Si po zhduken qytetet e vogla të Shqipërisë! “Vetting”: Numri i nxënësve po barazohet me të mësuesve, vetëm 14 lindje në një vit! Sipas anketimit, 40% e të rinjve kërkojnë të emigrojnë

Feb 7, 2025 | 9:58
SHPËRNDAJE

“VETTING”/ Sot që flasim, industritë e shumë vendeve prodhojnë miliona tonë mbetje të rrezikshme si kimikate, metale të rënda dhe mbetje radioaktive, që nëse nuk përpunohen, përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin e njeriut. Sa më e rrezikshme të jetë mbetja toksike, aq më shumë kushton trajtimi i tyre për t’i kthyer në mbetje të parrezikshme ose asgjësimi.

Dikur, rrugët e Hasit ishin të gjalla, të mbushura me fëmijë dhe të rinj. Por sot, ato rrugë janë shndërruar në zbrazëti pa fëmijë, pa të rinj… pa jetë. Papunësia e lartë dhe varfëria që dominon këtë qytet kanë bërë që shumë prej tyre të detyrohen të braktisin atdheun dhe të kërkojnë mundësi në Perëndim. Të rinjtë e Hasit i kanë sytë tek emigracioni me destinacion Britaninë e Madhe. Nuk ka familje që të mos ketë të paktën një anëtar që ka emigruar në Britani. Ky fenomen nuk është thjesht një pasqyrim i mungesës së mundësive vendase, por një dëshmi e tragjedisë që po shuan shpresat e të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Në këtë rrugëtim do të shohim realitetin e hidhur të disa familjeve në Has, të cilat jetojnë me ndihma ekonomike, me borxhe për ushqime dhe shpresojnë vetëm për një mundësi të vogël pune që do të mund t’i nxjerrë nga ky qark i mbyllur i varfërisë. Një luftë për të mbajtur gjallë familjet e tyre, ndërsa shohin se si të rinjtë ikin drejt së panjohurës për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit. Në Has, shumë familje janë të detyruara të bëjnë sakrifica të mëdha për të mbajtur veten dhe fëmijët e tyre gjallë.

Gratë e moshuara, të cilat ndajnë historitë e jetës së tyre të dhimbshme, flasin për mangësinë e thellë që ka mbërthyer çdo aspekt të jetës së tyre. Ato nuk mund të blejnë ushqimet bazë dhe shpeshherë janë të detyruara të marrin ushqimet me borxhe, duke i shkruar emrin në listën e borxheve pranë dyqanit të lagjes. Në këtë mënyrë, ato janë të detyruara të kërkojnë mësymjen e një shprese që nuk vjen kurrë. “Nuk kemi kushte, nuk ka ku shkon më keq, punësim hiç, jemi të gjithë në shtëpi, kushte më të dobëta se kaq nuk ka. Jetojmë me ndihmë ekonomike, 5000 lekë, kemi shkuar 2-3 herë për punë, por nuk kemi. Këtu jeton djali vetë i pesetë, djali tjetër është veti i katërt, me një fjalë jemi 11 veta që jetojmë në kushte të vështira”, – shprehet një e moshuar për “Vetting”.

“EMIGRIMI, ZGJIDHJA E VETME”

Një tjetër problem që vihet re në Has është emigrimi i të rinjve, të cilët po largohen për të kërkuar një mundësi më të mirë për jetën. E moshuara tregon për djalin e saj që ka emigruar, por që për fat të keq ka hasur po të njëjtën mungesë mundësish edhe atje. Sipas të moshuarës, djali i saj është larguar në emigracion me gomone, duke synuar një jetë më të mirë, por ka përfunduar në një situatë që nuk ka mundur ta mbajë dot veten. “Kam një djalë në emigracion, ka shkuar me gomone, nuk i ka ecur për vete, jo për mua. Nuk ka punë atje, i kam thënë të kthehet tek ne në Has”, – tregon ajo.

