Ndue Marashi tregon në “STOP”, se në vitin 2010 ka humbur të shoqen Shpresa Marashi, për shkak të një mjekimi të gabuar. Ai thotë, se bashkëshortja ishte mjekuar në një spital privat për 2 muaj për infeksion nga mjeku gjinekolog Shkëlqim Balili. Por 6 muaj më vonë, ajo kishte ndërruar jetë, si pasojë e një tumori. Pas humbjes së njeriut të dashur, nis beteja me drejtësinë. Prokurorja Afërdita Ndou mban peng për 7 vjet dosjen e të ndjerës, edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, i japin të drejtë Ndue Marashit.
“Në momentin kur nusja ndjeu shqetësime u paraqit tek një klinikë private. Aty e merr për vizitë një doktor me emrin Shkëlqim Balili. Ai i thotë në prezencë edhe të motrës së nuses, se kjo nuk është një sëmundje serioze, por është infeksion. Për këtë i jep ilaçe për infeksion. I bën analizat dhe ato dalin negative, sipas kësaj klinike. Gjatë këtyre dy muajve që po merrte ilaçe, ajo vetëm po përkeqësohej. Doktori gjatë kësaj kohe ikën jashtë vendit dhe thotë kur të mbaroj ilaçet, do të caktojmë datën e operimit, në një kohë kur ai ende nuk kishte përcaktuar diagnozën. Ne u paraqitëm tek materniteti afër Stacionit të Trenit, ku takuam Elin Kurtin dhe ai na tha që ilaçet duhet të ndërpriten në mënyrë urgjente, sepse ato nuk ishin për këtë punë dhe sëmundja është më serioze. Më pas në një mënyrë shumë të shpejtë sëmundja filloi t’i përhapej në të gjithë trupin. Ajo pas gjashtë muajsh, pra në datën 9 mars të 2010 ndërron jetë.
Po Shkëlqim Balili çfarë ka thënë në momentin kur i keni kërkuar një shpjegim?
Doktori mbi të gjitha nuk u tregua fare njerëzor, sepse të paktën të thoshte “më falni”, por u tregua shumë arrogant. Gjatë gjithë kohës edhe përpara se të vdiste nusja, por edhe më pas edhe në prokurori dhe gjatë gjithë kohës është munduar dhe ka përdorur gjëra të pahijshme. Gjatë kësaj kohe prokuroria nuk po na jep rrugëzgjidhje, por vetëm po pengon hetimet.
Sa kohë ka që çështja është në Prokurorinë e Tiranës?
Po bën afërsisht shtatë vite, që endemi dyerve të gjykatave dhe të prokurorisë. Në momentin ku Afërdita Ndou pushoi çështjen kam bërë shkresë me shkrim prokurorit të rrethit që kjo çështje po zvarritet nga ana e saj. Kjo çështje nuk do të mbyllet asnjëherë, pa u vendos drejtësia në vend, për sa kohë ne të marrim frymë atë dosje nuk e lejojmë që ta mbulojë pluhuri.”
Ndërkohë avokatja Eda Grimci shpjegon procedurën që është ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve për dosjen e të ndjerës Marashi.
“Në vitin 2010 ka ndodhur vdekja e zonjës Shpresa Marashi dhe bashkëshorti i saj sëbashku me djalin e tij, i janë drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në muajin dhjetor të vitit 2011 dhe kanë bërë kallëzim penal për mjekim të pakujdesshëm kundrejt mjekut Shkëlqim Balili, i cili ishte mjeku që asokohe kishte ndjekur dhe kuruar gabimisht zonjën Marashi. Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor kjo dosje është mbajtur mbi një vit e gjysmë dhe pastaj Prokuroria e Rrethit Gjyqësor me një hetim sipërfaqësor ka marrë një vendim për mbylljen e hetimit dhe procedimit penal. Familja Marashi duke mos qenë dakord me këtë vendim të Prokurorisë në vitin 2013 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe mbas një hetimi që është bërë në këtë gjykatë, me të drejtë gjyqtari Gert Hoxha ka vendosur prishjen e vendimit të Prokurorisë duke ia lënë me detyra specifike prokurores së çështjes se hetimi ishte bërë sipërfaqësor dhe nuk ishin hetuar të gjitha rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së zonjës Marashi.”
Në fakt brenda kësaj dosje ka tre fakte të parevokueshme ku e fajësojnë mjekun e spitalit privat Shkëlqim Balilin. “STOP” nxjerr pikërisht tre faktet që prokurorja e çështjes Afërdita Ndoi, duket se nuk i ka marrë në konsideratë. Fakti i parë janë analizat që janë bërë në spitalin privat ku rezultati është negativ, pra nuk flitet për një sëmundje të keqe. Fakti i dytë është raporti mjeko – ligjor, i cili konstaton se në trajtimin e Shpresa Marashit vihen re elementë të mjekimit të pakujdesshëm në formën e neglizhencës mjekësore të konstatuara këto në fazën e diagnostikimit të saj dhe konsistojnë në moskryerjen e disa ekzaminimeve të domosdoshme për zbulimin e kësaj sëmundje. Fakti i tretë janë deklaratat që ka dhënë vetë drejtori i spitalit privat për prokuroren e çështjes zonja Ndou ku saktësisht thuhet: “Nga deklarimi i shtetasit Viktor Qereshniku ka rezultuar se pacientja Shpresa Marashi është paraqitur tek ai me datë 23.05.2009. Pasi ka dëgjuar ankesat e saj e ka shoqëruar tek mjeku gjinekolog Shkëlqim Balili, të cilit i ka thënë që ta vizitonte pasi ishte e njohura e tij. Vizitat dhe kontrollet e mëtejshme janë bërë pa praninë e tij.
Nga rikontrolli Shkëlqimi pretendon se i kishte thënë pacientes se nga Shtatori duhej të operohej, por pa i treguar arsyen e kësaj ndërhyrje. Shkëlqimi ka mohuar të ketë bërë ndërhyrje apo prerje me gërshërë tek mitra e pacientes, por ka sqaruar se për të marrë pab-testin ka marrë material nga qafa e mitrës dhe për rrjedhojë ka patur gjakderdhje. Duke qenë se ky veprim nuk duhej të kryhej në prani të familjares dhe faktin se pse nuk u ka komunikuar familjarëve dyshimet për patologji malinje është këshilluar Shkëlqimi, që nuk duhej të kryente një veprim të tillë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al