Të gjitha linjat e internetit që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera do të zotërohen nga një firmë e vetme për 40 vjet.Gazeta zbulon urdhrin e firmosur nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, që i jep të drejtën monopol një firme të caktuar të kryejë lidhjet kufitare me fibra optike. Afera që monopolizon për katër dekada të gjithë tregun e internetit në vend, është urdhëruar dhe firmosur nga ministri Sokol Olldashi, me shkresën nr. 120, të datës 23.08.2010. Pa asnjë njoftim publik, pa asnjë konkurrencë (qoftë edhe fiktive), Olldashi i ka dhënë të drejtën shoqërisë “Albanian Telecommunications Union” për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike me përdorim ekskluziv. E thënë me pak fjalë, të gjitha linjat e interkonjeksionit me fibra optike, në të katër pikat kufitare të vendit do të jenë monopol. Pas urdhrit të Olldashit, firma “ATU” do të zotërojë të gjitha lidhjet e internetit të vend dhe do të jetë ajo që do të shesë me çmimin të cilin do ta përcaktojë ajo e vetme në treg, të gjithë shërbimin në vend. Pas këtij urdhri, situata në treg bëhet monopol dhe kuptohet që edhe çmimi i internetit bëhet monopol. E thënë më thjeshtë, shërbimi që marrin të gjitha bizneset, kompanitë, deri tek ai që lidh kompjuterët e familjeve shqiptare me internet, do të varet nga një kompani e vetme. Skandali bëhet më i madh po të kihet parasysh se Olldashi, për të vendosur këtë monopol, ka shkatërruar aktivitetin e katër kompanive që vepronin në këtë fushë. Të katra kompanitë, me urdhrin e Olldashit, kanë ndërprerë punën duke ia lënë të gjithë tregun kompanisë tjetër, që ministri e ka zgjedhur po me firmën e vet.
Historia
Një ndër mënyrat më të shpejta dhe të sigurta të lidhjes me internet është ajo me fibra optike. Katër kompani, në vitin 2009, kishin lidhur kontrata me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për përdorimin e rrugëve kombëtare, hapjen anësore të tyre dhe shtrimin e fibrave optike drejt pikave kufitare të vendit. Kjo për të pasur lidhje interkonjeksioni me shtetet fqinje për lidhjen me internet me fibra optike. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të kishte katër ofrues të mëdhenj të internetit. Por, më 9 dhjetor të vitit 2009, katër urdhra të ministrit Olldashi (nr. 150, 151, 152, 153) i fshijnë të katra kontratat respektivisht me firmat “Albanian Satelite Communication”, “Fiber Network Albania”, “Gener 2” dhe “Vëllezërit CINA”. Ministri, në shkresat e tij, i thotë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve që nuk është kompetencë e saj lidhja e këtyre kontratave. Në argumentet shtesë për anulimin e katër kontratave është edhe mungesa e konkurrencës në lidhjen e tyre. “Subjekti rezulton se është lejuar të ushtrojë veprimtari tregtare në fushën e komunikimeve në një fushë ku ligjvënësi ka garantuar, përmes ligjit, konkurrim mes subjekteve në treg të hapur”. Pra, sipas Olldashit, nuk duhet që Drejtoria e Rrugëve të jepte pa konkurrim këto katër të drejta për katër kompani që duan të shtrojnë fibra optike anës rrugëve kombëtare. Me këto argumente, katër urdhrat e Olldashit më 9 dhjetor të vitit 2009, i bëjnë nul katër kontratat e Drejtorisë së Rrugëve.
Superkontrata
Por, vetëm tetë muaj më vonë, një urdhër i po të njëjtit ministër, pa asnjë konkurrim, i jep të drejtën një firme tjetër të kryejë të njëjtat punime që po bënin katër firmat e anuluara. E drejta i jepet në mënyrë të habitshme për një periudhë 40-vjeçare dhe duke i garantuar monopol të plotë në treg. Urdhri i datës 23 gusht 2010 i jep të drejtën shoqërisë “Albanian Telecommunications Union” të përdorë të gjitha rrugët kombëtare për ndërtimin e rrjeteve me fibra optike për lidhjen e internetit. Urdhri i garanton firmës përdorimin e rrjetit për 20 vite me të drejtë rinovimi edhe për 20 vite të tjera, në mënyrë ekskluzive. Në nenin 16 të shtojcës së kontratës thuhet: “Kjo leje ka afat vlefshmërie prej 20 vitesh, duke filluar nga data e nënshkrimit të saj, por për shkak të vlerës së lartë të investimit dhe kostos së vetëshlyerjes së tij, ripërtërihet automatikisht për të një periudhë tjetër 20-vjeçare”. Pra, për 40 vite, firma, me urdhrin e Olldashit, nuk duhet të ketë konkurrentë të tjerë. Por nuk është ky i vetmi monopol dhe skandal në urdhrin e ministrit. Në kontratë specifikohen edhe kushte të tjera të frikshme për konkurrencën. Kështu, firma do të ndërtojë anës të gjitha rrugëve kombëtare 6 fibra optike. Nga këto, 2 janë të sajat dhe do të përdoren ekskluzivisht prej saj. Katër linjat e tjera do të tregtohen, por me kushte të vendosura nga ajo. Kështu, nëse një kompani tjetër do të dojë të përdorë fibrat optike, do të duhet të negociojë me firmën që i ka dhënë të drejtën Olldashi. Në kontratë ministri ka konfirmuar se “kur subjekti ‘ATU’ dhe subjekti tjetër, për një periudhë tremujore negocimi mes tyre, nuk bihen dakord për kushtet mes tyre, në çdo rast, negocimi është vetëm për çmimin, organi kompetent për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do të jetë gjykata”. Pra, i lejohet de facto e drejta e çmimit firmës edhe për katër linjat e tjera. Ose prano çmimin tim, ose shko në gjykatë. Në këtë mënyrë, më datë 23 gusht 2010, ministri i Transporteve ka vendosur monopolin për një afat minimalisht 40-vjeçar në përdorimin e fibrave optike dhe, rrjedhimisht, internetit në të gjithë vendin. Kompania në kontratë zotohet që do të kryejë një investim prej 40 milionë eurosh.
Çfarë fiton shteti
Nga e gjitha kjo superkontratë që do të çajë rrugët nga veriu në jug për gërmimin dhe vendosjen e fibrave optike, buxheti i shtetit fiton 4 për qind të xhiros së kompanisë. Edhe shifrën e pagesës vjetore e ka vendosur vetë ministri i Transporteve, pa asnjë dijeni të ministrit të Financave. Kaq ka menduar Ministria që nuk ka asnjë lidhje me Telekomunikacionin dhe Financat dhe kaq është vendosur për 40 vite me radhë pagesa për këtë shërbim monopol. Ministri, në dokumentin e lidhjes së kontratës, nuk ka asnjë mendim të AKEP-it, institucioni i miratuar nga Kuvendi për komunikimet. Më keq akoma, ndryshe nga Ministria e krijuar rishtazi pas vitit 2009, për Telekomunikacionet, kontrata, me urdhër të Olldashit, nuk merr parasysh asnjë mendim apo strategji që po kryhet nga kjo ministri. Paradoksale bëhet kontrata në pikën e fundit, ku thuhet se Ministria njofton Degën e Thesarit për lidhjen e kontratës. Kjo në mënyrë që kur buxhetit të shtetit t’i bëhet hyrje pagesa prej 4 përqindësh e xhiros, Ministria e Financave të mos habitet, por të jetë njoftuar më parë për këtë pagesë.
Pikat absurde të kontratës
1. Heqja e së drejtës që kishin katër kompani, konkurrente mes njëra tjetrës, dhe dhënia e së drejtës një kompanie të vetme dhe ekskluzive.
2. Lidhja e kontratës nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit pa pasur asnjë pikë ku të merret mendimi i AKEP, apo Ministrisë së Telekomunikacioneve.
3. Dhënia e së drejtës monopol prej 40 vitesh.
4. Ndarja e kapacitetit 2 linja për vete dhe katër për të tjerët.
5. Vendosja e çmimit të qirasë për katër linjat nga vetë kompania, ose në të kundërtën, gjyq në gjykatë. Në fushën e telekomunikacioneve, është AKEP që zgjidh mosmarrëveshjet, jo gjykata.
6. Vendosja e një tarife pagese vjetore pa dijeninë e Ministrisë së Financave, AKEP-it apo Ministrisë së Telekomunikacioneve.
Rruget qe do hapen
Tiranë-Vorë-Milot-Shkodër-Han i Hotit
Shkodër-Muriqan
Milot-Kukës-Morinë
Vorë-Durës-Rrogozhinë-Elbasan-Librazhd-Pogradec-Tushemisht-Përrenjas-Qaf-Thanë
Pogradec-Kapshticë
Rrogozhinë-Lushnjë-Fier-Vlorë
Fier-Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al