Skandal/ Zjarrfikësit e Ballshit shuajnë zjarrin me fshesa, sfurqe e lopata

Feb 1, 2017 | 20:22
SHPËRNDAJE

Zjarrfikësit e Ballshit i shuajnë zjarret me fshesa, kazma, lopata dhe sfurqe. 64 mijë banorët e Mallakastrës duhet ti “luten Zotit” për të mos rënë zjarr, pasi Reparti i Zjarrfikëses nuk ka automjete dhe as pajisje për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve.

thumbnail_7

Në qytetin e Ballshit ndodhet stacioni zjarrfikës, i cili edhe pse është i hapur 24 orë, ka mungesë stafi dhe infrastrukture. Ata nëpërmjet shatës dhe lopatës presin në pyll shkurre dhe ndërtojnë fshesa për të shuar zjarrin, ndërsa nëse zjarri bie në qytet, kërkojnë ndihmë nga policia dhe zjarrfikësja e uzinës së naftës që ndodhet në Ballsh.

Komandanti i stacionit Zjarrfikës Ballsh, Jonuz Murataj, shprehet për “Fiks Fare” se i vetmi automjet që ka ky stacion, prej një viti e gjysmë është jashtë funksioni. Ai sëbashku me punonjësit e tjerë në shumë raste kanë ndërhyrë me mjete rrethanore. “Automjeti i vetëm që ndodhet këtu është jashtë funksionit, është amortizuar totalisht, normale pasi ky është i viteve 60-70. Ne jemi munduar të ndërhymë me fshesa.

thumbnail_5

I kemi prerë shkurret e degët e pemëve në pyll me shatë e lopatë dhe kemi ndërtuar këto mjete rrethanore për të shuar zjarrin” shprehet ai. Godina e këtij stacioni është “pushtuar” nga lagështira. Muret mezi mbahen në këmbë edhe pse “heronjtë” e Zjarrfikëses në Ballsh kanë dhënë para nga pagat e tyre për ti mirëmbajtur.

“Kemi mungesë stafi. Dy punonjës janë në turn. Problem mbetet edhe godina. Ju e shihni vetë është copë-copë, muret me lagështirë edhe kaq e kemi mbajtur me zor, duke vënë para nga xhepi jonë. Që kur u shkëputëm nga Prefektura jemi zero. Na ndihmon stacioni i uzinës, por edhe ata janë një shërbim tetë oraresh, në shkelje me ligjin” shprehet Murataj. “Fiks Fare” i’u drejtua Bashkisë së Ballshit e cila që prej vitit 2015 ka në ngarkim këtë shërbim.

thumbnail_4 (1)

Kryetari i saj, Agron Kapllani, shpjegon se stacioni i është dorëzuar Bashkisë në këtë gjendje, por edhe kjo e fundit nuk është në gjendje ta mbuloj si shërbim, pasi nuk ka buxhet të mjaftueshëm. Megjithatë ai shpjegon se 12 milion lekë që janë caktuar për këtë shërbim mbulojnë vetëm stafin, ndërsa për infrastrukturën Bashkia duhet të gjej fonde për të blerë të paktën një makinë të përdorur por në gjendje pune.

“Ky shërbim duket sikur i është ngecur Bashkisë, pasi kjo e fundit nuk ka fonde për ta përballuar. Ne kemi vetëm 12 milion lekë për këtë vit, të cilat do shërbejnë për stafin, i cili do të shtohet në numër që të përputhet me kërkesat e ligjit. Përsa i përket infrastrukturës do mundohemi të blemë një makinë të përdorur, por në gjendje pune pasi këto janë kushtet tona s’kemi çfarë të bëjmë” përfundon Kapllani.

Zjarrëfikëset në mëshirë të fatit

thumbnail_3 (1)

Realiteti që të ofron shërbimi zjarrfikës sot është automjete të amortizuara të viteve 60-70, mungesë stafi, mungesë sistemi ndërlidhjeje, mungesë uniformash e pajisjesh të ndryshme. Vetë punonjësit për ta mbajtur në këmbë repartet e zjarrfikësve në qytete te ndryshme, kanë kontribuar me para nga paga e tyre.

“Fiks Fare” e ka ndjekur këtë problematikë edhe në institucionet e tjera vendimmarrëse. Aktualisht 38 stacione zjarrfikëse janë transferuar pranë bashkive. Shërbimi i zjarrfikëses dhe shpëtimit, i cili për shumë vite ka qenë në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2015 në kuadër të zbatimit të reformës administrative territoriale dhe Ligjit 139 të 2015 kaloi në varësi të Bashkive. Transferimi, i cili u krye në zbatim të urdhrit të kryeministrit me numër 127 i datës 16.9.2015, i cili e la përfundimisht këtë sektor kaq të rëndësishëm në duart e qeverisjes vendore.

Fiks Fare i’u drejtua Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale. Kjo e fundit, në një përgjigje për Fiksin, pranon se gjendja e mjeteve dhe pajisjeve te zjarrfikësve në Shqipëri është enë kufijtë minimale të gatishmërisë, pasi këto të fundit janë të amortizuara. Por kjo agjenci, thekson se ka qenë insistimi i kryetarëve të bashkive që ky shërbim të kalojë në administrim të pushtetit vendor, ndërkohë që për “Fiks Fare” drejtuesit e bashkive dhe të reparteve zjarrfikëse në Lezhë, Laç, Shkodër, Elbasan, Krujë Ballsh etj., tregojnë se nuk kanë fonde për ta menaxhuar këtë shërbim. Në buxhetin e vitit 2017 është parashikuar vetëm rritja e numrit të punonjësve të zjarrfikës, ndërkohë që shërbimi zjarrfikës sot ka nevojë për investime të menjëhershme në mjete dhe infrastrukturë. Edhe pse gjendja e shërbimit zjarrfikës në Shqipëri është në gjendje të mjerueshme, edhe pse Bashkitë nuk kanë fonde për të përballuar shpenzimet për këtë shërbim, Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale beson se transferimi i Zjarrfikësve pranë bashkive ishte veprimi i duhur! Por, në realitet, është e kundërta. Këto shërbime janë lënë në mëshirë të fatit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura