Sot Amerika voton dhe duket se gjithë bota po pret me kërshëri emrin e fituesit që do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Votimet mbyllen sot në mbrëmje, por gjasat janë që ne nuk mund të dimë se kush nga kandidatët, Donald Trump apo Kamala Harris ka fituar, edhe pas disa ditësh zgjedhje. Gara në zgjedhjet elektorale në SHBA është shumë e ngushtë. Të dy kandidatët po bëjnë fushatë për çdo votë dhe kanë vendosur që të zhvillojnë aktivitete në shtetet më të rëndësishme që pritet të vendosin fatin e zgjedhjeve. Donald Trump ka nisur të pretendojë se demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Nga ana tjetër u tha mbështetësve të vet në një miting në Xhorxhia të dielën se është drejt rrugës për të fituar. Ndërsa Kamala Harris, e cila shpesh ka qenë shumë kritike me Trump, ka ndalur së përmenduri emrin e tij pasi thotë se do ta përmbyllë fushatën me nota pozitive.
Beteja e ashpër dhe agresive për Shtëpinë e Bardhë, me dy kandidatët që kanë dhënë një pikturë të zezë për atë që mund t’i ndodhë Amerikës nëse fiton kundërshtari, do të përfundojë me dy mitingje që do të mbahen në shtetin më të madh të lëkundur (pra që mund të ndikojë në fatin e zgjedhjeve). Bëhet fjalë për Pensilvaninë. Ky shtet është “çmimi i madh” mes shteteve të lëkundura me 19 vota elektorale. Nëse Kamala Harris mund të fitojë Pensilvaninë plus një nga shtetet mes Uiskonsin dhe Miçiganit, detyron Trump që të fitojë pastër në të gjitha shtetet e tjera nëse do të marrë presidencën. Me Pensilvaninë, ajo mund t’i kalojë 270 votat elektorale (të nevojshme për të fituar garën). Tanimë 75 milionë qytetarë kanë votuar që do të thotë se gara po zhvillohet për ata që nuk kanë vendosur ende. Por kjo shifër e votuesve deri në këtë moment është shumë e lartë pasi është sa gjysma e atyre që votuan në total në zgjedhjet e vitit 2020.
ORËT E FUNDIT TË FUSHATËS
Donald Trump dhe Kamala Harris po luftojnë për çdo votë në ditën e fundit të fushatës për presidencialet e 5 nëntorit. Mes takimeve intensive me zgjedhësit, kandidatja demokrate premtoi se do të angazhohet për të zgjidhur një çështje globale me ndjeshmëri të lartë mes zgjedhësve amerikanë. “Si presidente, do të bëj gjithçka kam në dorë për t’i dhënë fund luftës në Gaza”.
Ndërsa rivali i saj republikan hodhi sërish dyshime se demokratët po përpiqen që të manipulojnë rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo është e dukshme që me rezultatet e sondazheve si në rastin e Iowa, një bastion i republikanëve ku të dielën, Harris rezultonte në krye. “Ata nxorën një sondazh të rremë. Mendoni, pikërisht para zgjedhjeve unë qenkam 3 pikë më poshtë. Unë nuk jam në disavantazh në Iowa… Ky është një vend i kërrusur, por ne do ta drejtojmë. Deri më tani në zgjedhjet e hershme kanë votuar mbi 75 milionë zgjedhës, gati gjysma e votuesve të presidencialeve të 2020-ës kur pjesëmarrja shënoi rekordin e dy dekadave.
ZGJEDHJET E 60-TA PRESIDENCIALE
Zgjedhjet e 60-ta presidenciale të SHBA-së do të vendosin presidentin e 47-të – që konsiderohet gjerësisht si njeriu më i fuqishëm në botë dhe zëvendëspresidentin e 50-të. Kandidatët dhe mbështetësit e tyre po i përshkruajnë zgjedhjet e 5 nëntorit si më të rëndësishmet e jetës së tyre, me demokracinë dhe mënyrën e jetesës amerikane në rrezik. Shuma rekord parash janë mbledhur dhe shpenzuar për reklama të fushatës dhe takime në terren. Mbulimi mediatik në shtyp, në TV, në internet dhe në podkaste nuk ka qenë kurrë më intensiv – apo më i polarizuar. Në zgjedhje janë 34 nga 100 vendet në Senat. Do të zhvillohen 13 guvernata shtetërore dhe territoriale dhe shumë zgjedhje të tjera shtetërore dhe lokale. Votuesit në 41 shtete do të marrin në konsideratë gjithsej 159 nisma të fletëvotimeve. Dhjetë shtete, përfshirë Arizonën, Koloradon dhe Floridën, kanë masa të lidhura me abortin në fletëvotim.
Florida, Dakota e Veriut dhe Dakota e Jugut po shqyrtojnë nëse do të legalizojnë marijuanën. Nuk ka më kuptim të flasim vetëm për “ditën e zgjedhjeve”. Dhjetëra miliona njerëz kanë votuar herët me postë ose personalisht, duke shmangur kështu radhët e gjata, motin e mundshëm të keq ose shqetësime të tjera. Dita e parë e votimit të parakohshëm të Xhorxhias vendosi rekord, sipas zyrtarëve shtetërorë, ndërsa më shumë se 97,000 votuan ditën e parë në Wisconsin. Demokratët inkurajuan njerëzit të votojnë me postë në 2020 për të shmangur ekspozimin ndaj Covid-19 gjatë pandemisë dhe bënë beteja ligjore për të zgjeruar votimin në mungesë. Trump, në të kundërt, pretendoi se praktika ishte e mbushur me mashtrime, megjithëse republikanët që atëherë kanë ndryshuar mesazhet e tyre dhe e kanë përqafuar gjithnjë e më shumë votimin me postë. Me përjashtim të Alabama, Mississippi dhe New Hampshire, të gjitha shtetet u japin votuesve mundësinë të hedhin një votim personalisht në një vendvotim përpara ditës së zgjedhjeve, sipas Konferencës Kombëtare të Legjislaturës Shtetërore.
Shumica e shteteve fillojnë numërimin e atyre fletëvotimeve në ditën e zgjedhjeve dhe disa kërkojnë që zyrtarët të presin derisa të mbyllen qendrat e votimit për të filluar numërimin. Disa shtete ofrojnë një version të votimit të hershëm të quajtur votim “në mungesë personalisht”, në të cilin një votues mund të marrë dhe të dorëzojë një fletëvotim në mungesë personalisht në një vendvotim përpara ditës së zgjedhjeve. Shumica e shteteve ofrojnë një formë të votimit në mungesë, në të cilën një votues kërkon një fletëvotim paraprakisht dhe e kthen atë me postë. Disa u ofrojnë votuesve mundësinë e kthimit të fletëve të votimit në mungesë në një kuti të sigurt. Tetë shtete praktikojnë zgjedhje “me postë” në të cilat të gjithë votuesit e regjistruar marrin një fletëvotim me postë, pavarësisht nëse planifikojnë ta përdorin atë. Shumica e shteteve i lejojnë zyrtarët të përpunojnë menjëherë fletëvotimet në mungesë, por disa u kërkojnë atyre të presin deri në ditën e zgjedhjeve për të filluar përpunimin e fletëvotimeve – gjë që mund të ngadalësojë publikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Në ditën e zgjedhjeve, që është 5 nëntori i këtij viti, të gjithë të tjerët shkojnë në qendrat e votimit për të votuar. Pasi numërohen fletëvotimet, rezultatet fillojnë të publikohen./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al