Mijëra profesionistë në Shqipëri vijojnë ende të punojnë, ndonëse mbushin moshën dhe kanë vitet e punës për të përfituar pension pleqërie, zgjedhin ende të punojnë, duke derdhur kontribute.
Këta persona, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka vendosur t’i shpërblejë në fund të periudhës që ata munden të punojnë. Këtë e realizon përmes një skeme, e cila iu rrit masën e pensionit në momentin që ata vendosin të shkëpusin marrëdhënien e punës dhe të dalin në pension. Neni 33 i ligjit për sigurimet shoqërore iu njeh çdo vit pune duke ua baraspeshuar me 6% në vit mbi vlerën mujore që iu takon të përfitojnë. “I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie sipas nenit 92 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute.
Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”, – përcaktohet në ligj. Por, që të përfitohet shtesa, ka kushte. Ligji kërkon që ata të heqin dorë nga pensioni në momentin që mbushin moshën dhe të trajtohen vetëm me pagë. Shpërblimi vjen më vonë.
Një tjetër bonus janë rritjet dhe indeksimet e përvitshme, nga të cilat, pensionistët që punojnë nuk penalizohen. Rritja reflektohet në masën finale të përfitimit mujor, kurdo që ata vendosin të ndërpresin kontratën e punës. Ato që nuk njihen për efekt pensioni janë kontributet e derdhura pasi është mbushur mosha e daljes në pension. Vlen të theksohet se rritja nuk aplikohet vetëm në ato raste kur pensionistët zgjedhin që në të njëjtën kohë të marrin edhe pagën, edhe pensionin. Ndërkohë që në asnjë rast ata nuk janë të zhveshur nga detyrimi për të derdhur kontributet si çdo i punësuar tjetër.
LLOGARITJA, SHEMBULL
Këtë vit, mosha e daljes në pension për burrat është 65 vjeç, ndërsa për gratë 61 vjeç e 10 muaj. Por nëse do të ketë nga ata, të cilët nuk do të dorëzojnë librezën e punës në ISSH duke zgjatur kontratën e punës, atëherë përfitimi do të jetë më i lartë. Për ta bërë më të thjeshtë, një mësues që del këtë vit në pension, nëse nuk do të shkëpusë kontratën e punës për të paktën tri vite të tjera, në fund të kësaj periudhe përfiton 18% shtesë mbi masën e pensionit.
Kjo sepse çdo vit masa e përfitimit që i është caktuar mbi bazën e viteve kontributeve do të rritet me 6 për qind. Ose një ekonomiste e cila vendos të dalë në pension në moshën 66-vjeçare, pra që do të punojë edhe 5 vite të tjera, atëherë shtesa që do të marrë do të jetë 30 për qind mbi masën e pensionit. Llogaria është e thjeshtë. Sa më shumë vite pune mbi moshën e daljes në pension, aq më i lartë përfitimi. Derdhja e kontributeve nga ana e pensionistëve që vijojnë të jenë pjesë e tregut të punës ka qenë herë pas herë objekt diskutimi, por çdo nismë e ndërmarrë ka mbetur sirtarëve pa mundur të zyrtarizohet.
E fundit ishte në 2018, ku përmes një drafti për disa ndryshime në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, të hedhur për konsultim, propozohej që pensionistët të përfitonin në të njëjtën kohë edhe pagën, edhe pensionin, ndërsa në momentin që shkëputej kontrata, të aplikohej një shtesë me 2.4 për qind për çdo vit pune, të kryer pasi ishte mbushur mosha e daljes në pension. Përmes kësaj skeme, justifikohej deri diku pagesa kontributeve. Por ky draft, edhe pse u mirëprit nga ekspertët, nuk kaloi për miratim.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al