170 mijë përkrahësit e KF Tirana, të paqartë dhe të pasigurt për të ardhmen e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 13:30

170 mijë përkrahësit e KF Tirana, të paqartë dhe të pasigurt për të ardhmen e klubit

Nga EDUARD ZALOSHNJAMixCollage-22-Apr-2024-01-11-PM-2069

Vjet drejtova një sondazh rigoroz në të gjithë terrenin e Bashkisë Tiranë (të kufizuar në jug nga Kërraba, në lindje nga Shëngjergji, në veri nga Lumi i Tiranës dhe në perëndim nga Ndroqi). Ndër 100 pyetjet që iu bënë të anketuarve të rritur (18 vjeç e sipër), pyetja 27 ishte për tifozllëkun në futbollin shqiptar. Dhe rezultoi se 29 % e të anketuarve të rritur ishin përkrahës të KF Tirana (shihni tabelën e mëposhtme). Me një ekstrapolim të përafërt statistikor, kjo përqindje përkthehet në pothuaj 170 mijë përkrahës (169 mijë për të qenë më preciz). Për krahasim, FK Partizani rezulton të ketë vetëm 88 mijë përkrahës…

* SHËNIM: Banorët nën moshën 18 vjeç nuk u anketuan

* SHËNIM: Banorët nën moshën 18 vjeç nuk u anketuan

Në dekadën e fundit, këta 170 mijë përkrahës të klubit mbi njëqind-vjeçar tiranas kanë arritur kulme gëzimi, por edhe gropa të thella dëshpërimi. Nga njëra anë, rënie nga Kategoria Superiore për herë të vetme në histori e luftë për mbijetesë në Kategorinë Superiore dhe nga ana tjetër, fitim të trofeve kombëtarë. Nga njëra anë, trajnerë të suksesshëm dhe nga ana tjetër, shkarkim të tyre fill pasi kishin qenë kampionë në sezonin paraardhës. Dhe vijmë tani te situata aktuale. Përkrahësit e “Tironës” (siç e quajnë mes tyre klubin kryeqytetas) janë të dëshpëruar ngaqë ekipi nuk ka pësuar kaq shumë gola për ndeshje qysh prej 77 vjetësh. Ndërkohë, futja në “Final 4” po kalon aktualisht nëpër fije të perit, ndërkohë që nga klubi janë larguar 9 futbollistë qysh prej janarit dhe janë ndërruar tre trajnerë qysh nga fillimi i sezonit!

Si për të mos mjaftuar problemet sportive, presidenti Refik Halili po përballet edhe me probleme financiare. Kështu, siç ka njoftuar “Panorama Sport”, një zyrë përmbarimore që kishte bllokuar aksionet e familjes Halili te klubi i futbollit (për shkak detyrimesh ndaj palëve të treta në vitin 2019 të një kompanie tjetër të Halilit), tashmë ka marrë vendimin për t’i nxjerrë zyrtarisht në shitje ato, me ankandin që mbyllet më datë 22 prill. Kompania e përmbarimit në fjalë, me njoftim publik, ka bërë të ditur se në shitje janë 66 % e aksioneve, me vlerë fillestare prej rreth 161 milionë lekë (1.6 milionë euro). Presidenti Halili u prononcua për “Panorama Sport” se duke thënë se çdo gjë është nën kontroll, se ishte i qetë e i qartë për situatën dhe se do ta zgjidhnin çështjen. Ndërsa klubi bëri një deklaratë zyrtare plot fjalë optimiste, për t’i qartësuar dhe siguruar përkrahësit tiranas.

Por 170 mijë përkrahësit e thjeshtë të “Tironës” nuk mund të qartësohen dhe sigurohen vetëm me fjalë. Kushdo që merr përgjegjësinë të drejtojë një klub futbolli si KF Tirana, me një përkrahje kaq të madhe, duhet t’i qartësojë dhe sigurojë përkrahësit me vepra, e jo me fjalë, si për situatën financiare, ashtu edhe atë sportive. Ulje-ngritjet dramatike të dekadës së fundit nuk i shkojnë për shtat klubit më të titulluar në Shqipëri. Situata aktuale e do një zgjidhje sa më të shpejtë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"