Albion Marku karikon Dinamon: Pres një skuadër që të luftojë për Europë, e di çfarë kërkon Mehmeti
Mes shumë emrash që lakohen çdo ditë në merkaton e Dinamos për të veshur fanellën e saj, njëri është i sigurt: Albion Marku. Mbrojtësi i krahut të djathtë është nën kontratë me blutë e kryeqytetit, me të cilët në fakt nuk ka luajtur ende ndeshjen e parë.
Një vit më parë Dinamo e bleu këtë futbollist nga Lokomotiva e Zagrebit, por duke qenë se blutë luanin në Kategorinë e Parë, e huazuan te Teuta në Superiore. Marku tashmë është përshëndetur me durrsakët dhe pret të nisë aventurën si dinamovit, me shpresën se do të jetë pjesë e një skuadre të fortë, që të luftojë për një vend në Kupat e Europës.
DINAMO PËR EUROPË
Për “Panorama Sport”, mbrojtësi ka thënë se Dinamo do të zhvillojë një sezon që t’i përgjigjet emrit të saj.
“Po, jam lojtar i Dinamos. Kam përfunduar huazimin te Teuta dhe tani do të jem pjesë e kësaj skuadre. Çfarë Dinamo pres? Unë nuk kam shkuar akoma aty, por mendoj dhe besoj se do të ndërtohet një skuadër e fortë, siç i ka hije Dinamos, që është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Në këtë moment nuk di çfarë të them, kam besimin se nuk do të jemi një skuadër që do të luftojë për qëndrimin në Superiore, por për të bërë një kampionat dinjitoz dhe për të luftuar për një vend në Kupat e Europës”, është shprehur fillimisht futbollisti 22-vjeçar.
TRAJNERI MEHMETI
Te Dinamo, Albion Marku gjen ish-trajnerin e tij, Dritan Mehmetin, me të cilin ka punuar te Partizani dy sezone më parë.
“Me trajnerin Mehmeti kemi qenë bashkë te Partizani. Kemi pasur një bashkëpunim të suksesshëm atje, pasi arritëm objektivat e klubit për të shkuar në Europë, kështu që shpresoj që të njëjtën gjë të bëjmë edhe te Dinamo tani”, pohon Marku, i treti në organikën e bluve me të njëjtin mbiemër, pas Taulant dhe Aurel Markut, që ishin në sezonin e fundit.
MERKATO DHE GARA
I pyetur se për çfarë ka nevojë Dinamo në merkato që të jetë kompetitive, Marku tregohet i rezervuar: “Për merkaton nuk mund të flas, aq më tepër që nuk jam bashkuar ende me skuadrën. Janë çështje me të cilat merren drejtuesit, që e dinë mirë situatën.
Unë, siç e thashë, besoj se do të kemi një skuadër që do ta përfaqësojë Dinamon me dinjitet në Superiore. Le t’ia lëmë kohës të tjerat. Kampionati do të jetë i vështirë dhe i paparashikueshëm, por ne si lojtarë na takon të përgatitemi sa më mirë”.
Interesant është fakti se Albion Marku është kumbari i Silvio Vokrrit, futbollistit që aktivizohet po në linjën e djathtë te Dinamo. Nuk kanë diferencë të madhe në moshë, por Albioni është disa muaj më i madh dhe pa dyshim që ka statusin e titullarit, falë edhe eksperiencës më të madhe në elitë dhe me Kombëtaren U21.
“Silvio është një futbollist i mirë, ai mund të luajë edhe më përpara, në sulm ose mesfushë”, thotë me pak humor Albion Marku, përforcimi i parë i bluve të kryeqytetit për sezonin e ri.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"