Siguria publike, vullneti politik dhe xhandarmëria

Nov 6, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA EKREM SPAHIU Ekrem spahiu

Sot, pas rreth 34 vjet shtet “demokratik”, krimi, në bashkëjetesë me politiken dhe korrupsionin, vijojnë të përbëjnë ankthin kryesor të shoqërisë shqiptare. Shkaku është i njohur: krimi, jo vetëm që nuk ka frikë nga shteti, por qëndron më lart se shteti në kapacitete dhe në iniciativë. Madje, e komandon shtetin. Nuk ka mëdyshje se, kur fuqia e shtetit funksionon me institucione dhe kur vullneti politik iu nënshtrohet institucioneve, qytetarët ndjehen më të sigurt për jetën e tyre, por edhe për qetësinë publike në përgjithësi.

Kur potencialet e krimit janë më të mëdha, janë institucionet ato që bëjnë diferencën, është fuqia e tyre, ndër to, fuqia e institucioneve të sigurisë. Shtetet e kërcënuara nga krimi, iu drejtohen pikërisht këtyre institucioneve, midis tyre xhandarmërisë. Është kjo arsyeja që, një numri konsiderueshëm shtetesh të botës, ndër to shtete të mëdha si Franca dhe Turqia, aplikojnë sistemin e xhandarmërisë si forcë policore publike. Gjatë tri dekadave të fundit, dy zhvillime të mëdha që kanë ndodhur pikërisht në vendet europiane, duket se tregojnë për një rritje në numër dhe në rëndësi të forcave të tipit xhandarmëri: së pari, xhndarmëria është zgjeruar më shumë se sa forcat e tjera të sigurisë dhe, së dyti, xhandarmëria po luan gjithnjë e më shumë rol të spikatur në adresimin e shumë sfidave të sigurisë të pas Luftës së Ftohtë.

Kontrolli i kufijve, lufta kundër terrorizmit dhe kriminalitetit, mbajtja nën kontroll e rebelimeve të frymëzuara nga motive etnike, fetare apo politike, angazhimi në operacione paqeruajtëse etj., i bën forcat e xhandarmërisë të kenë rol unik në këto misione. Në krahasim me forcat e tjera të policisë, xhandarmëria mund të ofrojnë një forcë më të mirëpajisur ushtarakisht, deri edhe grupe të blinduara, çka i bën ato më të afta për t’u përballur me grupet e armatosura dhe me të gjitha llojet e dhunës. Xhandarët luajnë një rol të rëndësishëm në rivendosjen e rendit dhe ligjit në zonat e konfliktit, zonat e largëta rurale, etj., detyra të cilat u përshtaten qëllimit, trajnimit dhe aftësive të tyre. Rritja dhe zgjerimi i njësive të xhandarmërisë në mbarë botën lidhet edhe me problemin gjithnjë e më të ndjeshëm të përdorimit apo mospërdorimit të njësive të mirëfillta ushtarake në përballimin e kërcënimeve të brendshme.

Sikurse është e njohur, përdorimi i forcës ushtarake në funksion të sigurisë së brendshme, zakonisht ka degjeneruar misionin e tyre, çka rezulton në pasoja të pafalshme, sidomos për shtetet demokratike. Pas konstituimit në Shqipëri të Mbretërisë më 1928, Xhandarmëria, e cila më parë përbëhej nga një numër simbolik, u shndërrua në një nga armët kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Në vitin 1928 numri i përgjithshëm i saj arrinte në rreth 3600 xhandarë dhe oficerë komandues, duke përmbledhur dhe policinë qytetëse, siç quhej në atë kohë policia bashkiake. Në vitin 1928, Xhandarmëria Shqiptare u organizua në nivel qarqesh, rrethesh e postë komandash, në përshtatje me shtrirjen gjeografike të popullsisë së vendit. Pak vite më vonë, në ndihmë të Xhandarmërisë, Mbreti Zog angazhoi një grup këshilltarësh anglezë, me në krye një gjeneral britanik, çka shërbeu jo vetëm për rritjen e profesionalitetit, por sidomos për ta shkëputur atë nga ndikimi italian. Kufijtë e paprekshëm të shtetit shqiptar dhe ruajtja e rendit dhe qetësisë, të cilat ishin bërë proverbiale në ato vite që mbahen mend edhe sot si koha e artë e sigurisë publike, e rendisin armën e Xhandarmërisë Shqiptare përkrah armëve dhe shërbimeve kryesore të ushtrisë sonë kombëtare.

Një nga gazetat e asaj kohe shkruante: “Viset, edhe ma të largëta të atdheut, u pasunuen me një tok godinash, në të cilat ushtaraku e shplodhte trupin dhe nga të cilat nisej kur e lypte detyra për të rikthyer paqen dhe rregullin, atje ku ato ishin të cënue. Udhëtari që dikur u trembej maleve tona, kalon sot lirisht dhe i sigurt dhe në kepat ma të braktisura, mbasi pothuaj nuk ka kënd në Shqipninë tonë, që të mos gjendet një vatër gjindarësh”. Xhandarmëria Shqiptare, e edukuar me besnikërinë e pafundme ndaj kombit, edhe pse përbënte rreth 20% të forcës së përgjithshme të armatosur të vendit, në çastin kritik të pushtimit të vendit nga Italia fashiste luajti rol kryesor në mbrojtjen e qyteteve-port, kryesisht të Durrësit, ku ishin përqendruar forcat dhe mjetet kryesore pushtuese italiane. Mbrojtja shqiptare kundër forcave të pushtimit, praktikisht komandohej nga majori i xhandarmërisë, Abaz Kupi. Xhandarmëria e asaj kohe aplikonte forma të hapura informacioni.

Në të kundërt, regjimi diktatorial i kohës komuniste e suprimoi Xhandarmërinë, duke e zëvendësuar me forcat e sigurimit dhe duke aplikuar forma të fshehta spiunazhi e shtypjeje psikologjike. Është e pafalshme që sot, në një sistem politik që parakupton sigurinë e plotë ekonomike e publike, të kemi gjendje më të pasigurt. Në këto kushte, alternativa e ringritjes së xhandarmërisë, me statusin e një force elitare sigurie, përbën zgjidhjen e duhur për rivendosjen e sigurisë publike e në veçanti të jetës së qytetarit, në çdo cep të jetës së vendit.

*Bashkëkryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura