaqet e tyre janë:
1 – Është e vërtetë që dyshimi në lyerjen e dhomave ekziston, ashtu siç pretendon objekti. Ky ndryshim, nga i cili ai krijoi dyshime mbi ekzistencën e T.O., duket jo vetëm brenda dhomave, por edhe në korridor. Kjo mënyrë lyerjeje (brezi i fundit me furçë dhe gjithë sipërfaqja tjetër me pompë), kujtdo mund t’i tërheqë vëmendjen e, të krijojë dyshime. Pikërisht, këtu qëndron përgjegjësia e shokut Sotir S. Ai e injoroi këtë fakt, e për rrjedhim, e vendosi T.O., në kushte jo të përshtatshme. Ai duhej medoemos, të kërkonte ose të bënte lyerje të njëllojtë, të të gjitha sipërfaqeve të dhomave, në të kundërt të refuzonte vendosjen e T.O.
Nga puna me cilësi të dobët e punëtorëve të ndërtimit, pothuajse në të gjitha dhomat, bile edhe në afërsi, ku ishte vendosur T.O., ekzistonin shenja (njolla), të cilat për një person të zgjuar e me aftësi, krijojnë dyshime, si mbeturina të një pune të kryer pas suvatimit dhe për qëllime të caktuara. Edhe këto shenja, nga të cilat lindin kuriozitete e jepet shkas për veprime (gërmime), që mund të çojnë në deshifrimin e teknikës, për mungesë thellimi e vigjilence nuk janë eliminuar.
Këto gabime tregojnë jo vetëm punë të cekët pa kualitet, por në të njëjtën kohë, për varfëri profesionale dhe shfaqje të mendjemadhësisë, pra shfaqje këto me karakter nënvlerësimi për armikun. Përgjegjësia jonë për këto gabime, bëhet akoma më e rëndë, për faktin se ato, janë afërsisht të një natyre me gabimet e vërtetuara në Degën e Brendshme Rrëshen, një vit më parë, si rrjedhim i të cilave, u deshifrua T.O., nga i pandehuri. Përsëritja e këtij gabimi, dëshmon se Bilo B. si kryetar i Degës së V-të, Sotir S., që e lejoi atë dhe Metan K., si oficer drejtimi përkatës, akoma nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura dhe nuk kanë marrë masa të plota, për evitimin në kohë të këtyre dobësive.
Përgjegjësi mban edhe Agim C., sepse kur u dërgua me hyrje sekrete në banesën e Isuf Alibalit, për të vërtetuar pretendimet e objektit lidhur me vendosjen e T.O., nuk i konstatoi mungesat e mësipërme dhe nuk i ngriti ato si problem për t’u korrigjuar. Megjithëse metoda e përdorur lidhur me montimin e qendrave stacionare të T.O. ka qenë e drejtë si përsa i përket ruajtjes së sekretit, ashtu edhe cilësisë së dëgjimit, është e nevojshme që ajo të perfeksionohet më tej, me qëllim që t’u përshtatet sa më mirë aftësive të njerëzve, sidomos të personave që ishin objekt pune, për organet e Sigurimit. Këtu është fjala që sipas rrezikshmërisë dhe objektit të përpunimit, në çdo rast, të mendohet edhe për variante të tjera vendosjeje, me qëllim që, të evitohet me çdo kusht deshifrimi i T.O., nga armiku.
Vendosja e qendrave stacionare të T.O. sipas praktikës së përdorur vite me radhë, është konsideruar e mirëqenë dhe e mjaftueshme, kur ato ishin të pakta si numër dhe niveli i njerëzve ishte jo ai që është sot, por jo e plotë dhe e mjaftueshme për kushtet aktuale kur është rritur numri i njerëzve dhe është sofistikuar veprimtaria e armikut.
Pikërisht se nuk u ndryshua në kohën e duhur në rastin konkret, prandaj gati na u zbulua T.O., pasi shokët i qëndruan strikt praktikës së vjetër, duke u mjaftuar me punën e bërë nga Punëtorët Operativë të teknikës dhe nuk organizuan kontroll suplementar, për t’u bindur edhe më mire, mbi cilësinë e punës së kryer dhe mbi marrjen e të gjitha masave, për likuidimin e çdo gjurme apo shenje, që krijon dyshime e mund të bëhet shkak, për dekonspirimin e mjeteve të T.O.
Të prirë nga qëllimi i mire, për të kontribuar në zbulimin e veprimtarisë së armikut, ka pasur raste që, janë bërë lëshime e janë kryer punime të nxituara. Kjo mënyrë veprimi me karakter liberal e konformist, ka çuar në atë që pa dashur, nuk i është kushtuar gjithë kujdesi i duhur kualitetit të punës, eliminimit të plotë të shenjave të mbetura, siç ndodhi edhe në banesën ku u vendos objekti Isuf Ali Bali dhe që i dha mbështetje këtij të fundit, të konkludonte mbi mundësinë e ekzistencës së T.O.
Ndodhi në rastin e Kutallisë, që pajisja u kërkua me urgjencë, duke u nxitur kështu Punëtorët Operativë të teknikës, ta kryenin brenda ditës, objekti që ishte menduar nuk u soll dhe apartamenti, qëndroi rreth 4 muaj bosh. Pra, porosia nuk ishte aq urgjente, sa u paraqit.
Për objektin Isuf Alibali, që u vendos më vonë në apartamentin e pajisur, nuk iu tha asgjë për rrezikshmërinë e tij, sidomos mbi njohuritë që ai ka pasur mbi ekzistencën dhe përdorimin e T.O., moment i cili, jo vetëm duhej të mbahej parasysh, por edhe të gjykohej e konkludohej bashkërisht, nëse duhej futur në atë ndërtesë apo duhej çuar në vend tjetër. Nga sot e tutje, duhet që çdo pajisje stacionare me T.O., t’i nënshtrohet një studimi të thellë, për të konkluduar fillimisht mbi rrezikshmërinë e objektit, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së qendrës stacionare dhe mbi masat që duhen marrë lidhur me ruajtjen e plotë të sekretit gjatë punimeve për vendosjen e T.O. Pas vendosjes së tyre, të ushtrohet kontroll nga kryetari i Degës dhe një shok tjetër, që nuk ka marrë pjesë në punime, për t’u bindur se puna e kryer, siguron ruajtjen e T.O. nga deshifrimi. Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al