Akuza e Prokurorisë për Halilin dhe klubin e Tiranës, zbulohet vendimi i gjykatës
Çështja “Halili” vazhdon të prodhojë lajme. Dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, gjyqtari Edvan Vecani ka rrëzuar kërkesën për kalimin në gjyq të Refik Halilit dhe KF Tiranës me akuzën për “Fshehje të të ardhurave”.Sipas avokatit të KF Tiranës dhe zotit Halili, vendimi është në krahun e bardhebluve dhe drejtuesit të klubit. Gjithsesi, burime të tjera të gazetës bëjnë me dije se Gjykata nuk e ka pushuar çështjen, por i kërkoi veprime shtesë hetimore nga organi i akuzës, mbi kërkesën e Prokurorisë për akuzën e ngritur te fshehjes të të ardhurave ndaj administratorit të klubit FK Tirana, Refik Halili. Në seancën paraprake, u konstatua se organi i akuzës nuk ka marrë parasysh një kontroll dhe auditi të thelluar të tatimeve ku klubi i Tiranës rezulton se nuk ka asnjë detyrim financiar dhe nuk ka asnjë shkelje gjatë viteve të pretenduara nga prokuroria. Ndaj gjyqtari paraprak ktheu dosjen pas në Prokurorinë e Tiranës për të kryer veprime të tjera shtesë.
ÇËSHTJA
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, muaj më parë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq “Klubin e Futbollit Tirana” sh.a dhe administratorin e tij, shtetasin R.H., për Veprën Penale “Fshehje të të ardhurave”.
Sipas prokurorisë, në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr.1755, të vitit 2017, rezultoi se për vitet 2014, 2015, 2016, “Futboll Klub Tirana” ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit. Nga analizimi i të dhënave prokuroria doli në konkluzion se subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a dhe administratori i kësaj shoqërie, shtetasi R.H., gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"