“Spiropali zgjati deri në 2028 mandatin e gjyqtares së GJK”- Tabaku: Nismë antikushtetuese dhe tentativë për t’u fshehur pas tymnajës

Oct 3, 2024 | 17:11
SHPËRNDAJE

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me vendimin e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali për zgjatjen e mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska deri në 2028, duke e cilësuar një nismë antikushtetuese.

tabaku konferenca e kryetareve

Përmes një postimi ne rrjetet sociale, Tabaku shkruan se kjo nismë ishte “tentativë për t’u fshehur pas tymnajës”, ndërsa shton se në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo sqaron se në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.

Më pas Tabaku sqaron se opozita kërkoi këshillim nga Komisioni i Venecias, i cili e përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për znj. Toska, mandati përfundon në vitin 2025.

“Përse Kryetarja e Kuvendit e interpreton me syze të tjera një dispozitë që është e qartë, si në mendimin e Komisionit të Venecias, ashtu edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 86, pika 3? A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbanë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi?”, përfundon Tabaku.

 

Reagimi i Tabakut

Tentativa për t’u fshehur pas tymnajës

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.

Tre vjet pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti, nën drejtimin e shumicës socialiste, u përfshi në një ngërç tjetër. Për të shmangur këtë situatë, opozita kërkoi këshillim nga Komisioni i Venecias. Në mendimin e tij miqësor të vitit 2020, Komisioni Venecias sqaroi se neni 179 i Kushtetutës kishte për qëllim që 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ndaheshin në tre grupe, me nga tre gjyqtarë secili, për të garantuar zëvendësimin gradual të tyre. Ky rregull për të ruajtur përpjesëtimin u përfshi edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Arsyeja, sipas Komisionit të Venecias, lidhej me ruajtjen e balancës dhe evitimin e bllokimit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Skema e ndarjes së mandateve në distanca kohore prej tre vitesh mbështet këtë parim kushtetues të funksionimit të GJK.

Komisioni i Venecias e përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për znj. Toska, mandati përfundon në vitin 2025.

Lindin disa pyetje: Përse Kryetarja e Kuvendit e interpreton me syze të tjera një dispozitë që është e qartë, si në mendimin e Komisionit të Venecias, ashtu edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 86, pika 3? A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbanë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi?

A ka vendosur Kryetarja e Kuvendit të hedhë poshtë Kushtetutën dhe mendimin e Komisionit të Venecias, të cilit vetë i është drejtuar?

Diferenca mes atyre që pretendojnë se e mbrojnë drejtësinë e pavarur dhe atyre që nënshkruajnë për zgjatjen e mandateve antikushtetuese është tashmë e qartë për të gjithë. Siç ka thënë edhe Presidenti Ëilson, “Demokracia është një sistem i tmerrshëm, por për sa kohë që nuk kemi diçka më të mirë, duhet të luftojmë për të.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura