Sot seancë plenare! Nga interpelanca e Bardhit me Ramën te shqyrtimi i mandatit të Olta Xhaçkës, zbardhet rendi i ditës

Sep 12, 2024 | 7:27
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet ditën e sotme në orën 10:00, në seancën e dytë plenare që me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

kuvendi

Sipas rendit të ditës, seanca do të nis fillimisht më një interpelancë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD, Gazment Bardhi, kërkuar nga ky i fundit.

Interpelanca mësohet se ka të bëjë me dyshimet për transportin e mbetjeve të rrezikshme, toksike, të nisura nga Porti i Durrësit, drejt Kinës dhe Tajlandës.

Po ashtu, në rend dite është parashikuar dhe një interpelancë me zv.kryeministren Belinda Balluku, e kërkuar nga një grup deputetësh të PD, për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar dhe aksin “Rruga e Kombit”, në lidhje me bllokimin e aksesit të qytetarëve që banojnë në zonat pranë.

Një pikë tjetër e rëndësishme e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i mandatit të Olta Xhaçkës, për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit.

Rendi i ditës

PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE, DATË 12.9.2024, ORA 10:00

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve për periudhën 2 shtator 20 shtator 2024,

URDHEROJ:

1. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.9.2024, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.9.2024.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin, zotin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi.

4. Interpelancë urgjente me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, zonjën Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

5. Akti normativ nr. 2, datë 1.8.2024, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 123/2014 “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.

6. Akti normativ nr. 3, datë 28.8.2024, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.

7. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi) për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë.

8. Projektligji “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave
të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të
Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride”.

9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”, të ndryshuar.

10. Projektligji “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

11. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike”.

12. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”.

13. Projektvendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

kuvendi rendi i dites 12 shtator 2024 (1)

kuvendi rendi i dites 12 shtator 2024 (2)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura