Agostineli e sheh sërish nga tribuna, analiza e trajnerit: Flamurtari nuk gabon, falenderoj…
Andrea Agostineli nuk pret asgjë tjetër përveç fitores sot me Valbonën, në ndeshjen e fundit për këtë vit. Pavarësisht se do të luajë në Tropojë, në një transfertë të vështirë, trajneri i vlonjatëve nuk i druhet aspak.
Italianit i vjen keq që edhe këtë javë do të jetë në tribunë dhe jo në stol për të drejtuar skuadrën. Falënderon Idrizin për rikonfirmimin në pankinë, ndërsa thekson se kjo është një dëshirë e të dyve, për të arritur objektivin madhor. Në janar pret afrime për të përforcuar edhe më shumë skuadrën.
Agostineli, çfarë prisni nga ndeshja me Valbonën? Pres atë që duan të gjithë, si klubi ashtu edhe tifozët. Duhet që të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje dhe të marrim pikët e plota. Natyrisht që ne e dimë se do të jetë një transfertë e vështirë, por jemi të përgatitur për të bërë mirë dhe se i dimë detyrat që kemi.
I druheni kundërshtarit, apo edhe faktorit “fushë”? Flamurtari nuk i druhet asnjë kundërshtari. Nuk kemi frikë, pasi ne jemi një skuadër me traditë, por kuptohet edhe me futbollistë profesionistë dhe që kanë personalitet. Kjo është një ndeshje si të gjithë të tjerat. Shkojmë me respekt ndaj kundërshtarit.
Do të donit ta mbyllnit vitin me fitore? Patjetër që po. Sigurisht që ky është edhe qëllimi i ndeshjes që do të luajnë me Valbonën.
Jeni i pezulluar dhe këtë ndeshje do ta ndiqni nga tribuna, apo jo? Fatkeqësisht po. Është kështu siç po thoni ju. Unë do e shoh ndeshjen nga tribuna. Por ua them edhe njëherë. Doja të mbroja klubin dhe tifozët tanë.
Presidenti Idrizi gjatë një prononcimi, tha se trajneri nuk preket. Keni një koment? Presidenti Idrizi dhe unë kemi të njëjtën dëshirë për të arritur qëllimin tonë. E falënderoj shumë për besimin dhe mbështetjen.
Mendoni se kjo skuadër ka nevojë për përforcime në janar? Unë mendoj kështu, duhet që të ndërhyjmë në ato reparte që e shikojmë të arsyeshme se duhet të përforcohen. Gjithmonë ka nevojë për korrigjime dhe përmirësime. Të kalojmë me sukses ndeshjen me Valbonën dhe më pas do të ulem me presidentin që të diskutojnë. E falënderoj, pasi edhe në takimin e fundit që zhvilluam së bashku këtë javë, Idrizi shprehu të gjithë gatishmërinë e tij për të bërë më të mirën për skuadrën dhe për ta përforcuar me lojtarë.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"