“Silvinjo paguhet nga FSHF, pagat dhe bonuest janë miliona euro…”- Kritikat për trajnerin e Kombëtares, Armand Duka: Ka gabimet e veta, por ka dhënë shumë për ekipin

Oct 18, 2024 | 22:27
SHPËRNDAJE

Armand Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit thotë se trajneri i kombëtares, Silvinjo paguhet nga FSHF dhe jo qeveria.

duka silvinjo

I ftuar në emisionin “Log” në News24, Duka tha se bonuset dhe pagat e Silvinos, por edhe të lojtarëve kapin vlera shumë të mëdha.

“Qeveria shqiptare vërtetë i ka akorduar një fond Federatës Shqiptare të Futbollit për vitin 2024, i cili nuk e di nëse është 700 mijë, më shumë apo më pak, por paga dhe bonuset e Silvinjos dhe të ekipit kombëtar janë shumë miliona euro”, tha Duka.

Teksa foli për kritikat që i kanë bërë Silvinjos, Duka u shpreh se edhe kur fiton edhe kur humb ai do të kritikohet, por vlerësoi punën e tij.

Pjese nga intervista

Vijmë pak tek Silvinjo, i cili është përballur me kritika në aspektin sportiv.

Armand Duka: Të tipit?

Formacionet, zëvendësimet, lojtarët që angazhon…

Armand Duka: A mendon që do të ketë trajner në botë që të mos kritikohet? Ai do të kritikohet kur fiton, por akoma edhe më shumë kur humb dhe janë me vend dhe janë të drejta. Sepse të analizosh një ndeshje futbooli pasi ajo ka ndodhur është e lehtë, por ta parashikosh përpara se të fillojë është e vështirë. Dhe jemi në këto kushte. Trajneri mendon më të mirën kur e fillon. Dhe unë mendoj që edhe vetë trajneri pas ndeshjes ka kritika për veten e vet, që një gjë mund ta kishte bërë ndryshe dhe mund t’i kishte rezultuar më mirë. Por është post-factum. Kështu që kritikat janë me vend, në futboll ka shumë zgjidhje, në fushë trajneri gjen një skemë, një përshtatje të ekipit që pas ndeshjes mund të rezultojë jo shumë e përshtatshme, qoftë edhe vendimet për futboollistët që fut në fushë. Përderisa Çekia ishte një ndeshje e humbur, me performancë jo pozitive, kritikat janë me vend! Ato që janë kritika, Silvinjo, – dhe çdo Silvinjo tjetër, – duhet t’i shënojë dhe t’i reflektojë në punën e tij; jam i sigurt që çdo njeri, edhe nëse nuk e pranon publikisht, faktikisht e bën.

A është Silvinjo nga ata njerëz që reflekton? Një ish-trajner i Kombëtares thoshte dikur që “ne maksimumi 15 lojtarë kemi, pra nuk kemi shumë mundësi zgjedhje”. Sot Silvinjo duket që nuk e ka problemin e pararendësve të tij. A është ai peng i skemave apo ideve fikse që ka në kokën e vet, apo reflekton post-factum, kur gjëja ka ndodhur, siç thatë ju?

Armand Duka: Është e vështirë që një trajner futbolli ta pranojë me gojën e vet që bëri ndërrimet me vonesë, apo nuk bëri zgjedhjen e duhur. Nga eksperienca ime kam parë pak që ta pranojnë. Unë jam i bindur që në vetvete gjithkush reflekton. Silvinjo për mua është një trajner që ka dhënë shumë për ekipin kombëtar, që ka një performancë totale pozitive, padyshim që ka gabimet dhe të metat e veta, siç i kemi të gjithë ne. Por përkushtimi dhe profesionalizmi i tij është për t’u admiruar dhe fatmirësisht për ne edhe rezultatet e tij me kualifikimin në Europian dhe, qoftë edhe me rezultatet tani në “National League”, janë për t’u lavdëruar.

Ndalemi te Europiani. Një gjë që unë e kam edhe kuriozitet, por edhe shqetësim për të sqaruar opinionin publik është aspekti i biletave. Ka pasur shumë akuza se në shitjen e tyre ka pasur dorë Federata, individë brenda Federatës, që biletat janë dhënë për qoka, përshembull për agjenci turistike që shisnin paketa turistike me bileta… Dhe biletat në treg mbaruan shumë shpejt… Po ju jap një mundësi që të sqaroheni.

Armand Duka: Këtë diskutim e kemi bërë një mijë here. Biletat kanë qene online, nëpërmjet një shorti nga UEFA, janë shpërndarë në mënyrë të tillë. Dikush ka fituar, shumëkush nuk ka fituar. Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një sasi biletash vetëm për grupimin e tifozave që i ka dhënë në grup dhe për sponsora apo për anëtarët e saj. Kjo ka qenë gjendja. Pjesa tjetër e biletave është shpërndarë dhe shitur nga UEFA. Pastaj, këto teori konspirative nuk do të përfundojnë kurrë.

Silvinjo është i vetmi trajner i kombëtares shqiptare që për shkak të një formule, – dhe juve bravo ju qoftë që e keni arritur, – paguhet nga qeveria dhe jo nga Federata e Futbollit, në sajë të një donacioni diku te 800 mijë euro, që FSHF ka marrë nga qeveria, siç ka marrë miliona edhe Komiteti Olimpik Shqiptar. Ka një kuriozitet sot në komunitetin sportiv, që me rinovimin e kontratës për dy vitet e ardhshme, a e ka futur ndopak FSHF dorën në xhep, apo Silvinjo vazhdon paguhet nga fondi i akorduar nga qeveria?

Armand Duka: Silvinjo ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe paguhet nga FSHF. Këto teoritë e tjera nuk janë me vend. Qeveria shqiptare vërtetë i ka akorduar një fond Federatës Shqiptare të Futbollit për vitin 2024, i cili nuk e di nëse është 700 mijë, më shumë apo më pak, por paga dhe bonuset e Silvinjos dhe të ekipit kombëtar janë shumë miliona euro.

Që do të thotë që shkojnë përtej atyre që paguan qeveria?

Armand Duka: Ai (Silvinjo) ka një marrëdhënie kontraktore vetëm me Federatën e Futbollit dhe paguhet nga Federata e Futbollit. Nuk besoj se ka ndonjë interes të madh kjo punë. Nëse doni të dini edhe fondet që merr FSHF nga qeveria, për vitin 2024 është diku tek 600 – 700 mijë euro.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura