“Si u hodhëm me parashutë ne, katër gratë e para shqiptare”

May 3, 2017 | 10:06
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

Ka kaluar shumë kohë, madje dekada, kur katër vajza të reja, ende të panjohura, guxuan të hidhen me parashutë më 24 prill të vitit 1968, me rastin e 17-vjetorit të Ditës së Aviacionit dhe krijimit të forcave ajrore të Republikës Popullore të Shqipërisë. Ishte një surprizë e madhe, një veprim i rrallë, thuajse e pabesueshme, kur Flora Toto, e sapodiplomuar dhe e emëruar pedagoge në ILKF “Vojo Kushi”, bashkë me studentet e saj Poliksenin, Dranen, Veziren realizuan hedhjen spektakolare nga lartësitë, duke regjistruar një ngjarje jo vetëm historike, por edhe të bujshme në atë kohë.

Si e kujtojnë atë muaj ankthi, atë ditë të paharruar, emocionet, nga përgatitjet deri në momentin e shkëputjes dhe daljes në hapësirë?545487875689656898

Ku janë sot katër parashutistet e para shqiptare, çfarë bëjnë, si jetojnë, nga pensioni modest që marrin dhe angazhimet familjare. Takimi surprizë pas një gjysmëshekulli i katër protagonisteve të ajrit dhe si e rikthen me detaje për gazetën “Panorama” Flora Toto. Një rrëfim unikal për fluturimin, që befasoi mjedisin shqiptar.

Znj.Flora, si lindi ideja për të realizuar një hedhje me parashutë, pikërisht në vitin 1968?

Ngjitur me ILKF-në, ish-Fushën e Aviacionit dhe Klubin Partizani ishte reparti ushtarak i parashutistëve dhe nga afërsia orët e mësimit ato praktike, i zhvillonim aty. Nisur nga njohjet, grupet e studentëve filluan të organizojnë mbrëmje dhe kështu lindi ideja për të zhvilluar nisma miqësie midis rinisë studentore të ILKF-së me rininë ushtarake të repartit, duke na dhënë mundësinë e shfrytë- zuar rastin për të hedhur hapat e para të parashutizmit në programet mësimore. Më thirrën dhe më kërkuan ta mbështesja këtë nismë, edhe për faktin se ishte evidente mungesa e femrës në të tilla evenimente, kjo për shkak të mentalitetit të kohës. Si sportiste e pedagoge njëkohësisht më duhej të jepja shembullin tim, kështu nuk mund të tërhiqesha. Por dikush u tremb, një tjetër për arsye shëndetësore u tërhoq dhe nga 20 vajza mbetëm katër, unë, Drane Cara, Polikseni Vjeshta (Gorishti), Vezire Meta, bashkë me pesë djem studentë, Banush Kasolli, Dalip Lani, Qemal Hoxha, Servet Kello e Kujtim Cicollari.

Kur u konkretizua si projekt?

Ishte fillimi i muajit, e ndonëse kishim pak ditë në dispozicion e mungesë eksperience, u vendos që hedhja do të bëhej më 24 prill në ditën e 27-vjetorit të festës së aviacionit. Zhvilluam rreth dy javë stërvitje-praktikë afër Laprakës, te reparti i Diko Zeqos dhe provat i bënim në një kullë të lartë, nga ku simulonim hedhjet me një parashutë mësimore. Reparti caktoi edhe dy instruktorë, Ali Çenon e Shaban Danaj, ish-parashutistë. “Ju jeni sportiste, nuk keni nevojë për shumë stërvitje, pak përgatitje teoriko-teknike, mënyra si përdoret parashuta”, na thoshin. Në repart kishte një pishinë dhe trampolinë, nga ku Aliu na detyronte të hidheshim, pasi nuk dihet se ku binim. Ndërkohë, një javë para, Shabani u sëmur dhe e dërguan në Spitalin Ushtarak, ku drejtor ishte Veli Toto, një i afërm i imi. Shkova dhe i tregova se më 24 prill instruktori i shtruar duhet të ishte jashtë, duke i treguar motivin. “Është i sëmurë rëndë, nuk mundet,- m’u përgjigj, por pasi u mendua më tha,- Do ta marr iniciativën e do ta nxjerr atë ditë”. Një ditë para hedhjes shkuam në repart të njiheshim me elementët kryesorë si funksiononte parashuta, mënyrën e mbledhjes së saj dhe secila nga ne firmosi për parashutën që mori. Na bënë vizitat e fundit mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe gati për hedhje.fsd

Ç’ju thanë prindërit për këtë provë?

E pasigurt nëse do ta provonin apo jo, nuk ua tregova prindërve. Vetëm një javë para i thashë vëllait dhe mënyrën si do ta justifikonim largimin atë mëngjes herët. “E ke menduar mirë?,- më pyeti ai. -Po,-i thashë,- e kthim mbrapa nuk ka”. Një motër e imja balerinë, të cilën e informova, nuk ishte dakord duke më “akuzuar” se po shisja mend dhe po e bëja për t’u dukur. Sidoqoftë, me vëllanë vendosëm që unë do ta realizoja hedhjen pa u thënë asgjë prindërve.

Si vepruat?

Hedhja ishte parashikuar në orët e para të mëngjesit, pasi në atë kohë nuk ka erë. Duke qenë se nga Tirana vazhdonte pelegrinazhi në këmbë drejt Portit të Durrësit, për të nderuar aktin e heroit të Adem Rekës shfrytëzova këtë situatë dhe u them prindërve që bashkë me shoqet, kolegët e studentët do të shkonim te Biga e Adem Rekës. Për këtë arsye duhet të flija në konvikt, pasi do të niseshim ende pa u zbardhur dita. Edhe vëllai u thotë se do të zgjohej herët, se do të nisej me shërbim në një qytet të largët. Më besuan! Shkova në konvikt, pastaj herët në mëngjes, në repart. Na bënë kontrollet e rastit, kryesisht matjen e tensionit arterial. Kishim veshje sportive, më pas na dhanë ato speciale të hedhjes. Në shpinë mbaja parashutën, ndërsa në gjoks atë rezervë. Ishte kohë e mirë dhe nga ora 6 filluan të vijnë pranë sheshit studentë, punonjës të ILKF-së, ata të Shkollës së Partisë, u bënë shumë njerëz. Por, sapo iu afruam shkallëve të helikopterit, papritmas dëgjoj një zë nga larg, dikush që më thërret: “Lola, Lola”. Kthej kokën dhe dalloj mamanë që ishte e shoqëruar me dy ushtarakë, të cilët e mbanin prej krahu. I ngrita dorën dhe nuk e pashë më pas.

Kush e njoftoi familjen?

E pabesueshme kur e tregon sot. Babai shkoi të merrte qumësht në orët e para të mëngjesit dhe duke qëndruar në radhë sapo dyqani u hap, vjen një burrë, i cili ishte shofer i autobotit që furnizonte me karburant avion- ët, dhe u thotë njerëzve: “Ju lutem, mund të marr qumësht pa radhë, jam me ngut se më duhet të shkoj në repart, pasi sot do të hidhen me parashutë disa vajza”. Kaq ka mjaftuar që babai të kuptojë dredhinë, ta lërë radhën dhe me vrap në shtëpi i drejtohet mamasë: “Na kanë gënjyer, ajo ka shkuar të hidhet me parashutë”.

Si i përjetuat çastet e ngjitjes, deri te kthimi në tokë?

Fillimisht, helikopteri bëri ngritjen e parë dhe për demonstrim u hodhën me parashutë dy instruktorët, Aliu e Shabani. Tashmë ishte radha jonë dhe instruktorët, pilotët kishin emocion, frikë, pasi vendi, lartësia ishin jashtë standardit, çka i ngarkonte me përgjegjësi për ne. Unë hipa e fundit, pasi do të hidhesha e para. U ulëm, helikopteri filloi ngjitjen dhe ne në pritje të sinjalit që ishin dy: I pari, parapërgatitja dhe i dyti, hedhja. Shabani qëndronte te dera në tension të madh. Për të ndryshuar atmosferën u drejtohem vajzave, duke i propozuar të këndojmë një këngë, që edhe sot më kujtohen fjalët: “S’na trembin stuhitë, hapësirat qiellore të gatshëm të mbrojmë tokën arbërore”. Shabani u prek dhe u përlot. Ndërkohë u hap dera, u dha sinjali dhe unë e para e pas meje njëra pas tjetrës tri vajzat, si dhe djemtë, në pak sekonda ishim në ajër. Ishim në lartësinë 100 metra dhe në çastet e para nuk e di ku je, por e merr veten kur hapet parashuta, një hapje e detyrueshme, thuajse e sigurt, pasi i tillë ishte mekanizmi. Pastaj ke mundësinë të shohësh nga lart mrekullinë që të ofron ky fluturim. Gjëja me emocionuese ishte kur këmbët takonin tokën. Njeriu i parë që kam parë ishte mamaja, me të cilën u përqafova. Pastaj, duartrokitje, foto, buqeta me lule. Kujtoj Kiço Karagunin, drejtorin e ILKF-së, që na priste me ankth. Në darkë midis të ftuarve, zyrtarëve, ushtarakëve ishim edhe ne në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, ku u zhvilluan festimet e 24 prillit, Ditës së Aviacionit.

Cila ishte atmosfera në ditët që vijuan?

Disa ditë më vonë ishte parada e 1 Majit dhe pas parakalimit të grupit me flamujt kombëtarë, organizatorët na vendosëm ne, katër vajzat, të veshura si parashutiste. Në përfundim të manifestimit, dikush nga tribuna kishte pyetur dhe pasi u informuan filloi interesimi përse nuk ishte bërë propagandë e shkruar për këto vajza. Vetëm Ismet Bellova bëri një artikull të bukur bashkë me një poezi të Ahmet Golemit “Kush jeni ju…”, të botuara te gazeta “Sporti Popullor”. Kurse pa kaluar një javë vjen në ILKF Xhevahir Spahiu, nga “Zëri i Popullit”, dhe pasi bisedoi me mua e vajzat studente realizoi një shkrim të detajuar te kjo gazetë, pastaj te revista “Ylli”, ndërkohë që në librat shkollorë siç ishte “Këndimi” i klasës së tretë u vendos një tekst për parashutizmin. U realizua gjithashtu edhe një dokumentar. Madje, në teatër kemi qenë si parashutiste figurante në një shfaqje, “Shokët”, të Bashkim Hoxhës. Por, me kalimin e kohës, ndonëse e projektuar për në planet mësimore për ta përhapur e ushtruar nga femrat dhe djemtë këtë sport, nuk u lejua aplikimi dhe praktikimi i tij, ndoshta nga kushtet, mundësitë. Kujtoj se pak vite më vonë një grup vajzash ushtarake të degës së Aviacionit të Shkollës së Bashkuar realizuan një hedhje në qytetin Stalin.

Çfarë bëjnë sot protagonistet e hapësirës?

Kishin kohë pa u takuar, kur në mënyrë befasuese janë ulur së bashku në një lokal të kryeqytetit, duke u përqafuar me shumë mall e dashuri, pikërisht si atëherë, para çastit se drita e kuqe e sinjalit për hedhje të ndizej.

Një kafe, pastaj disa foto dhe biseda e kujtime në pafundësi. Prej vitesh janë në pension, duke marrë një sasi modeste financiare në kufijtë e 150 lekë në muaj, me një kontribut të madh si edukuese të shumë brezave ndër vite. Kanë një jetë impenjative dhe më kryesorja kanë mbetur të qeshura, gëzojnë shëndet e kanë entuziazmin brenda në shpirt, që nuk u shteron asnjëherë.

Ndonëse karriera si sportiste do t’i bënte mjeshtre të mëdha, jeta si pedagoge do t’u jepte kënaqësinë e madhe që të jep ky profesion, e ndërsa janë bërë gjyshe, për historinë, miq, të afërm, nipër e mbesa, Flora Toto, Polikseni Gorishti, Drane Cara, Nazire Meta, kanë qenë dhe mbeten katër vajzat e para, që u hodhën me parashutë pesëdhjetë vite më parë. Dhe ishin vetëm 18 e 19 vjeçe. Polikseni Gorishti, e palodhur, jeton e punon midis Tiranës e Torontos, atje në Kanada, si instruktore joge.

“Atë ngjarje e kujtoj si të ishte sot. Janë vitet, është entuziazmi, kur nuk e mendon, nuk ke frikë për asgjë se je në moshë të re. Edhe për faktin se ishim të ndikuara nga dalja në hapësirë e femrës së parë, kozmonautes ruse Valentina Tereshkova, ndërkohë që për një vajzë shqiptare as që mund të mendohej diçka e tillë. E para u hodh Flora, pas saj unë, Drania dhe Vezirja e fundit, pasi kishte peshë trupore më të vogël. Më pas, djemtë. Kur hapet parashuta, ke një ndjesi sikur dikush të kap me dorë nga lart. Më kujtohet se pallatet kur i vështron nga lart të duken si shkrepëse.

Në jetë një rast i tillë mund të jepet vetëm një herë për një vajzë dhe unë kam pasur fatin ta provoj, ka qenë një mrekulli e papërsëritshme”. Vezire Meta, nuk ka ndryshuar kur e sheh me foton e asaj dite prilli. Aktive dhe çdo ditë ecën pa pushim me kilometra. Ruan humorin karakteristik dhe e rrëfen me kënaqësi, kur ndryshe nga çfarë i solli jeta, pasionin e saj ishte për tjetër gjë: “Kisha dëshirë për t’u bërë shofere. Më pëlqente makina, por prindërit nuk më lejuan, më dërguan në Institutin e Fizkulturës si e shkathët që isha. Edhe sot jam gati. Nëse më thonë për t’u hedhur, do ta pranoja me kënaqë- si”, tregon. Familjarisht kanë qenë dhe janë admiruese muzike, këndojnë e kërcejnë të gjithë shumë bukur. Madje është e ëma e tenorit të njohur të Teatrit Operës e Baletit, Armaldo Kllogjeri. Drane Cara, shumë energjike, lëviz me biçikletë në rrugët e Tiranës, e papërtuar në jetë e familje.

“Kur më thanë që të hidhem me parashutë mendova: jemi tetë fëmijë, nëse më ndodh gjë mbeten edhe shtatë të tjerë. Kujtoj se parashuta ishte me ngjyrë të bardhë dhe në momentin e hedhjes pata frikë, nëse ajo nuk hapej. Por ajo që nuk mund ta harroj është e lidhur me familjen dhe si u njoftuan ata, madje shkak ka qenë një tufë me lule. Bashkë me pianisten e Institutit të Fizkulturës, Nina Simoni, një natë para hedhjes, shkuam për të marrë lule te bahç- ja e shtëpisë së saj, pranë Liceut, kur befas u takuam me djalin e motrës sime dhe ajo i thotë: ‘Nesër kjo do të hidhet me parashutë”. Kaq mjaftoi që ai të njoftojë familjen dhe atë mëngjes i kisha të gjithë aty”.

Artikull per Panorama, ndalon marrja dhe publikimi i tij. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura