Presidenti amerikan, Joe Biden, në një deklaratë të shkurtër të dhënë ditën e sotme, tha se duhet të shmanget një luftë e gjithanshme në Lindjen e Mesme.
Duke folur me gazetarët në një bazë të forcave ajrore në Delaware, ai thotë se do të fliste me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por nuk tha se ku.
“Unë do t’ju them atë që do t’i them kur të flas me të,” u tha ai gazetarëve. Kur u pyet nëse është e mundur të shmanget një luftë e gjithanshme në Lindjen e Mesme, ai u përgjigj: “Duhet. Ne me të vërtetë duhet ta shmangim atë”.
Situata në Lindjen e Mesme ka qenë tejet e nxehtë gjatë së dielës, ku sipas deklaratave nga Izraeli, ushtria e tyre ka kryer sulme ajrore në shkallë të gjerë në Jemen, duke synuar ato që i quan objektiva ushtarake të regjimit terrorist Houthi.
Izraeli deklaroi se se termocentralet dhe një port u goditën në Ras Isa dhe Hudaydah. Sulmet erdhën pasi Izraeli kreu sulme në të gjithë Libanin dhe Hezbollahu hodhi raketa në veri të Izraelit.
Izraeli ka vazhduar gjithashtu sulmet në Dahieh, bastionin e Hezbollahut në Bejrutin jugor, ku u vra të premten udhëheqësi i Hezbollahut.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al