186 milionë dollarë nga kontrata e re, ylli i NBA vendos ku do luajë në të ardhmen / Ja më të paguarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 12:20

186 milionë dollarë nga kontrata e re, ylli i NBA vendos ku do luajë në të ardhmen / Ja më të paguarit

Një ditë para startit të sezonit të ri në NBA, që ka nisur me dy ndeshje në orët e para të mëngjesit të sotëm (DenverLakers dhe Warriors-Suns), basketbollisti grek, Giannis Antetokounmpo, ka rinovuar edhe me 3 sezone të tjera kontratën me skuadrën e Milwaukee Bucks. Nga kontrata e re ai do të përfitojë 186 milionë dollarë. Ky rinovim hedh përfundimisht zërat e largimit të tij, pas dështimit të sezonit të kaluar.

Collage Maker-25-Oct-2023-12-19-PM-8936

“Në sport nuk ka dështim. Nuk mund të fitosh gjithnjë, një herë fiton ti, një herë të tjerët”, tha Giannis këtë verë, teksa te skuadra e Bucks erdhi edhe Damian Lillard, duke e forcuar ndjeshëm potencialin e këtij ekipi, që synon titullin.

Ai do të ndihmojë Antetokoumpo-në në arritjen e objektivave sezonalë. 28-vjeçari do të jetë një nga basketbollistët më të paguar në NBA, ndërsa ka fituar dy herë trofeun MVP dhe një titull kampion pikërisht me Milwaukee. Ai ka luajtur edhe 7 herë në ndeshjen e madhe të “All Star Game”.

Me 45.6 milionë dollarë përfitim nga kontrata e re për sezonin 2023- 2024, Antetokounmpo bëhet lojtari i tetë më i paguar i kampionatit, me shifër të njëjtë si Paul George, Kawhi Leonard dhe Damian Lillard. Paga e basketbollistit grek do të jetë progresive, pasi pëson rritje për kampionatet pasardhëse, duke kaluar në 48,7 milionë për sezonin 2024-‘25, në 51.9 mln për sezonin 2025-‘26. “TOP-5” – Le të shikojmë se kush janë pesë basketbollistët më të paguar në sot në NBA.

Klasifikimin e nisim nga vendi i pestë, aty ku pozicionohet Joel Embiid i Philadelphia 76ers, i cili gjatë këtij sezoni do të përfitojë 47,6 milionë dollarë, për të kaluar në 51,4 milionë në kampionatin 2024-‘25, në 55,2 milionë për 2025- ‘26 dhe në 59 milionë për sezonin 2026-‘27.

Në vend të katërt renditet LeBron James i Los Angeles Lakers, me kontratën 47,6 milionë dollarë për këtë sezon dhe opsionin me 51,4 milionë për edicionin e ardhshëm.

Duke kaluar te podiumi i kontratave më të larta, në vend të tretë renditet Nikola Jokiç i Denver Nuggets. Rroga e serbit për këtë kampionat do të jetë 47,6 milionë, për t’u rritur në 51,4 milionë në kampionatin e ardhshëm, në 55,2 në 2025-‘26 dhe në 59 milionë për sezonin 2026- ‘27.

Në shkallën e dytë të podiumit qëndron Kevin Durant i Phoenix Suns, me pagë 47,6 milionë dollarë në këtë sezon. Në edicionin e ardhshëm do të përfitojë 51,1 milionë dhe 54,7 për kampionatin 2025-‘26.

Lojtari më i paguar në NBA aktualisht është Stephen Curry i Golden State. Rroga e yllit të Warriors në sezonin që sapo ka startuar është 51,9 milionë dollarë. Shumë që do të vijë në ngritje në edicionet e ardhshme, duke kaluar në 55,7 milionë në 2024-‘25 dhe në 59,6 milionë në sezonin 2025-‘26.

Ndërkohë në tabelë pasqyrohen 20 lojtarët më të paguar në NBA për edicionin 2023-2024.

6868

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"