1306 ditë pa trajnuar ekip, rasti i veçantë i Zinedin Zidanit
Më 27 maj 2021, Zinedin Zidan i tha lamtumirë Realit të Madridit me një vit të mbetur nga kontrata e tij. I lodhur dukshëm dhe i mërzitur nga bordi për mungesën e mbështetjes, trajneri francez i dha fund fazës së tij të dytë si trajner i “Los Blancos”, jo aq i suksesshëm sa i pari, por plot tituj.
Dhe deri më sot, Zizu nuk është ulur më në stol. Rasti i Zidanit është një rast i pazakontë në futbollin botëror, historia e një trajneri të suksesshëm që nuk ka shkelur në stol për më shumë se tre vjet, sikur të kishte hequr dorë në heshtje nga një profesion në të cilin arriti perfeksionin me Realin e Madridit.
Nga viti 2016 deri në vitin 2018 dhe nga viti 2019 deri në vitin 2021, nën drejtimin e Madridit, së bashku ata fituan njëmbëdhjetë trofe: 2 tituj në La Liga (2017, 2020), 2 Superkupa të Spanjës (2017, 2020), 3 Champions League (2016, 2017, 2018), 2 Superkupa Europiane (2016 dhe 2017) dhe 2 Kupa Botërore për Klube (2016, 2017). Një rezyme spektakolare që deri pak kohë më parë e bëri atë trajnerin e dytë më të suksesshëm të Realit të Madridit.
Tri Champions radhazi nuk janë historia e klubit të bardhë, ato janë historia e futbollit. Por pavarësisht kësaj histori suksesi, Zizu është zhdukur nga qarkullimi dhe kjo nuk ka qenë për shkak të mungesës së ofertave. Me radhë, Mançester Junajtid, Juventus, PSG dhe Bajern Mynih kanë trokitur në derën e tij disa herë në vitet e fundit.
Por Zidan është përgjigjur gjithmonë njësoj: “Jo, faleminderit”. I vendosur në Madrid dhe në pritje të zhvillimeve mbi karrierën e fëmijëve të tij, ai e thyen rutinën e tij vetëm për të udhëtuar në Paris dhe Aix-enProvence, në jug të Francës, afër Marsejës, ku ai ka shkollën e tij “Zidane Five Club”, qëllimi përfundimtar i së cilës është integrimi i të rinjve në rrezik përjashtimi përmes sportit.
A ËSHTË LARGUAR ZIDAN NGA TRAJNINGU?
Përgjigja është jo. Por ai ka ide shumë të qarta. Dhe në mendjen e tij kalojnë vetëm dy projekte: Reali i Madridit dhe kombëtarja franceze. Është çështje besnikërie. Zizu, në nivel klubesh, nuk e sheh veten duke drejtuar ndonjë ekip tjetër përveç ekipit të jetës së tij. Dhe në nivelin e skuadrave përfaqësuese, e njëjta gjë. Vetëm një projekt shumë novator mund ta bëjë atë të rimendojë idetë e tij, por tani për tani kjo nuk është shfaqur. Ne këmbëngulim: Bajerni, Mançester Junajtid dhe Juventus, ndër shumë të tjerë, i kanë trokitur në derë dhe ai u ka thënë jo të gjithëve. Zidan, i cili ka rifituar marrëdhëniet e mira me presidentin Florentino Perez, është i vetëdijshëm se stoli i Madridit është i pamundur. Ai nuk mendon për këtë, në fakt. Ai i uron Ançelotit suksesin më të madh dhe e di se për momentin nuk është ndër favoritët për të ardhmen. As me Francën nuk ka asnjë lajm, me Deshamp që ka rinovuar deri në Kupën e Botës 2026, kështu që Zidan e merr me qetësi.
STAFI I TIJ, I SHPËRNDARË NË TË GJITHË BOTËN
Ndërsa Zinedin Zidan shijon jetën e tij në Madrid, ekipi i tij i punës gjen strehim në pjesë të ndryshme të planetit. Trajneri i tij i dytë, David Betoni, drejton Klub Afrikan të Tunizisë, me të cilin numëron 11 ndeshje. Më parë, ai kishte trajnuar Sionin (Zvicër) pa shumë sukses. Përgatitësi i tij fizik, profesor Gregori Dupont i është bashkuar gjithashtu Betonit në projektin në Tunizi. Në fakt ai ka qenë në detyrë prej dhjetë ditësh, duke iu përgjigjur thirrjes së ish-ndihmësit të Zizu. Dupont ishte “arkitekti” i Ligës së Pandemisë, duke bërë që Madridi të rikthehet në garë si një aeroplan falë protokollit të punës që u krijua për futbollistët në shtëpi. Rasti më i spikatur nga të gjithë asistentët e Zidan është ai i Hamidu Msaidie, i cili tani ka lënë mënjanë futbollin për të krijuar një platformë stërvitore personale. Ai është CEO i një kompanie të quajtur “Sloëmotions”. Trajneri i portierëve, Roberto Vaskez punon në Federatën Spanjolle të Futbollit, duke u fokusuar në kategoritë e të rinjve, me ekipin kryesor nën 19 vjeç. Ndaj tani për tani, duke parë se si është grupi i punës së Zizu, nuk duket se trajneri francez e ka ndërmend të rikthehet së shpejti në stol.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"