29-vjeçari premton kthesën ndaj ish-ekipit. Meta sfidon të shkuarën: Në Vorë prisni një Lushnjë surprizuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2024 | 19:49

29-vjeçari premton kthesën ndaj ish-ekipit. Meta sfidon të shkuarën: Në Vorë prisni një Lushnjë surprizuese

Fadil Meta, mbrojtësi i krahut të majtë të Lushnjës, për “Panorama Sport” rrëfehet për ecurinë e verdhejeshilëve në këto shtatë javë të para.

FADIL META LUSHNJA

29-vjeçari luan për herë të dytë te Lushnja, pas pjesës së parë të sezonit 2022-2023. Në intervistën e dhënë për gazetën, futbollisti i linjës së majtë foli edhe për sfidën e radhës me Vorën. Ai tha se në Vorë kushtet janë mjaft të mira dhe fiton skuadra më e mirë.

Si ka qenë ecuria e Lushnjës në këto shtatë javë të para?

Ecuria e ekipit në këto shtatë javë ka qenë e kënaqshme deri diku. Për faktin se fillimi ishte shumë i furishëm. Arritëm të merrnim pikë në Peshkopi dhe fituam në fushën tonë me Pogradecin.

Fituat derbin me Apoloninë në javën e katërt, por keni marrë vetëm dy pikë në tri ndeshjet e fundit. Si e shpjegoni këtë situatë?

Fituam derbin me Apoloninë, që për ne ishte një ndeshje shumë e luftuar. Arritëm të fitonim pas shumë vitesh në fushën e tyre, të bëjmë diferencën edhe në ndeshjen me Besën në fushën tonë. Një ndeshje shumë e luftuar me Besën kryesuese. Më vjen keq që në dy ndeshjet e tjera kemi neglizhuar pak pasi në letër kanë qenë të lehta. Mendoj, që ky ka qenë ngërçi ynë dhe për këtë nuk jemi te katër ekipet e para për momentin. Shpresoj që nuk do të ketë më hap flas për Lushnjën.

Si po përgatiteni në këtë periudhë? Në sfond është ndeshja me Vorën.

Ne po përgatitemi, që në ndeshjen e javës së ardhshme me Vorën, të rikthejmë edhe një herë besimin te vetja. Edhe te tifozët që na ndjekin gjithmonë, në fushën tonë por edhe jashtë saj. Mendoj që ndeshja me Vorën do të jetë surpriza jonë. Ekipi do të tregojë fytyrë tjetër, jo si kjo e dy ndeshjeve të fundit. Këtë e them me bindje, duke parë se si po stërvitemi këto ditë.

Keni luajtur një sezon e gjysmë te Vora, keni ndonjë ndjesi të veçantë që këtë radhë do të jeni kundërshtar?

Kam shumë respekt për atë klub. I jam falënderues të gjithëve pa përjashtim. Më kanë trajtuar si të jem në shtëpinë time. Kam shumë emocion, sepse po rikthehem në një ambient shumë të ngrohtë për mua. Kështu e ka futbolli profesionist dhe unë tashmë jam futbollist i Lushnjës, ndaj do të jap maksimumin që së bashku me shokët e skuadrës të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe ta fitojmë ndeshjen në Vorë. Është një ambient ku luhet futboll, kushtet janë mjaft të mira, kështu që fiton më i miri.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"