Alarm tek Interi, Inzagi pa “regji” për Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 22:18

Alarm tek Interi, Inzagi pa “regji” për Champions-in

Interi është në alarm dëmtimesh. Në mo mentin më delikat të sezonit, kur do të nisë një tur force dhe do të luhen 8 ndeshje në afro një muaj, Simone Inzagi është bërë me dhimbje koke. Fitorja në transfertën e Romës ka qenë me pasoja të mëdha për kampionët e Italisë.

044

Lajmi i parë është që Hakan Çalhanoglu do të humbasë ndeshjen kundër Jang Bojsave në Champions, e cila do të luhet ditën e nesërme. Ai u aktivizua vetëm 12 minuta në Romë dhe kërkoi zëvendësimin. Nga ekzaminimet e kryera rezultoi një zgjatje e aduktorit të kofshës së majtë.

SITUATA- Ky lloj dëmtimi të bën të mendosh me siguri që mesfushori turk nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e Championsit, por problemi më i madh është që rrezikon të humbasë edhe duelin kundër Juventusit më 27 tetor. Për momentin është në dyshim të fortë. Mirëpo, problemet shtohen akoma më shumë kur nga infermieria vjen njoftimi se për sfidën e Bernës mungon gjithashtu edhe zëvendësuesi i tij, Kristjan Asllani.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka marrë një goditje në gju përpara transfertës me Romën dhe nuk u grumbullua nga trajneri. Ai nuk do të rikuperohet në kohë për duelin e nesërm. Të paktën këtë e ka konfirmuar “Gazzetta Dello Sport” ditën e djeshme.

Mbetet për t’u parë me kalimin e orëve dhe ditëve se çfarë do të ndodhë. Lajmi i mirë është se Piotr Zielinski është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin Simone Inzagi. Kështu që ka një alternativë më shumë në mesfushë, sepse në Romë ishin vetëm 3 lojtarë. Inzagi shpreson që të rikuperojë Asllanin të paktën për Juventusin.

MBROJTJA- Hap pas hapi do të ndiqet gjithashtu edhe Françesko Açerbi. Edhe ai u dëmtua ndaj Romës dhe nuk dihet nëse do të jetë gati për sfidën në Champions. Megjithatë, situata aty nuk është aq alarmante. Trajneri ka disa lojtarë në dispozicion si De Vraj, Bisek dhe Augusto që mund t’i ndryshojnë rolet dhe të japin kontribut. Mesfusha është ajo që shqetëson më shumë. Barela duhet që të vazhdojë të bëjë regjisorin, ose Zielinski mund të jetë shpikja e re e trajnerit Simone Inzagi.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"