Si një familje ka kapur shtetin/ Autori i vrasjes në Vlorë sekser, babai zyrtar i Kadastrës, mamaja në KLP, motra me xhaxhain në Prokurori

Aug 9, 2023 | 22:54
SHPËRNDAJE

Ngjarja e rëndë në Vlorë, ku nga dhuna e djalit të një anëtareje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë humbi jetën një 55-vjeçar, zbuloi edhe më shumë se kaq. Një investigim i thjeshtë mbi familjen Meta vërteton atë që është denoncuar shpesh; kapja dhe përdorimi i shtetit nga shefat e drejtësisë dhe familjarët e tyre.

rei meta nurihan meta

News24 zbuloi se Rei Meta, i arrestuar për vrasjen ndërtuesit në Vlorë, është Përgjegjës Grupi i Inspektorëve të Kontrollit Fizik në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Ai kishte 4-5 vite që bënte rolin sekserit të ndërtuesve, të njerëzve që kishin halle në zyrat e shtetit dhe bënte ndërhyrje në organet e drejtësisë në Vlorë, Sarandë, Durrës e Tiranë, ku përdorte për lehtësi ndikimin e së ëmës anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Pra, djali i drejtueses së lartë të qeverisë së prokurorëve, ka përdorur pushtetin e së ëmës për të ndikuar në akte zyrtare, kundrejt përfitimeve të paligjshme financiare e pasurore.

Por jo vetëm kaq. Rei Meta kishte edhe ndihmën e babait. Babai I tij dhe bashkëshorti i anëtares së KLP Hazis Meta, me profesion oficer kufiri është Shef Sektori Juridik në Kadastrën e Përgjithshme, i emëruar pas zgjedhjes së gruas së tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Vajza e tyre Santeliana Meta, deri në momentin kur e ëma u emërua anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, punonte në Ministrinë e Brendshme së bashku me xhaxhanë e saj, ndërsa nga 1 janari 2020 e në vazhdim është Shefe Sektori në Prokurorinë e Tiranës.

Rasti i familjes Meta, është një tjetër shembull sesi një familje ka kapur pika kyçe të shtetit dhe anëtarët e saj jo vetëm ushtrojnë ndikimin e tyre për përfitime të paligjshme, por tregojnë edhe forcën që iu jep pushteti.

Për vrasjen e ndërtuesit Armando Meshau, autori Rei Meta duhet të hetohet nga prokurorët të cilëve iu duhet ta bëjnë këtë punë, ndërkohë që nëna e tij Nurihan Meta është anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që i emëron, i shkarkon, i transferon, i ul e i ngre në detyrë ata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura