“Sot historia e partisë në pushtet që orienton drejtësinë ka marrë fund”- Rama nga New York: Pandëshkueshmëria ka marrë goditje vdekjeprurëse

Oct 26, 2024 | 18:06
SHPËRNDAJE

Gjatë fjalës së tij në takimin e shqiptarët e SHBA-ve në New York, kryeministri Rama tha se historia kur drejtësia orientohej nga politika ka mbaruar.

iiiiiiiiiii

Edi Rama tha se pandëshkueshmëria ka marrë tani më goditej vdekjeprurëse dhe se drejtësia po i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë, edhe ata që janë të veshur me uniformën e pushtetit.

Edi Rama: Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon dhe orienton drejtësinë ka marrë fund, e unë jam krenar që me votën e shqiptarëve ne, Partia Socialiste në pushtet, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, përpara se sa të hynte në Bashkimin Europian, e lëre pastaj nga vendet e rajonit tonë, ku ende nuk ka ndodhur ajo që po ndodh në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria po merr edhe vlerësimet maksimale dhe mbështetjen maksimalke të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.

Unë Jam krenar që me largpamësi, kurajo dhe vullnet të hekurt, ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri, qysh nga 1912 nuk e bëri dot, i hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve, që drejtësia e re po jep edhe në vetë radhët tona, ku askush nuk është më i paprekshëm dhe ku cilido që kërkohet nga drejtësia nuk merr asnjë mbrojtje politike nga ne. Ky është investimi më i madh politik i Partisë Socialiste të shekullit të ri dhe kjo është shprehja më shembullore e besnikërisë sonë ndaj zgjedhësve që na votuan tre herë rresht dhe do të na votojnë përsëri, për ta bërë Shqipërinë një shtet europian të së drejtës në Bashkimin Europian, ku barazia para ligjit vlen njësoj, si për qytetarin e zakonshëm, si për kryeministrin e vendit.

Ju mbase edhe më shumë se sa shqiptarët në Shqipëri, i ndiqni me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, e me siguri lexoni, shihni dhe dëgjoni edhe se sa shumë përpjekje bëhen përmes kanaleve mediatike, për t’ju bindur ose se reforma në drejtësi është një bllof i qeverisë për të goditur kundërshtarët politikë përmes organeve të reja të drejtësisë, ose ekstremi tjetër, se reformën në drejtësi e bëri Amerika dhe goditjet e shumëpritura nga opinioni i gjerë publik, të të korruptuarve të paprekshëm në Shqipëri po i bën Amerika. Po Amerika aty ishte edhe përpara ardhjes sonë në qeveri dhe fuqinë e saj në Shqipëri, Amerika  e kishte po aq të madhe sa ç’e ka.

Amerika aty është edhe në vendet e tjera të rajonit, ato që janë në NATO apo ato duan të hyjnë në NATO.

Si ka mundësi që nuk e solli më parë Amerika këtë peshqesh të madh për shqiptarët që e kërkonin drejtësinë edhe më parë, por jetonin nën thundrën e një drejtësie të korruptuar e të nënshtruar kokë e këmbë ndaj pushtetit politik? Po pse nuk e bëri Amerika xhanëm në ndonjë vend tjetër të rajonit, këtë reformë kaq rrënjësore, e cila fshiu me një fshesë të hekurt një masë të madhe gjykatësish e prokurorësh të korruptuar në Shqipëri, duke i hapur rrugë krijimit të organeve të reja të drejtësisë, që po nxjerrin ujin e zi të korrupsionit nga pusetat deri dje të mbyllura me peshën e rëndë të pushtetit politik e të vetë korrupsionit në pushtet?!

Për të gjithë ata që duan ta shohin e ta dëgjojnë të vërtetën, e për çdokënd që do ta kuptojë drejt atë që ka ndodhur gjatë kësaj dekade të qeverisjes sonë, e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë.

Ajo është e shkruar fillimisht në programin elektoral të Partisë sonë për zgjedhjet e mandatit tonë të parë, ku Reforma në Drejtësi ishte e shënuar si angazhim prioritar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura