Rrugën drejt Serisë A e kanë hapur Naim Kryeziu dhe Riza Lushta, e vijuan me shumë lavdi Erjon Bogdani e Igli Tare, por kujt mund t’ia merrte mendja se në vitin 2023 do të luanin 13 futbollistë shqiptarë në Serinë A, një nga kampionatet më të forta në botë dhe janë aq shumë, sa pa problem fare mund të formosh një formacion startues.
Nga Hysaj, i cili po u afrohet 300 ndeshjeve në Serinë A dhe deri te Ramadani, Çuni dhe Shpendi që bënë debutimin këtë fundjavë.
MBROJTJA- Dy kapitenët e ekipit kombëtar, Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj, janë prej vitesh pjesë e Serisë A. Portieri aktualisht te Torino, por më parë ka mbrojtur kuadratin e Lacios, Atalantës dhe SPAL-it. Gjithsej numëron 149 ndeshje në elitë. Numra të tjerë për Elseid Hysajn, i cili mban edhe rekordin nga futbollistë shqiptarë, ku regjistron 277 ndeshje në Serinë A me dy ekipe, Napolin fillimisht dhe Lacion tani.
Pjesë e rëndësishme e Kombëtares janë edhe Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla. I pari, pjesë e Atalantës dhe titullar në shumicën e sezoneve. Gjimshiti ka luajtur vetëm me bergamaskët në Itali që nga ardhja e tij prej kampionatit zviceran. 180 ndeshje në Serinë A dhe 49 me Kombëtaren për mbrojtësin. Ismajli mbërriti në elitën italiane në vitin 2020, kur u transferua nga Hajduk Spliti. Mbrojtësi 26-vjeçar i Empolit do të luajë sezonin e katërt në Serinë A dhe deri tani ka arritur numrin e 63 paraqitjeve.
Në elitën italiane gjen edhe Kastriot Dermakun, mbrojtësin shtatlartë që kontribuoi në Kombëtare kur në drejtim ishte Edi Reja. Dëmtimet e shpeshta kanë bërë që 31-vjeçari të mos marrë shumë minuta. Aktualisht është pjesë e Leçes dhe numëron vetëm 19 ndeshje në Serinë A, ku shumicën i ka me skuadrën e Parmës dy sezone me parë. I fundit në repartin e mbrojtjes është Serxho Kalaj. Mbrojtësi i qendrës nuk ka debutuar ende në Serinë A me Frozinonen për shkak të një dëmtimi, por në vazhdim pritet të jetë një i ri, i cili mund të ndihmojë skuadrën e tij për të mbijetuar mes më të mirave. Ai është pjesë e ekipeve kombëtare, teksa ka 7 ndeshje me Shqipërinë U-21.
MESFUSHA- Te skuadra e Leçes këtë sezon gjejmë edhe dy shqiptarë të tjerë. Ylber Ramadani bëri debutimin e tij këtë fundjavë në Serinë A, me një paraqitje të shkëlqyer në fitoren 2-1 ndaj Lacios. 27- vjeçari shihet si një nga lojtarët kyç në skuadrën e tij dhe me formën e mirë që ka treguar në vitet e fundit, është bërë edhe pjesë e rëndësishme e ekipit kombëtar. Një tjetër talent shqiptar pritet të debutojë nga ndeshja në ndeshje në një ndër kampionatet më të forta në botë. Medon Berisha kaloi nga të rinjtë e Leçes ku u shpall kampion dhe mbante shiritin e kapitenit, në ekipin e parë ku do të konkurrojë për të gjetur hapësira.
Kristjan Asllani është shqiptari tjetër që militon në Serinë A. Mesfushori pati një rritje të shpejtë dhe nga të rinjtë e Empolit vitin e shkuar, kaloi në ekipin e parë dhe pasi dalloi me paraqitjet e tij, Interi investoi dhe e bleu 21-vjeçarin për 14.5 milionë euro. Në një moshë të re, Asllani numëron deri tani 43 ndeshje në elitë, edhe pse te zikaltrit minutat kanë qenë të reduktuara, kjo për shkak edhe të konkurrencës së madhe. Nedim Bajrami ka luajtur 73 ndeshje në Serinë A, edhe pse ishte një nga kontribuuesit kryesorë të Empolit gjatë ngjitjes në elitë. Pas një sezoni e gjysmë, fantazisti kuqezi u transferua te Sasuolo për 6 milionë euro.
SULMI- Ndërsa më parë Igli Tare dhe Erjon Bogdani ishin dy sulmues që shënonin në Serinë A, aktualisht Marvin Çuni dhe Stiven Shpendi janë dy shqiptarët që luajnë në këtë pozicion.
Të dy këtë fundjavë bënë debutimin, me Frozinonen dhe Empolin. Çuni, 22-vjeçari që ka dalë nga akademia e Bajernit dhe u huazua për tri sezone në ligën e dytë dhe të tretë gjermane, këtë verë u transferua në kampionatin italian. Sa i përket Kombëtares, për të grumbullimi i fundit është në shtator 2019 me Shqipërinë U19, teksa më pas është harruar. Ndërkohë, Stiven Shpendi, pasi shkëlqeu në Serinë C me Çezenën, u ble nga Empoli për 2.2 milionë euro dhe mori minuta që ndeshjen e parë në kampionatin italian.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al