Baba e bir janë vendosur në pranga nga policia pasi iu gjetën 56 kg drogë në kamion në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Sipas informacioneve, mësohet se droga e gjetur në kamion kishte destinacion Greqinë dhe më pas Turqinë.
Baba e bir, Dashmir Hamazaraj (pasagjer në mjet) dhe Amanti Hamazaraj (shofer), nga Tirana, kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për sasinë e drogës të gjetur në kamion.
Sipas burimeve nga policia, kamioni u fut në skaner sipas procedurave dhe u konstatua lënda narkotike e fshehur në rimorkio brenda 45 shufrave metalike të montuara në pjesën e tavanit.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në bashkëpunim me DVKM Korçë, operacioni i koduar “Shufrat”, për goditjen e një rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 56 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, kamioni ku ishte fshehur lënda narkotike dhe 1300 euro.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit: D. H., 68 vjeç dhe A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë (babë e bir).
Në PKK Kapështicë, në dalje të RSh-së, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion me drejtues shtetasin A. H dhe pasagjer shtetasin D. H. Gjatë kontrollit, në pjesën e tavanit të rimorkios së kamionit u konstatuan të montuara 44 shufra metalike, në të cilat ishin fshehur sasi lënde narkotike cannabis sativa, me peshë totale 56 kilogramë.
Në vijim të veprimeve procedurale u shpall në kërkim shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet si posedues i lëndës narkotike dhe bashkëpunëtor në trafikimin e saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al