Spiropali pret në takim Presidentin e Izraelit: Miqësia mes vendeve tona është historike

Sep 12, 2024 | 19:53
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentarja, Elisa Spiropali, është takuar sot me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, në Kryesinë e Kuvendit, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.

spiropali-me-presidentin-izraelit-2-1024x629

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Spiropali theksoi krenarinë e shqiptarëve për marrëdhëniet historike me hebrenjtë.

Spiropali nënvizoi partneritetin e fortë në fusha si politika, ekonomia, mbrojtja, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, në Kryesinë e Kuvendit, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri – vizita e parë e një presidenti izraelit në vendin tonë.

Shqiptarët janë krenarë për miqësinë e veçantë me hebrenjtë në kohë të mira dhe të vështira, si dhe për partneritetin e fuqishëm me Izraelin, i cili reflektohet në bashkëpunimin tonë të ngushtë në fusha si ekonomia, mbrojtja, turizmi, kultura, inovacioni, mbrojtja kibernetike dhe lufta kundër antisemitizmit. Mirënjohje Presidentit Herzog për këtë vizitë të veçantë, sa edhe për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e marrëdhënieve tona”, shprehet ajo.

Në takim morën pjesë anëtarët e grupit të miqësisë me Knesetin: Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, kryetarja e grupit të miqësisë Blerina Gjylameti, deputetët Blendi Klosi dhe Oerd Bylykbashi, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, dhe Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura