Skandali i mbetjeve, keqqeverisje, korrupsion apo të dyja?

Aug 29, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

zef_preciZEF PREÇI

Sipas një dokumenti të publikuar këto ditë në masmedia (shkresa nr. Protokolli 3732, datë 20.04.2022), ministrja e Turizmit dhe Mjedisit i ka lëshuar një subjekti privat Aktmiratimin e Licencës së kategorisë III2.B me objekt të aktivitetit të saj: “Transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”. Për sa kohë që dokumenti në fjalë nuk është hedhur poshtë nga ministria përgjegjëse, në opinionin publik merret e mirëqene vlefshmëria e tij dhe nisur nga aktet ligjore në fuqi të referuara në të, po i jap lirshmërinë vetes të komentojë duke ngritur edhe disa pyetje e pikëpyetje, me qëllimin e mirë që t’i kontribuojë debatit publik rreth çështjes nëse kemi të bëjmë me një skandal që rrjedh nga aktiviteti i paligjshëm (madje në nivel ndërkombëtar) apo është thjesht një problematikë marrëdhëniesh midis operatorëve privatë, siç u rrekën ta trajtonin publikisht dy anëtarë të kabinetit “Rama” këtë histori.

Në aspektin metodik, në vijim kam analizuar aktet ligjore, duke nxjerrë edhe referencat që kanë të bëjnë me rolin e operatorëve ekonomikë, që prodhojnë mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, si dhe të palëve të tjera të përfshira. Në mënyrë të përgjithshme, nga analiza e kuadrit ligjor në fuqi mund të arrihet edhe në disa përfundime paraprake. Sipas ligjit Nr. 10448, date “Për lejet e mjedisit”, ky institucion (Ministria e Mjedisit) duhej të kishte publikuar një raport vjetor për zbatimin e këtij ligji në vitin 2014 dhe prej asaj kohe çdo 3 vjet, dmth., të paktën edhe tri raporte të tjera.

Kjo çështje mbetet për t’u verifikuar, ndonëse duhet thënë se psh., në raportin e gjendjes së mjedisit të vitit 2021 flitet për mbetjet pa i ndarë ato në “të rrezikshme” dhe “të parrezikshme”, por nuk thuhet asnjë fjalë për mbetjet industriale si ato që krijon kompania turke “Kurum” dhe ndotës të tjerë në këtë sektor. Sipas të njëjtit ligj, aktiviteti i magazinimit të mbetjeve duke përfshirë zonën portuale dhe stacionet e transferimit të mbetjeve të rrezikshme, janë subjekt i licencimit nga organet shtetërore, dmth., nuk janë subjekt i veprimtarisë së zakonshme të çdo sipërmarrjeje në vend. Në këtë kuptim licencimi mendoj se duhej të ishin nënshtruar edhe subjektet prodhuese e depozituese të mbetjeve (si “Kurum” etj.,) ndërsa për transportin, tingëllon disi paradoksale që licencën se ka lëshuar Ministria e Mjedisit, ndërkohë që në Ligjin Nr. 10463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në kapitullin për transportuesit e mbetjeve përcaktohet se “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mjedisit, të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton rregullat për zbatimin e këtij neni (pika 3).

Mbi këtë bazë, unë mendoj se ministrja përgjegjëse për Turizmin dhe Mjedisin ka tejkaluar autoritetin e saj kushtetues, duke lëshuar e vetme aktmiratimin në fjalë. Dmth., ka marrë ato atribute ligjore që ligji i përcakton për Këshillin e Ministrave, ose të paktën duhej të kishte siguruar dakordësinë e dy anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar. Kjo për sa kohë që licenca është lëshuar me objekt: “Transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”, siç shkruhet shprehimisht në të. Në aktet juridike të përdorura si referenca për lëshimin e licencës në fjalë nga ministrja e Mjedisit janë dhënë edhe disa parashikime ligjore për detyrat që ligjvënësi i ngarkon Këshillit të Ministrave. Të tilla janë:

1. Miratimi, me propozimin e ministrit të katalogut të mbetjeve, duke përfshirë ato të rrezikshme. Nga një vështrim përciptë në kuadrin ligjor në uebsite të ndryshme rezulton se kjo detyrë është realizuar.

2. Për kontrollin e mbetjeve të rrezikshme, dmth., për krijimin, grumbullimin, transportin, magazinimin dhe trajtimin e tyre, kryhen vetëm në kushte që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, në përputhje me këtë ligj. Këto kushte përfshijnë masat që sigurojnë gjurmueshmërinë e mbetjeve që nga krijimi deri në destinacionin përfundimtar të tyre. Edhe kjo detyrë është parashikuar në ligj shprehimisht për Këshillin e Ministrave, i cili me propozimin e ministrit, miraton masa përkatëse, duke përfshirë sigurimin e gjurmueshmërisë nga krijimi i mbetjeve deri në destinacionin përfundimtar të tyre.

3. Duke njohur rëndësinë e gjurmueshmërisë, ligjvënësi ka parashikuar një numër kushtesh që lidhen me transportin e mbetjeve të rrezikshme, kushte që lidhen me mjetet që përdoren, me plotësimin e kërkesave të akteve ndërkombëtare përkatëse në të cilat vendi ynë është palë, apo që i ka transpozuar në legjislacionin e brendshëm, me detyrimin për regjistrimin paraprakisht për këtë qëllim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit etj..

4. Një grup më vete detyrash për Këshillimin e Ministrave janë edhe ato që lidhen me etiketimin e mbetjeve të rrezikshme. Kështu, ligji parashikon që edhe grumbullimi, transportimi dhe magazinimi në mënyrë të përkohshme të bëhej vetëm kur të ishte mundësuar etiketimi dhe ambalazhimi sipas ligjit. Për më tepër përcaktohej detyrimi Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për ambalazhimin dhe etiketimin e tyre.

5. Po kështu, sipas ligjit përkatës, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme, detyrimin për ruajtjen e dokumentacionit, depozitimin çdo tre muaj të informacionit mbi mbetjet e rrezikshme në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, etj..

6. Ndalimi i importeve dhe kalimeve tranzit të mbetjeve përbën një çështje tjetër të parashikuar në legjislacionin shqiptar (Neni 48 i ligjit Nr. 10463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve) jo vetëm për qëllime asgjësimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për qëllime ruajtjeje.

7. Kalimi transit i mbetjeve jo të rrezikshme apo të mbetjeve inerte përmes territorit të Republikës se Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi është i mundshëm vetëm me autorizim të ministrit. E njëjta gjë parashikohet në ligj edhe për eksportin e mbetjeve, dmth., lejohet vetëm me autorizim të lëshuar nga ministri përgjegjës për mjedisin. Është interesante të theksohet që sipas ligjit, ky autorizim (dokument i ndryshëm nga licenca që po analizojmë) është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në një vit dhe duhet të përmbajë të dhëna si lloji dhe sasia e mbetjes për të cilën lëshohet; standardet që lidhen me ambalazhimin e etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre; kërkesat për monitorimin dhe raportimin e transfertave të mbetjeve. Edhe kjo detyrë parashikohet në ligj si detyrim i Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

8. Një grup tjetër parashikimesh ligjore lidhen me statistikat e mbetjeve, duke ngarkuar Agjencinë Kombëtare e Mjedisit për mbajtjen dhe përditësimin e statistikat për krijimin, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve; detyrimin që Ministria e Mjedisit të përgatitë dhe publikojë çdo 3 vjet një raport për statistikat e mbetjeve, si dhe detyrimin që Këshilli i Ministrave të përcaktojë rregullat për statistikat e mbetjeve në vend.

E tani të kthehemi te skandali ndërkombëtar i mbetjeve në Portin e Durrësit. Pa marrë përsipër një trajtim shterues e në detaje rreth shkallës së përmbushjes së detyrimeve ligjore të qeverisë dhe të ministrisë përgjegjëse për mjedisin, i listova detyrat kryesore të tyre më sipër për të ardhur në përfundimin se përpara se të jetë një çështje e kompanive private, korruptuese apo të korruptuara qofshin ato, ky skandal është një çështje e mirëfilltë e moszbatimit të kuadrit ligjor në fuqi me të gjitha pasojat juridike, shëndetësore, ambientale, financiare, ndoshta edhe politike, e mbi të gjitha në dëm të jetës që ka shkaktuar. Si e tillë, ajo është çështje e qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse për mjedisin, të cilët duhet të marrin edhe përgjegjësitë përkatëse përballë Kushtetutës dhe ligjit. Ndërkaq, nisur nga deklarimet e këtyre ditëve të agjencive perëndimore që zotërojnë informacione të dorës së parë në lidhje me rolin e institucioneve shqiptare në kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme të vetat, nga rajoni apo edhe nga vende të Europës Perëndimore, mendoj se çështja duhet hetuar detyrimisht nga SPAK. Kurse përpjekjet për relativizimin e sforcuar të kësaj çështjeje duke e parë të lidhur thjesht me koncesionarin e huaj në Portin e Durrësit, vetëm me kompaninë turke “Kurum”, apo edhe me operatorë të tjerë ekonomikë e duke lënë jashtë hetimit vendimmarrjen dhe ligjzbatimin nga institucionet shtetërore, nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës, sado e hidhur që të jetë për politikanë e biznesmenë të caktuar, e mbi të gjitha, mbrojtjes së shëndetit dhe të jetës së qytetarëve shqiptarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura