Sot 75 vjetori i themelimit të NATO-s, Berisha: Kombet anëtare i detyrohen Aleancës, paqen më të gjatë në historinë e tyre

Apr 4, 2024 | 18:03
SHPËRNDAJE

Sali Berisha, lideri i opozitës, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se sot kombet e vendeve anëtare kremtojnë 75 vjetorin e themelimit më 4 prill të vitit 1949 në Washington të Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, aleancës politike ushtarake më të fuqishme të të gjitha kohërave.

Berisha

Berisha shkruan se ne këtë 75 vjetor Shqiperia kremton gjithashtu 15 vjetorin e anëtaresimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut si mrekullinë më të madhe të lirisë pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Postimi nga lideri i opozitës

Sot  75 vjetori themelimit te Aleancës se Atlantikut të Veriut.

Sot kombet e vendeve anëtare kremtojnë 75 vjetorin e themelimit më 4 prill të vitit 1949 në Ëashington të Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, aleancës politike ushtarake më të fuqishme të të gjitha kohërave. Presidenti i ShBA Truman në një mrekulli të vërtetë i udhëhequr nga ideja për garantimin e një sigurie kolektive të kombeve të lira të hapsirës euroatlantike dhe frenimin e ekspansionit komunist ftoi 75 vite më parë përfaqësuesit e tyre të firmosin Traktatin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Aleanca e Atlantikut të Veriut do shndërrohej në mburojën më të fuqishme të lirisë së qytetërimit perendimor kundër përhapjes së komunizmit dhe garantuesin kryesor të zhvillimit dhe prosperimit në paqe të vendeve të lira anëtare të saj.

NATO do të ishte dhe njëri nga faktorët madhor  të shembjes së murit të Berlinit dhe falimentimit të sistemit komunist.

Kombet anëtare të saj i detyrohen NATO-s paqen më të gjatë në historinë e tyre.

Aleanca e Atlantikut të Veriut përsëri pas rënies së perdes së hekurt do zgjidhte të bënte një mrekulli të dytë, atë të afrimit, partneritetit dhe anëtarësimit të kombeve të cilat i kishte ndarë perdja e hekurt dhe një luftë të ftohtë e eger për 45 vite.

Rënia e murit të Berlinit hodhi bazat e kësaj mrekullie të dytë të NATO-s. Pas kësaj ngjarje pati debate të shumta për fatin e NATO-s, por dy shtetarë të mëdhenj të kohës me vizion të qartë, luajtën rolin më përcaktues për të ardhmen e NATO-s. Kancelari Helmut Kohl që punoi për bashkimin paqësor në liri të kombit dhe vendit të tij në një shtet të vetëm, por për një Gjermani anëtare e NATO-s dhe BE dhe Presidenti i SHBA George H. Bush i cili në dallim nga udhëheqësit e tjerë të kohës e mirëpriti bashkimin e Gjermanisë si fitore të lirisë. Ky burrë i madh i kombit amerikan konsideroi një Gjermani të bashkuar anëtare të NATO-s dhe të Komunitetit Europian si një zhvillim historik për NATO-n dhe mbarë Europën.

Ne fakt Gjermania e bashkuar dhe në NATO do të hapte rrugën edhe për vendet e tjera që vinin nga ana tjetër e perdes së hekurt.

Ne këtë 75 vjetor Shqiperia kremton gjithashtu 15 vjetorin e anëtaresimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut si mrekullinë më të madhe të lirisë pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Sot Aleanca e Atlantikut të Veriut nën udhëheqjen e SHBA është më e fuqishme se kurrë. Ajo ka në gjirin e saj 32 anëtarë nga 12 që kishte në themelimin e saj. Këto dy vitet e fundit NATO u përball me agresionin barbar rus kundër Ukrainës, një vendi të lirë e të pavarur në kufijt e saj. Qendrimi politik i NATO-s dhe mbështetja e fuqishme që Aleanca i dha Ukrainës ishin të një rëndësie parësore në deshtimin e projekteve imperiale te Putinit.

Zoti e bekoftë NATO-n, kombet dhe vendet anëtare! #sb

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura