“S’kalojnë pagat”- Punonjësit e aeroportit të Vlorës dalin në protestë para kantierit të ndërtimit: Pezullim pune nëse s’kalojnë rrogat! Ja afati

Sep 18, 2024 | 10:06
SHPËRNDAJE

Punonjësit e aeroportit të Vlorës kanë bllokuar punën dhe kanë dalë në protestë mëngjesin e sotëm, duke pretenduar se nuk u kanë kaluar pagat.

MixCollage-18-Sep-2024-10-06-AM-3743

Ata kanë protestuar mëngjesin e kësaj të mërkure në hyrje të kantierit të ndërtimit pasi nuk iu janë dhënë pagat. Punonjësit pretendojnë se kanë disa muaj pa marrë rrogën dhe paralajmërojnë pezullim të punës nga ana e tyre.

Ndërkohë ata kanë pezulluar protestën pas negociatave me përgjegjësit e firmës, që iu kanë premtuar se deri të premten do t’u kalohen të gjitha pagat. Punonjësit kanë paralajmëruar se nëse premtimi nuk mbahet të premtën do të ketë pezullim të punimeve dhe protestë tjetër

“Drejtuesit duhet të dinë gjendjen që po kalojmë dhe mos ta marrin me të tallur. Nuk shtyhet më me fjalë, hë se do e rregullojmë, hë se do e rregullojmë, punëtorët nuk vijnë më në punë. Unë nuk bëj shaka, ti je autoritari ku ne të kërkojmë llogari ty dhe ti i kërkon llogari atyre më lart, ne duam një gjë të saktë për punën e pagesave”, u shpreh një nga protestuesit.

Komunikata e Aeroportit të Vlorës:

Në përgjigje të artikullit të publikuar së fundmi me titullin “Nuk na japin rrogat”/ Pezullohen punimet në aeroportin e Vlorës, punonjësit bllokojnë kantierin, dëshirojmë të sqarojmë dhe të informojmë publikun për situatën e vërtetë në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

Punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës po vijojnë plotësisht në normalitet dhe nuk ka pasur asnjë pezullim të tyre. Projekti vazhdon sipas planeve dhe afateve të përcaktuara, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës.

Disa mosmarrëveshje që kanë ndodhur janë të lidhura me një nënkontraktor specifik dhe një grup të vogël punonjësish të tij, të cilët kanë shprehur ca shqetësime në lidhje me pagat e tyre. Ky është një problem i izoluar mes nënkontraktorit dhe punonjësve të tij, dhe nuk ndikon në vijueshmërinë e përgjithshme të punimeve në kantierin e aeroportit.

Ne sigurojmë publikun dhe të gjithë aktorët e përfshirë që projekti i Aeroportit të Vlorës do të vazhdojë të ecë përpara sipas planit dhe që ne jemi të angazhuar për përfundimin e tij në kohë dhe në përputhje me standardet më të larta. Falënderojmë të gjithë për mirëkuptimin dhe ju ftojmë të mos ndikoheni nga lajme të pavërteta apo spekulative.

Për çdo pyetje shtesë, jeni të lutur të na kontaktoni në adresat tona zyrtare. Me respekt,

Vlora International Airport

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura