Nga Robert Cipo
Memorie.al / Filip Papajani ishte elbasanas, nga lagjia ‘Kala’. Kishte lindur më 1878. Që në vogëli kishte çfaqur tendenca pavarësie dhe mosbesimi në çdo gjë. Nuk i besonte fesë dhe tallej me “njerëzit e zotit”, priftërinjtë e hoxhallarët, megjithëse siç e tregoi jeta, me kalimin e viteve, u lidh me miqësi të ngushtë me ta. Kur ishte i vogël, e dërgonin për të çuar meshën në kishë, së bashku me një grosh, për të paguar priftin për shërbesën fetare. Në atë kohë, gjella e përditëshme në familje, ishin fasulet e zjera me pak kripë dhe buka e misrit, e vetëm me rastin e pashkëve, apo kremteve të tjera, si dita e emërit, gatueshe ndonjë gjellë tjetër. Filipi, me groshin blinte djathë të bardhë dhe me bukën e grurit, me të cilën ishte gatuar mesha, uleshe dhe hante bukë e djathë, prapa murit të kishës. Aty dikush e pa dhe lajmëroi familjen. Rezultati i gjithë kësaj ngjarje, ishte një e rrahur e mirë dhe që prej asaj dite, nuk e dërguan më për të çuar meshën në kishë.
Nuk dihet se çfarë shkolle të mesme arriti të përfundonte, por fakti është se shkoi në Rumani, me në xhep adresën e një dajës së tij që kishte shkuar emigrant, shumë vjet më parë dhe lajmet që vinin në Elbasan, e tregonin se kishte arritur të bëhej pasanik i madh. Dajën e gjeti shëndoshë e mirë, por sa për pasurinë, vetëm në ëndërr e kishte parë.
Kishte mbetur pjata-larës, nëpër restorantet më të mira të Bukureshtit. Filipi me të mbërritur, u regjistrua në Universitet, në fakultetin e Mjekësisë, por për të mundur të paguajë studimet dhe jetesën punoi dhe ky, me rekomandimin e dajës, si pjatalarës nëpër restorante, në turnin e dytë e të tretë.
Në Rumani gjeti një ambient ku vlonte fryma e zjarrtë patriotike e ku të gjithë shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit, punonin dhe përpiqeshin për Shqipërinë. Në Koloninë patriotike të Bukureshtit, mori pjesë në Lëvizjen për një Shqipëri të pavarur, që drejtohej nga Princi Albert Gjika, rumun, me origjinë të largët shqiptare, personalitet ky mjaft i dëgjuar, në qarqet politike e letrare rumune, të asaj periudhe. Për të shuar kureshtjen, do të themi se ishte i vëllai i shkrimtares mjaft të njohur, Elena Gjika, që në letërsi njihet me pseudonimin “Dora d’Istria”.
Pranoi gjithashtu që Princ Gjika, t’i vinte kurorën e martesës në Kishën Katedrale të Bukureshtit, ngjarje e cila, për arsye të personalitetit të Princ Gjikës, u pasqyrua në faqet e para të shtypit të kohës, duke u bërë shkas që çështja shqiptare, të marrë karakter të veçantë publik, duke ngjallur interes e diskutime të veçanta në shtyp, pikërisht në një periudhe kur Shqipëria ishte akoma nën zgjedhën turke dhe shumë pak (të mos themi aspak), njiheshe në popullin rumun ekzistenca e saj dhe problemet që e preokuponin në botën e jashtme.
Filipi bënte pjesë gjithashtu në grupin e shqiptarëve të Kolonisë së Bukureshtit, të cilët më 23 prill 1905, organizuan po në Bukuresht, në sallën e Teatrit Kombëtar të qytetit, një Kongres ku morën pjesë si të ftuar, përfaqësues nga kolonitë shqiptare nga bota mbarë, si dhe nga Shqipëria e nga Maqedonia, apo edhe personalitete politike, publike, e letrare nga e gjithë Rumania.
Kongresi doli me kërkesën e propozuar nga vetë Princ Gjika, për një Shqipëri të pavarur. Kongresi zgjodhi një komitet qendror, e vendosi të botojë një gazetë me emrin “Kombi”. Gjithashtu mori vendimin, që të përgatitej kryengritja e armatosur. Për këtë caktoi një organ drejtues, në të cilin bënte pjesë edhe Filip Papajani. Ky vetë, bashkëpunoi në gazetat në gjuhën shqipe, që botoheshin atje. U bë mik i ngushtë i Asdrenit dhe kur ky i fundit aty nga vitet ’30-të, erdhi për një vizitë në Shqipëri, qëndroi për disa ditë, si bujtës i Doktor Filipit në Pogradec.
Filipi në Bukuresht, u njoh me familjen e një emigranti nga Korça, i cili ishte vendosur përfundimisht në Rumani dhe kishte marrë me vete të gjithë familjen, duke e ndërruar mbiemrin në Kostandinesku. U fejua me të bijën e tij dhe u martuan, siç e përmendëm më lart, po në Bukuresht më 1909. Aty, më 1910, lindi vajza e pare, Margarita. Si patriot dhe nacionalist i zjarrtë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, braktis grua e fëmijë dhe vjen në Atdhe së bashku me Asdrenin, me një delegacion të kryesuar nga Pandeli Evangjeli, për të përkrahur vendosjen e Princ Vidit, si Mbret të Shqipërisë.
Ai vetë pati një jetë të trazuar. Erdhi dhe dy herë të tjera në Korçë, me një grup vullnetarësh për të luftuar kundra andartëve grekë, që kishin zaptuar Korçën dhe kishin vrarë priftin Ballamaçi. U bashkua me çetën e Mihal Gramenos, duke u bërë shkas të krijohej dhe një miqësi e shëndoshë familjare, të cilën miqësi, gratë e tyre, Niqi e Gramenos dhe Angjeliqia e Filipit, e vazhduan deri në fund të jetës së tyre. Edhe unë e mbaj mend Niqin e Mihal Gramenos, kur na vinte për vizitë, deri aty nga viti 1950.
Luftoi gjithashtu kundra bandave të Esat Pashës e të Haxhi Qamilit, duke e konsideruar lëvizjen e këtij të fundit, si anakronike e rikthim tek pushtimi turk. Në vitin 1919, thërret në atdhe familjen dhe së bashku vendosen në Elbasan, ku filloi të punojë si mjek, duke lënë një përshtypje shumë të mirë në popull, e duke i shërbyer me përkushtim atij, veçanërisht kur në Elbasan, u përhap epidemia e kolerës dhe e gripit spanjoll.
Vazhdon të shkruajë dhe më 1921, themelon me shpenzimet e veta gazetën “Shkumbini”, ku boton disa kryeartikuj kritikë shumë të fortë, kundër regjimit që po vendosej në Shqipëri. Këtë aktivitet patriotiko-demokratik, e vazhdoi deri në vitin 1924. Meqenëse klima e Elbasanit, ishte e papërshtatshme për familjen që ishte mësuar me klimën e thatë e të ftohtë të Bukureshtit, vendoset në Pogradec, e duke qenë nga natyra romantik, ndërton shtëpinë, m’u në bregun e Liqenit të Ohrit, por aq afër sa në dimër, kur frynte veriu, dallgët e liqenit, përplaseshin tek muret e shtëpisë.
Nga ana tjetër, disa duan të thonë, se një nga arsyet e largimit të Doktor Lipit nga Elbasani, ishte dhe intriga e kurdisur nga feudalët vendas (veçanërisht Verlaci), sikur Filipi, në vizitat e tija mjekësore, që bënte nëpër familjet, kishte vizituar dhe rënë në dashuri me atë, që konsiderohej në atë kohë, si gruaja më e bukur e Elbasanit. Ndërsa në të vërtetë, njerëz të afërm të familjes, e shpjegojnë në këtë mënyrë, arsyen e largimit të tij prej Elbasani. Gjatë kohës kur ushtroi profesionin e mjekut, në periudhën e kolerës dhe të gripit spanjoll, kishte fituar një sasi napolonash flori, të cilat ja la për t’ja ruajtur nuses së dajës, në shtëpinë e të cilës ishte vendosur.
Dhe tashti i sigurt, që kur të kthehej do të ndërtonte një shtëpi të vetën, u nis për të marrë familjen në Bukuresht. Nga nisja për në Rumani, përgatitja e familjes dhe kthimi në Shqipëri, kaluan pothuaj afërsisht gjashtë muaj. Me të ardhur në Elbasan, i kërkon nuses së dajës së tij, t’i kthejë napolonat për të ndërtuar shtëpinë, dhe për habi, ajo i thotë se paret u harxhuan, për të mbajtur shtëpinë. Filipi nuk e prishi terezinë, ngriti familjen dhe u vendos në Pogradec.
Me t’u larguar Filipi, daja i vet ndërtoi kafenenë më të madhe dhe më luksoze të qytetit. Kështu ishte pra, realiteti i largimit të tij nga Elbasani. Por nuk duhet te harrojmë se një nga shkaqet, ishin dhe kryeartikujt që botonte në gazetën e tij “Shkumbini”, si dhe tek aktiviteti i tij përparimtar, antifeudal e në favor të fshatarësisë.
Që prej asaj date, e deri sa vdiq më 1945, Filipi nuk shkeli më në Elbasanin e tij të dashur, të cilit i dedikoi dhe një poemë plot mall, me titull “Elbasani”. Kjo poemë, vazhdon akoma në ditët e sotme të kujtohet, të mësohet përmendësh dhe të recitohet në ambiente shoqërore apo familjare, si dhe në programet televizive.
Filipi që në rininë e tij në Rumani, ishte marrë me gazetari, kështu që i ishte krijuar pasioni i të shkruarit. Që në Bukuresht më 1913, boton poemën “Osman – Maria”, ku dy të rinj me fe të ndryshme, bien reciprokisht në dashuri. Këtë dëshirë ja plotësoi djali i dytë Bardhyli, i cili u martua me myslimanen Nexhibé, nga ku lindën tre djem, Ovidio, Iliri e Skënderi, duke kaluar një jetë shumë të lumtur së bashku.
Aty në breg të liqenit, sa herë që kishte kohë të lirë dhe kur i qëllonte të mos shkonte sa nga një fshat në tjetrin, për vizita mjekësore, për të kuruar të sëmurët, hipur në kalë (i vetmi mjet transporti) i mbështjellë me gunën e barinjve, me pushkë në krah e revole në brez, Filipi frymëzohej e shkruante vjersha e tregime, duke u renditur në shkrimtaret e Rilindjes Kombëtare, në fillim me pseudonimin “Rasa e bardhë” dhe më vonë deri sa vdiq, me pseudonimin “LIPI” (dhe me këtë emër njihet në letërsi ashtu siç është cilësuar dhe në F.E.SH.), ndërsa në popull e thërrisnin; “Doktor shurdhi”, për arsye se nuk dëgjonte mirë nga veshët.
Gjatë qëndrimit në Pogradec, njihet dhe miqësohet me Lasgush Poradecin, me të cilin bashkëpunoi derisa vdiq. Nga shkrimet e tij, mund të përmendim tregimet e gjata; “Pellazge, Vllaznim-Qytetnim” (1923), poemën “Ndreka” (1925), dramat “Moisi Golemi” (1928), “Bardhushi” (1930), “Fatbardhi” (1934). Për jetën e vështirë të vegjëlisë, shkroi tregimin e gjatë; “Proka dhe vepra të tjera” (1936), si dhe përmbledhjen poetike; “Elbasani” (1938) i influencuar aty-këtu, edhe nga stili i poetit të madh rumun, Eminescu. Në Elbasan, dikush këtë poemë e mësoi përmendesh, duke e recituar mbas darke në familje apo shoqëri.
Në lidhje me tregimin “Proka”, kemi gjetur një shënim nga shkrimtari elbasanas, Hyjni Ceka cituar në Enciklopedinë e personaliteteve elbasanase, me titull; “Në Panteon, drejt Panteonit 2000”, botuar nga “Silver 2000”, i cili na njofton se tregimi i sipër përmendur, është ekranizuar nga “Kosova Film”, ku fitoi çmimi në Festivalin e Kanës në Francë dhe u prit shumë mirë nga publiku evropian.
Filipi shkroi dhe tregime të shkurtra, veçanërisht atë me titull; “Kukudhi i Kavajës”, që u botua në vitin 1923, në gazetën “Shkumbini”, e që më vonë zuri vend në antologjitë e leximeve letrare, të shkollave 7-vjeçare. Ky tregim u ribotua më vonë, në “Antologjia e Tregimit Shqiptar – 1884-1939” (1986).
Në ambientin e asaj periudhe, pati një riperkusion edhe në shtypin e kohës, kur prefekti i Kavajës, mbasi lexoi tregimin, e duke kujtuar se po trajtohej një ngjarje e vërtetë që kishte ndodhur në qytetin e tij, protestoi energjikisht në shtypin lokal të kohës, mbasi sipas atij, pas hetimesh të kujdesshme që kishte urdhëruar të kryheshin, nuk i kishte rezultuar që kjo ngjarje të kishte ndodhur në Kavajë, por me siguri, që do të kishte ndodhur në ndonjë qytet tjetër, si p.sh. në Durrës.
Filipi nuk hoqi dorë nga mendimet përparimtare, duke ia ngulitur këto mendime dhe fëmijëve të tij, të dy djemtë e të cilit si Virxhili (Xhili) ashtu dhe Bardhyli (më revolucionari prej të dyve), dolën partizanë, për çlirimin e vendit. Në kulmin e luftës, më 1943, zgjidhet kryetar i të parës Këshillë Nacionalçlirimtare të qytetit dhe më vonë, kryetar i Këshillit të Rrethit të Pogradecit, duke u bërë shkak, që banda e Xhevat bej Starovës, t’ja vjedhin e t’ja djegin shtëpitë.
Për shkak të aktivitetit të tij të hershëm patriotik dhe atij letrar, si dhe lidhjet që kishte krijuar që në rini, me shokët e tij të fëmijërisë në Elbasan, pati një miqësi të ngushtë me të gjitha shtresat politike të vendit. Miqësi të veçantë, pati veçanërisht me Lef Nosin, edhe ky elbasanas, shok fëmijërie, i cili ndërhyri pranë komandaturës gjermane dhe ja shpëtoi të birin Virxhilin, që ndodhej në burgun e Selanikut, i kapur rob dhe i dënuar me pushkatim.
Gjithashtu ruajti miqësinë me Kryepeshkopin e Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisin dhe me kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Hafiz Musai, të cilët kur vdiq në mars 1945, e përcollën që të dy për në varreza, duke ecur njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë të arkivolit, duke bërë përshtypje shumë të madhe, pasi njerëzit pyesnin; “ky që vdiq, ishte kristian apo mysliman”?!
Ai ishte dhe mbeti vetëm “Shqiptar”.
Për “LIPIN”, elbasanasi Prof. Besim Qorri, ka botuar dhe një monografi mjaft të detajuar, me titullin; “Proka dhe vepra të tjera”, që u shit sapo doli në qarkullim e, që aktualisht nuk gjendet në asnjë librari.
Shkruante lirshëm, me fantazi dhe krahasime të goditura dhe me një stil që tashme konsiderohet si “naif”, duke patur kujdes veçanërisht rimën. Një ditë para se të vdiste, shkroi një vjershë lamtumire nga kjo botë, të cilën ja dorëzoi të nipit të tij Robertit, në atë kohë 15 vjeçar, të cilit i ishte bërë zakon që sapo dilte nga shkolla, të shkonte me vrap çdo pasdite dhe të qëndronte me orë të tëra, pranë krevatit të gjyshit, në Pavionin e XII-të të Spitalit Civil të Tiranës. Vjersha ruhet akoma ne dokumentet e familjes Cipo.
Një qen i zi
I zi sterrë
Si skëterrë
I math! sa një ari
N’oborr m’aulliu
Ktë gjak ç’m’a ngriu.
Një korb qyqar
m’erth n’oborr
mor i gjorë!!
Shtiu llahtar!!
Këndon, ç’këndon?
Mjerim lajmon.
Një tra kërcet
Shkak? Pa shkak!!
Derth helm n’gjak
Ky zan’i shkret
Plot tmer, trishtim
mbush shpirtin t’im.
Gjà s’përpërin
Dhoma varr;
Trupi zjarr
Nga frika ngrin
Qaj e vajtoj
Po vdes, po shkoj.
Një yll perëndon
Shokët lé
Bije përdhe
Udhën harron
N’errsin’u zhyt
U shojt, u mbyt …
“LIPI”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al