Në një qytet ku edhe pensionistët jetojnë me 6 mijë lekë dhe ku ushqimet blihen vetëm me borxhe, është e qartë se Hasi është një qytet në krizë dhe një pasqyrë e hidhur e atyre që po përballen me varfërinë ekstreme. “Problemi ynë kryesor është mungesa e një shtëpie, janë tre fëmijë, djali pa punë, marr 60 mijë lekë të vjetra pension, me ato jetojmë si familje që jemi këtu. Jetojmë me qira, bëjmë sakrifica për të paguar qiranë, të marrësh borxh por nuk të jep askush borxh. Ushqimet, po me lista i marr, fëmijët duan të hanë bukë”, – thekson e moshuara.

Ndërsa djali i kësaj familje, babai i tre fëmijëve thotë se është pa punë prej shumë kohësh pavarësisht përpjekjeve duke kërkuar në vende të ndryshme nuk ka arritur të sigurojë një vend pune që të ndihmojë familjen e tij. “Vetë jam i papunë, gruaja pa punë, nëna merr 60 mijë lekë pension, më ka dhënë ndihma bashkia, faleminderit bashkisë! Vetë qëndroj gjithë ditën pa punë, vijë vërdallë, dua të kem një punë, puna e mban njeriun gjallë. Kam kërkuar punë nëpër firma private, por nuk ka punë. Kam tre fëmijë të vegjël, të katërtin e pres”, – shprehet ai.

Sipas të dhënave nga EUROSTAT, shqiptarët janë ndër më të varfrit në Europë duke iu referuar të ardhurave për frymë dhe konsumit të ulët. Por kur vjen puna te çmimet e ushqimeve i kemi më të lartat në rajon duke ua kaluar edhe disa vendeve të Bashkimit Europian. Madje, edhe më të shtrenjta se vetë Kosova dhe për këtë arsye kush është në kufi shfrytëzon rastin për të kaluar kufirin dhe për të mbushur frigoriferin. Majlinda Kastrati tregon se ushqimet ia kanë blerë të afërmit në Kosovë sepse atje janë me çmime më të lira, të zhytur në borxhe dhe me ndihmën ekonomike që marrin nga bashkia, ata luftojnë të mbijetojnë.

RRËFEHET KRYEBASHKIAKU I HASIT

Ne gjendjen civile të Bashkisë së Hasit janë të regjistruar ne total 23 mijë banorë. Emigracioni në këtë zonë është shumë i theksuar, nuk gjen një familje që të mos ketë emigrant, në disa raste 80% e anëtarëve të familjes kanë ikur në emigrim. Për “Vetting”, kryetari i Bashkisë së Hasit Miftar Dauti sqaron se emigracioni po e dëmton atë vend. “Ne si bashki jemi një bashki ku fenomeni i emigracionit është shumë I theksuar, sepse në përgjithësi njerëzit tanë kanë emigruar në Britaninë e Madhe, por emigracioni ka filluar më herët, me Greqinë, Italinë, Gjermani, me këto vendet më afër Hungarinë, Rumaninë dmth., është i shpërndarë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe sot mund të them me siguri se nuk ka familje që të mos kenë një përfaqësues të tyre në Britaninë e Madhe”, – thekson kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.

Mundësitë e punësimit në këtë qytet janë të pakta, pasi nuk ka kompani private, por edhe minierat e hekurit, nikelit, kromit dhe bakrit nuk funksionojnë, gjë e cila kontribuonte në ekonominë e hasjanëve. Bizneset e vogla që shikon në qytet janë vetëpunësime për mbijetesë, nuk kanë mundësi të ofrojnë vende pune. “Mundësitë e punësimit në Has janë të vogla sepse ne nuk kemi ndonjë kompani, ne me të vërtetë jemi zonë minerare, por vlen shumë për të dëshiruar sepse ka hekur, nikel, krom dhe bakër. Me Hekur-nikeli dhe bakrin pothuajse nuk është marrë askush me të, kromi është keqpërdorur, është keqpërdorur sepse kanë ardhur disa kompani dhe sipas meje dhe atë që kam parë janë bërë vetëm shit-blerje letrash nuk është bërë punë. Kemi pasur një fabrikë kromi ku kanë qenë të punësuar 20 veta, është mbyllur fabrika, janë kufizuar pjesa e minierës dhe çdo ditë e më shumë numri i të punësuarve ka ardhur duke u ulur. Në të njëjtën kohë duke qenë se fenomeni i emigracionit është shumë i madh, biznesi i vogël këtu aq është. Ai që mund të vetëpunësohet është mbijetesë”, – thekson kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.

Çdo vit në Shqipëri, mesatarisht lindja e fëmijëve është 3% më pak se vitet paraardhëse, duke shënuar shifra alarmante për të ardhmen e vendit. Për shkak të këtyre lindjeve ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve në disa shkolla, të cilat rrezikojnë të mbyllen, ndërsa në disa shkolla mësimi zhvillohet në klasa kolektive. “Numri i lindjeve është shumë i ulët, unë e parandiej që shumë shkolla do të vijnë drejtë mbylljes sidomos shkollat e fshatrave shumë të thella të bashkisë. Kanë filluar që të jenë klasa kolektive, ka klasa që nuk parashikohet të fillojë klasa e parë për efekt të fëmijëve që nuk janë, është fenomen i dhimbshëm por është evident në Bashkinë tonë si në Bashki të tjera është ky fenomen’- thekson kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.

EMIGRACIONI MBYLL SHKOLLAT

Drejtoresha e Arsimit në Bashkinë Has, Mirela Lleshi, tregon se numri i nxënësve ka rënë, dy shkolla janë mbyllur për shkak se njerëzit kanë ikur në emigracion. Gjithçka sipas saj, ndodh për shkak të emigrimit të shumë familjeve nga Hasi. Problemi i emigracionit është një problem që në Shqipëri ka vite që vazhdon dhe Hasi nuk mund t’i shpëtonte një fenomeni të tillë, shprehet Mirela Lleshi. “Shkollat tona kanë qenë me një numër më të madh nxënësish nqs do të shohim marzhin e ndryshimit që nga vitin 2019 e në vazhdim ka një rënie të numrit të nxënësve.

Në shtatorin e vitit 2019 kishim 2070 nxënës në arsimin 9-vjeçar, 699 nxënës në arsimin e mesëm dhe 571 nxënës në kopshte. Përsa i përket numrit të shkollave që janë mbyllur plotësisht, kemi vetëm dy shkolla, shkolla “Dome”, dhe “Kishaj”. Ndërsa disa shkolla të tjera në fshatra kanë kaluar në shkolla vartësie dhe qendër, mund të përmendim këtu që në shkollën “Letaj” kemi vartëse shkollën “Beraj”, që është një fshat i largët me “Bajram Currin”, ka kaluar shkolla e “Gjinajve” në varësi të shkollës “Metaliaj” dhe në shkollën “Helshan” dhe “Kostor” janë të bashkuara, ndërsa të gjitha shkollat e tjera vazhdojnë që të jenë shkolla qendër”, – shprehet Mirela Lleshi.

DËSHTIMI I NJË PROJEKTI

Nisur nga shifrat e larta të emigracionit, më 12 tetor 2022, ambasada e Britanisë së Madhe nisi zbatimin e projektit “Perspektiva të Reja” për Bashkinë Has, Kukës dhe Tropojë. Përmes këtij projekti synohej të frenohej emigrimi i të rinjve, qëndrimi pranë familjeve të tyre. Projekti me vlerë 8.4 milionë paund kishte qëllim të fokusohej në krijimin e vendeve të reja të punës, aftësim profesional, investime dhe në përmirësimin e kushteve social-ekonomike në bashkitë e goditura rëndë nga emigracioni dhe varfëria. Ish-ambasadori Alastair King-Smith ngriti alarmin se shumë të rinj që i drejtoheshin Britanisë së Madhe në rrugë ilegale, përmes gomoneve dhe kamionëve për të kërkuar një jetë më të mirë po shfrytëzoheshin nga organizatat kriminale duke i punësuar në “shtëpi bari”.

“Një përpjekje më e fortë e përbashkët për zhvillim nga ne, qeveria dhe partnerët e shoqërisë civile është thelbësore për të ndihmuar njerëzit në rajon. Vetëm duke adresuar çështjet ekonomike dhe sociale mund t’i japim fund dëshpërimit të të rinjve për t’u larguar. Ju bëj thirrje të gjithëve që të dyfishoni përpjekjet për të ndaluar mënyrën sesi të rinjtë po shfrytëzohen nga kriminelë dhe trafikantë. Ne duam që të rinjtë të kenë shpresë se mund të zhvillojnë aftësi dhe të punojnë këtu, në këtë rajon, të shijojnë aktivitetet argëtuese dhe të jetojnë me familjet e tyre në mënyrë të sigurt”, – shprehej ish-ambasadori Alastair King-Smith.

******

Numri i nxënësve po barazohet me të mësuesve, vetëm 14 lindje në një vit!

Memaliaj, një qytet i vogël dhe i heshtur në jug të Shqipërisë, duket si një copë e harruar e vendit. Të moshuar lodhur nga vitet e pritjes që shkon gjithnjë e më shumë përtej dritareve të tyre, shohin horizontin me shpresë të zbehur. Të rinjtë janë larguar duke lënë pas një boshllëk që është gjithnjë e më i thellë, në një qytet që po zbrazet përfundimisht, një shpopullim dramatik që e shndërron çdo rrugë dhe çdo qoshe në një kujtim të shuar. Në mes të kësaj heshtjeje, që ndoshta ka më shumë zëra sesa mund të dëgjohen, qëndron Qerim Manaj, një i moshuar që ka kaluar shumicën e jetës së tij në Memaliaj.

Me lot që i pushojnë në sy dhe një zë të dridhur nga trishtimi, ai flet për portën e tij të shtëpisë që çdo ditë e shikon me shpresën se, ndoshta, një ditë do të kthehen bijat. Dy vajzat kanë vite që janë larguar në emigracion në kërkim të mundësive për jetesë larg këtij qyteti të vogël. Ky është vetëm një tjetër moment i hidhur që përsëritet çdo ditë në çdo shtëpi të këtij qyteti të braktisur, ku mospërmbushja e ëndrrave është bërë një realitet i pamohueshëm.

“Kam dy vajza, kanë ikur në emigracion që kur u prish sistemi komunist, e vështirë të kthehen sepse janë pa dokumente, pa gjë, shikojmë portën do të na vinë a jo”, – shprehet Qerim Manaj. Për këta banorë shpopullimi i Memaliajit nuk është vetëm një fenomen i natyrshëm që ndodh me kalimin e kohës. Ai është pasojë e një sistemi të dështuar, që nuk ka mundur të krijojë mundësi për të rinjtë dhe që ka lënë një vend bosh për ata që janë larguar. I pari i këtyre pak qytetarëve kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj shprehet se mundësitë e punësimit në qytetin që ai drejton janë të pakta, pavarësisht përpjekjeve të tija për t’i ndihmuar sadopak me punësim dhe ndihmë ekonomike. Dëshira është e madhe për të ndihmuar cilindo qytetar, por siç do institucion edhe kjo bashki e vogël ka kufizimet e veta.

“Për sa i përket shpopullimit, arsyet kryesore dihen, mundësitë e pakta që kanë këta njerëz që të rregullohen, të sistemohen, të punësohen, dhe të bëjnë një jetë normale. Bashkia Memaliaj nuk ka institucione të tjera, ka vetëm bashkinë. Siç janë bashkitë e tjera që kanë institucione të tjera, ku njerëzit kanë mundësi të sistemohen dhe duke pasur punë ata jetojnë lirshëm. Në Bashkinë e Memaliaj, e vetmja administratë është bashkia, ajo që ka rregulluar, ka sistemuar, ka punësuar njerëzit”, – shprehet kryetari i bashkisë, Albert Malaj. Në Memaliaj nëse e krahasojmë me disa vite më parë ka një rënie drastike të numrit të lindjeve, gjatë vitit 2024 ka pasur vetëm 14 lindje, ndërkohë jashtë vendit janë regjistruar 62 lindje, në total janë 76 lindje.

Për sa i përket numrit të nxënësve ka një rënie drastike, por shkollat kanë mbetur hapur edhe në rastet kur kanë mbetur edhe me 5 nxënës. Në disa raste numri i nxënësve numri i nxënësve është i barabartë me atë të mësuesve. “Përsa u përket shkollave që ne kemi në njësitë administrative dhe fshatra, siç ju thash pak më parë, ne kemi 53 fshatra në Bashkinë Memaliaj, ka një rënie përsa i përket nxënësve në këto shkolla, por kanë lëvizur sepse kërkojnë ndonjë shkollë më të mirë, duke u afruar në qytet apo njësi, në përgjithësi shkollat kanë mbetur hapur edhe në ato fshatra të thella ku ne kemi shkolla me 1,2, 3 dhe 5 fëmijë. Pak a shumë është i njëjtë numri i nxënësve më numrin e mësuesve”, – shprehet kryetari i bashkisë, Albert Malaj.

******

“Anketimi, 40% e të rinjve kërkojnë të emigrojnë”!

Vështirësitë ekonomike dhe sociale në vitin 1990 shkaktuan rritje të konsiderueshme të papunësisë. Niveli i papunësisë në Shqipëri arrinte deri në 26% në fund të vitit 1992, që do të thotë se ishte rritur tre herë që prej vitit 1991.

Kjo shifër ishte vlera më e lartë e papunësisë e riregjistruar ndonjëherë gjatë dekadës së fundit. Që prej vitit 1992, dhe gjatë dekadës së fundit, papunësia ka qenë më e lartë për gratë duke e krahasuar me burrat. Kjo ka ndodhur sepse ishte veçanërisht e vështirë për gratë të përshtateshin në tregjet e reja të punës. Në fund të vitit 1992 kishte rreth 200 mijë gra e vajza të papuna dhe rreth 190 mijë meshkuj të papunë. 33 vite më parë, rreth 4 800 shqiptarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë hynë në ambasadat e huaja në Tiranë për të kërkuar largimin nga Shqipëria, si shpëtim nga izolimi, varfëria dhe dhuna politike e regjimit komunist. Kriza zgjati disa ditë, pavarësisht kërkesave dhe këmbënguljes së qeverisë së Ramiz Alisë, ambasadat e huaja iu përgjigje “JO” duke mos pranuar t’i nxjerrin jashtë.

Qeveria e atëhershme komuniste u detyrua të lejonte largimin e tyre nga vendi, 3200 shqiptarë shkuan në Gjermani, mbi 800 në Itali, 600 në Francë, dhjetëra të tjerë në Turqi, Poloni, Çekosllovaki etj.. Në vitet që pasuan, atyre iu bashkuan më shumë se 1,3 milionë shqiptarë të tjerë, ndërsa, me shumë gjasa, qindra mijëra iu bashkuan gjatë këtyre viteve të fundit. Sipas ekspertit, Ilir Gërdeshi: “Emigracioni si fenomen në Shqipëri filloi që me fillimin e tranzicionit, pra duke filluar nga 1991 dhe aktualisht jemi në dekadën e katërt të emigracionit, por secila dekadë e emigrimit ka pasur karakteristikat e veta, në dekadën e parë, me fillimin e tranzicionit për sa i përket viteve 1990, emigracioni ka qenë i vrullshëm, kaotik, ka qenë i parregullt, dhe udhëhiqej kryesisht nga meshkujt, pra ishin meshkujt ata që emigronin”.

VALA E RE E EMIGRIMIT

NË 1997-N Në vitin 1997, rënia e piramidave tronditi shoqërinë shqiptare, papunësi, varfëri, duke i shkatërruar ekonomikisht, si pasojë solli valën e re të emigrimit. Dy rrugët kryesore ishin, përsëri kufiri drejt Greqisë dhe deti drejt Italisë. Kanali i Otrantos u kthye në një autostradë gomonesh dhe mjetesh të tjera lundruese që dërgonin emigrantë dhe ktheheshin sërish në Shqipëri për tu mbushur me njerëz që dëshironin të iknin sa më parë nga vendi ynë. Nga kërkimet e ‘Vetting’ rezulton se 150 mijë shqiptarë emigruan pas rënies së piramidave gjatë viteve 1997-1998. Në një përllogaritje nga viti 1990-2016, të paktën 1, 3 milionë shqiptarë jetonin jashtë Shqipërisë, pra brenda një çerek shekulli rreth 32% e popullsisë kishte braktisur vendin. Popullsia që jetonte jashtë Shqipërisë ishte gati 47% e asaj që jetonte në Shqipëri.

Shifrat e vërteta të emigrantëve shqiptarë në botë ishin më të larta se shifrat e perënduara pak më parë, pasi shumë prej tyre jetonin në mënyrë të paligjshme, një pjesë ishin regjistruar me nënshtetësi të rreme, ndërsa për shumë vende mungonin të dhënat zyrtare. Sipas sociologes Marsi Simo: “Është një fenomen që është diskutuar vitet e fundit, ku të rinjtë parapërgatiten mendërisht që sapo të kalojnë moshën 16-vjec, mund të shkojnë kryesisht në Britaninë e Madhe, sepse tërheqin njëri-tjetrin, sepse kanë informacion që atje mund të punohet, atje ka perspektivë”.

Gjatë vitit 2018 Lezha, Elbasani dhe Berati kishin emigracionin më të lartë ndër 12 qarqet e tjera të vendit në raport me popullsinë. Në vitin 2018 emigracioni në qarkun e Lezhës ishte 135 persona për 10 mijë banorë, ndërsa ky tregues për Beratin ishte 105 persona. Vlora shënoi rritje të emigracionit me 23 persona për 10 mijë banorë, që dmth., se në këtë qark diferenca ndërmjet emigrantëve të kthyer dhe atyre të ikur pati një diferencë pozitive me mbi 400 persona. Gjatë vitit 2018, në shumicën e qarqeve të vendit, migrimi i jashtëm kishte ndikim më të madh në numrin dhe strukturën e popullsisë se sa lëvizjet e brendshme. Në Dibër, Gjirokastër dhe Kukës, gjatë vitit 2018, si migrimi i jashtëm ashtu edhe lëvizjet e brendshme ndikuan në zvogëlimin e numrit të popullsisë.

STATISTIKA

Rezultatet e Censit të vitit 2023 treguan se, krahas rënies së numrit të popullsisë në 2 milionë e 402 mijë e 113 banorë (ose 419 mijë banorë më pak se në vitin 2011), fenomeni i emigracionit është veçanërisht i pranishëm te të rinjtë ku numri i popullsisë së moshës 15-29 vjeç ra afërsisht me 17%, ose 124 mijë të rinj, krahasuar me të dhënat e regjistrimit të vitit 2018. Kjo rënie e konsiderueshme nënvizon shkallën e lartë të emigrimit te të rinjtë në vend, e nxitur më së shumti nga kërkimi i mundësive më të mira dhe perceptimi i mungesës së perspektivës në Shqipëri.

Prirja e emigrimit është veçanërisht e theksuar te të rinjtë e arsimuar. Shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve në Shqipëri e shton më tej prirjen drejt emigrimit. Për shkak kushteve të vështira të punës dhe rrogës së ulët që nga viti 2010 deri në fund të vitit 2024 nga Shqipëria janë larguar mbi 1000 mjekë të cilët janë punësuar në Gjermani. Kjo braktisje e madhe e vendit nga të rinjtë, pasqyruar përmes udhëtimit tonë në këto qytete në dy skaje të vendit, na rrëfejnë një realitet të hidhur të Shqipërisë. Pasojat e këtij shpopullimi nuk do të vonojnë të shfaqen gjithnjë e më dramatike. Memaliaj dhe Has janë vetëm një copëz e vogël e kësaj drame e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. /Gazeta Panorama

LEXO EDHE: 

Vetting, si po zhduken qytetet e vogla të Shqipërisë! Familjet e Hasit mes skamjes dhe emigrimit! Shkollat e fshatrave drejt mbylljes! Kastrati: Ushqimet i marrim në Kosovë, janë më lirë

“Jemi në çdo shtëpi nga dy pleq”- Boshatisja e Memaliajt, Vetting: Numri i nxënësve po barazohet me atë të mësuesve, vetëm 14 lindje të reja në një vit!

Vetting/ “Anketimi, 40% e të rinjve kërkojnë të emigrojnë”! Ekspertët analizojnë fenomenin e boshatisjes së Shqipërisë!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura