Akuza ndaj Idrizit për keqmenaxhim dhe interesa. “Flamurtari, karrocë rrangalle”, debatet e këshilltarëve: Ore e bëtë pazar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2024 | 22:16

Akuza ndaj Idrizit për keqmenaxhim dhe interesa. “Flamurtari, karrocë rrangalle”, debatet e këshilltarëve: Ore e bëtë pazar…

Debatet gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak në lidhje me çështjen Flamurtari kanë qenë “të zjarrta”.

KESHILLI VLORE

Klodian Xhyheri, Këshilltar i PD-së: “Kisha shkruar nja dy gjëra, por do t’i sikur mi paska lexuar mendimet Sokol. Edhe një vit më parë e shtymë kontratën. Ndërkohë që ne mund ta shtyjmë pa fund këtë kontratë derisa të bëhen procedurat për shitjen e aksioneve. Unë do të isha i lumtur që të bëhej garë e drejt dhe e ndershme, ku të merrnin pjesë subjekte kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë Flamurtar që ka pasur një emër të madh, por nuk e ka më. Duhet të kuptojmë se që kur u mor në administrim nga ky administrator, këtij Flamurtari të Sokolit dhe viteve më pas, nuk i ka mbetur asnjë gjë nga ai Flamurtar legjendar, nga ai shkëlqim.

Flamurtari është kthyer, sipas mendimit tim, në një karrocë rrangalle me tre rrota të shtrembëruara dhe një të shpuar. Nuk i ka mbetur asgjë Flamurtarit, për më tepër, që tani është futur në një hulli të errët nga rezultatet sportive skandaloze, por një bombë për Flamurtarin do të jenë edhe të dhënat financiare që është kredhur në borxhe. Këtij administrimi nuk ia ka fajin as Duka, as arbitri, as anësori, as topi me cep, rrjetat, shtyllat, zoti, qielli, ziliqarët, këshilltarët bashkiakë… Ai na ka quajtur edhe skifterë. Nuk jemi skifterë, nuk kemi grabitur asgjë. Të shoh ai se mos i ka vënë syrin ndonjë gjëje, ndonjë kulle me stadium, stadium me kullë, etj. Nuk ia ka fajin mendoj unë as bashkia. Nuk ia ka fajin as galaktika, këtij keq administratori që e ka çuar Flamurtarin në fund të pusit.

Një pus i errët, që unë nuk e di se si do dalë. Këtij keqadministrimi, unë mendoj se nuk duhet t’ia shtyjmë edhe një vit kontratën, përkundrazi. Unë e kam thënë edhe vjet, që me këto rezultate që ka Flamurtari mund ta mbante edhe bashkia me këto kushte, pasi kushtet janë skandaloze. Flamurtari vetëm bie nga kategoria. Tani, unë do t’i kërkoja falje Shpëtim Gjikës, pasi mërzitesha me të dikur kur e shikoja që Flamurtari shkonte në vend të dytë, pse nuk shkonte në vend të parë në Superiore. Por nuk  e dija që Flamurtari do të binte në honet e thella të keqadministrimit dhe të paaftësisë.

Jam kundër shtyrjes së kësaj kontrate, pasi ky administrim nuk ka dhënë asnjë gjë të mirë për Flamurtarin, por përkundrazi e mori një skuadër yll me xixa dhe e ka kthyer në një rrangalle. Jam kundër shtyrjes së kontratës, pasi administrimi i keq e ka çuar Flamurtarin ku thërret qameti. Ne kemi turp ta përmendim Flamurtarin, pasi është në një gjendje skandaloze si në rezultatet sportive edhe si të dhëna financiare”.

Sokol Kushta- Këshilltar i PS-së: “Zoti Xhyheri që të kuptohemi, nuk jemi për bllokim të gjërave. Ne jemi për një punim. Meqenëse zotërisë i mbaron kontrata në nëntor, ka kohë akoma. Nëse kryetrari i bashkisë na premton sot, se në nëntor është gati shitja, unë jam pro dhe duhet të jemi pro deri më 20 nëntor dhe Flamurtari duhet të vazhdojë me kontratën siç është. Ky është mendimi im. Të lexojmë dokumentet”.

Atird Hoxha– Këshilltar i PD-së: “Ore e bëtë pazar ju. Nuk e kam me Rinaldin unë, e di ai. Ne nuk kemi mbaruar si këshilltarë, ti thua tani ftoj zotin Bezhani. Nuk shkon ky muhabet. Domethënë, Sinan Idrizi ta përdhunojë këtë këshilli është pak. Po e keni vendosur që Sinanit t’i hapni portat dhe të kalojë mbi trupat e këshilltarëve, hapjani çfarë të them unë. Por ky është skandal. Ne nuk kemi mbaruar, ti thua që t’i jap pak fjalën atij se ka sjellë prokurën nga Sinan Idrizi. Ky është turpi më i madh, po ta them kryetare që ta dish. Unë nuk e kuptoj se si ky personazh apo këto kompani vazhdojnë të propagandojnë që janë në gjendje të paguajnë shifra marramendëse deri në 25 milionë euro, kam lexuar në një prononcim të zotërisë në gazetë.

Nuk e kuptoj ku i gjen ky paratë që bënë këto deklarata, sepse me një konsultim të shkurtër në sistemin elektronik, ky zotëri figuron pronar i vetëm një kompanie dhe një tjetër që është pasive në QKB. I thoni këtij zotërisë për kompaninë “Arimo B.V” e regjistruar në Holandë. Meqë thotë që ne jemi skifterë, ne jemi skifterë të këtyre gjetjeve, zhdukjeve të 2-3 milion eurove brenda natës. Këta janë skifterët që i kap ky zotëria. Por këto janë çështje të pastrimit të parave. Edhe ky Flamurtari nga mbrapa ka si objektiv pastrimin e shumave të mëdha të parave, nuk ka si qëllim rritjen e performancës sportive të skuadrës, pasi ka 10 vite që e ka në administrim dhe vetëm janë krijuar detyrime financiare. Flamurtari sot nuk ka rezultate sportive.

Unë dua të di pse nuk ka mbërritur në këshill raporti për punën 3 mujore të këshillit. Për çfarë duhet që ta falënderojmë ne këtë zotëri që dita-ditës është bërë pengesë dhe gangrenë e futbollit vlonjat, ku nuk ka asnjë investim në fusha, po thyejnë këmbët fëmijët aty. Nuk e kemi detyruar ne që ka zgjedhur të menaxhojë Flamurtarin. Por nëse ti je pakënaqur me vlerësimin që të bënë këshilli bashkiak, është në të drejtën tënde të tërhiqesh. Vijnë njerëzit këtu thonë është afati në fund, se duhet të regjistrojmë Flamurtarin në FSHF. Po, po ore, po, edhe pa regjistruar ta lëmë, sepse po të ishte për këtë lloj katandisje më mirë pa klub fare, pa sport fare, se sa të jetë në këtë gjendje Flamurtari. Nuk i dihet pasi dardha e ka bishtin mbrapa.

Përpara se të hyja në mbledhje pata një diskutim me një ekspert të fushës. Më tha, që janë për ibret të zotit, nuk japin informacion. Ne duhet të dimë, nuk do Dredha të eci procesi privatizimit apo kompanitë turke “TRK Group” dhe “Atlas Global”. Çfarë janë këto, nga vijnë? Nuk e votoj, pasi nuk e meriton. Ju votojeni dhe mua më vjen keq, se kur dalim jashtë, njerëz këtu thonë gjëra të tjera dhe këtu para kamerave të tjera. Ky menaxhim për Flamurtarin vitin që vjen do ta ketë bishtin e dardhës mbrapa. Jam i sigurt që Sinan Idrizi bashkë me këto dy kompani do ta vërë bashkinë vitin e ardhshëm në një vështirësi të jashtëzakonshme ligjore dhe proceduriale, sa ky klub do të mbetet peng i orvatjeve nëpër institucione dhe në dyert e gjykatës. Po e përsëris edhe njëherë për atë administratorin: Çfarë i thotë atij zotërisë  “Arimo B.V” e regjistruar në Holandë dhe “Si Albania” në Shqipëri.

Përfaqësuesi i administratorit Idrizi shpalos problemet në këshill

Bezhani: Nëse ka operator tjetër, të vijë ta marrë ekipin

 

Sinan Idrizi kishte autorizuar të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës, drejtorin e bordit për raporte me institucionet dhe mediat në klubin e futbollit, Rinald Bezhani. I autorizuari pranoi problematikat në klub, si dhe kërkoi nga këshilli të votohej shtyrja me një vit e administrimit. “Jam këtu jo si drejtor, por më tepër si vlonjat. Kërkoj një ndjesë të madhe publike për mungesën e një transparence, që klubit të futbollit Flamurtari i ka munguar këtyre viteve për problematikën, që arrita më në fund për të gjetur rrugën, për të kërkuar ndihmë.

Falënderoj kryetaren e Këshillin Bashkiak, Elpiniqi Mërkuri, që me finesën e saj politike dhe grintën që i ka dhënë në këtë kohë. Vite më përpara, kur Sinan Idrizi mori me anë të shoqërive që përfaqëson menaxhimin e Flamurtarit, një mëngjes gjendet përpara një kontrate me 80 mijë euro që duhet t’i paguante një lojtari që nuk i kishte kryer detyrimet. Në atë moment, u vu re që në atë kontratë ishin vendosur premiot. Nëse zë vend të parë, mbi rrogën bazë 65 mijë euro ke premio, apo vend të dytë, apo kur shënon shumë gola. FSHF i kërkoi me kusht Flamurtarit t’i paguante rrogën e pretenduar, që menaxhimi e refuzoi. Në moment FSHF kërcënon Flamurtarin se do ta zbriste nga kategoria. Na hoqën 6 pikë. Jeni përpara një gjëje që klubi i futbollit mbulohet me 18% të buxhetit të mbledhur nga bashkia. Paguan tatime 600 mijë euro në vit. Është një menaxhim i dështuar, keni të drejtë. Idrizi harxhon të ardhura pa fituar një lek.

Flamurtari është keq në të dhënat financiare. Nëse bashkia dhe Vlora thonë: o miku ynë ne kemi një alternativë të dytë, hajde silleni. Unë i kërkoj Këshillit Bashkiak shtyrjen e afatit të menaxhimit me kushtin deri ditën e privatizimit. Deri në ditën që në xhamin e Bashkisë Vlorë, administrata shpall interesin për privatizimin e kuotave të klubit. Nëse ka një operator tjetër të interesuar jashtë ose brenda shoqërive që menaxhojnë sot, le të vijnë”, përfundon Bezhani.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"