Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar në një intervistë për Berliner Zeitung se Bashkimi Evropian ka problem me besueshmërinë. Ai shprehet se derisa e ka njohur BE-në nga brenda, nuk ka qenë aq euroskeptik sa është sot.
“Kur fillova të zhvilloj negociata teknike me BE-në dhe kur njoha BE-në nga brenda, u bëra një euroskeptik. Figurat kryesore atje nuk janë të ndershëm. Ata nuk kanë një qëndrim të ndershëm kur bëhet fjalë për anëtarësimin,” tha Vulin në prag të samitit, i cili do të mbahet në dhjetëvjetorin e konferencës së parë të Ballkanit Perëndimor në Berlin.
Sipas tij, Serbia ka pritur njëmbëdhjetë vjet që BE-ja ta përmbushë premtimin e saj, të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe të formojë Asocacionin e Komunave Serbe.
I pyetur se pse Serbisë vazhdimisht i vendosen kushte që ajo nuk mund t’i përmbushë, Vulin tha: “Thjesht na thonë, ne nuk ju duam.”
“Ne e konsiderojmë BE-në si partnerin tonë, por nuk jemi plotësisht të sigurt se BE-ja gjithashtu na konsideron ne partner të saj. Presidenti rus, Vladimir Putin nuk na tha kurrë se Rusia do t’i përfundonte marrëdhëniet me Serbinë nëse ne i bashkoheshim BE-së ose nëse ne do të zhvillonin negociatat e anëtarësimit”, theksoi ai.
I pyetur nëse mund ta imagjinojë anëtarësimin në BE me kusht që Serbia të njohë Kosovën e pavarur, Vulin theksoi se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë.
“Është territori serb që na është vjedhur”, thotë Vulin.
Ai po ashtu ka kujtuar se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.
“Pra, kush i vendos kushtet? Vendet më të mëdha të BE-së? Administrata e Brukselit? BE-ja dhe Brukseli sillen sikur Kosova është një shtet i pavarur. E megjithatë askush nuk ka thënë pa mëdyshje: ‘Duhet ta njohësh Kosovën’. Atëherë ata duhet të jenë të sinqertë dhe të formulohet në mënyrë eksplicite. Pas kësaj, ne do të shohim se çfarë duhet të bëjmë më pas”, thotë Vulin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al