Administratori Liçka e ka me gjykimin: Lushnja fitoi ndaj 15 vetëve kundër Kastriotit, fusha do të rregullohet
Administratori i Lushnjës Marjus Liçka, në një intervistë enkas për “Panorama Sport” shprehet, se ekipit që ai administron i janë bërë padrejtësi në mënyrë sistematike, kur bën pjesë edhe sfida e fundit ndaj Kastriotit.
Titullari i selisë verdhejeshile tha, se fusha e stadiumit është futur në fazën e rikonstruktimit. Ndërsa për skuadrën, drejtori i KF “Lushnja 1930” sh.a. tha, se ishin bindës fundjavën e kaluar dhe janë në rrugën e duhur.
A ishte një Lushnjë bindëse ajo e së shtunës kundër Kastriotit?
Në radhë të parë dua të përgëzoj djemtë dhe stafin teknik për këto tri pikë. Ishte një fitore më se e merituar. Dominuam kundërshtarin që nga minuta e parë, në çdo aspekt. Pamë një skuadër me dëshirë dhe me kurajë. Një skuadër që luftoi deri në sekondën e fundit. Kjo është Lushnja që duam dhe presim.
Në ndeshjen me Kastriotin pati shumë tension. Cili është qëndrimi juaj si titullar i klubit?
Të gjithë të pranishmit në stadium e panë me sytë e tyre arbitrimin skandaloz. Kishim 15 kundërshtarë në fushë. Sigurisht, që do të ketë tension. Kjo u pa qartë si drita e diellit. U pa qartë se si arbitri Sokol Bebja dhe asistentët e tij e tensionuan gjithë situatën. Nuk është hera e parë që na ndodh kjo. Si në ndeshjet jashtë, por edhe në ndeshjen brenda me këtë kundërshtar.
Konkretisht…
Në ndeshjen e fazës së parë në Krujë, na u mohua një gol i dytë i shënuar nga Xhabrahimi. Të gjithë tifozët e kujtojnë mirë se vitin e kaluar na u mohuan dy penallti të pastra, pikërisht ndaj këtij kundërshtari. Edhe të shtunën e njëjta gjë ndodhi. Na u mohua një penallti e pastër. Me këto padrejtësi të njëpasnjëshme, sigurisht që do të ketë tension. Kemi marrë masat si klub dhe do të reklamojmë të gjitha padrejtësitë me pamje filmike. Mjaft më!
U vu re mungesa e theksuar e barit jeshil në fushën e stadiumit. Çfarë po ndodh me terrenin e “Roza Haxhiu”-t?
Po, fusha është futur në fazën e rikonstruktimit. Dy javë më parë e kemi trajtuar me solucionin përkatës. Për të avancuar me procesin e tharjes, pasi bari do të rimbillet. Është e vërtetë, që vitin e kaluar ne kryem të njëjtin proces në bashkëpunim me FSHF-në. Dështuam, pasi fara e barit e zgjedhur për mbjelle nuk rezultoi e duhura. Nuk u përshtat me klimën dhe tokën. Për këtë arsye do të ndjekim një strategji të re, në bashkëpunim me FSHF-në. I njëjti fenomen na ndodhi në një nga anekset që ne i themi “Fusha e Spitalit”. Të dyja fushat do të ribëhen shumë shpejt.
Momentalisht, Lushnja është vetëm 1 pikë larg nga vendi i gjashtë. A është skuadra brenda pritshmërive?
Të them të drejtën, unë kam pritur shumë më shumë. Kemi një kontingjent lojtarësh shumë të mirë. Kemi një staf trajnerësh që po punojnë pa u lodhur dhe nga dita në ditë po vërtetojnë se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Na mungon vetëm vazhdimësia e rezultateve, që jam i bindur se do të vijnë. Në fillim të kampionatit kishim pritshmëri të tjera, por pa dashur t’i vendos në presion lojtarët dhe stafin, po ju them që jemi në rrugën e duhur.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"