Alfonso Dejvis ngre në “qiellin e shtatë” trajnerin Kompanin: I jashtëzakonshëm…
Nën drejtimin e Vinsent Kompani, Bajern po përjeton një intensitet të ri në stërvitje, që sfidon edhe lojtarët. Mbrojtësi Alfonso Dejvis i përshkruan seancat si beteja të vërteta për vendin e titullarit dhe vlerëson udhëzimet e qarta të belgut, të cilat sjellin një frymë të freskët në klub.
Në një intervistë për “The Athletic”, kanadezi foli në detaje për kërkesat e Kompanis dhe vlerësoi drejtimin e ri që ish-mbrojtësi i Mançester Sitit ka vendosur në Mynih. “Ai është një djalë me të vërtetë i shkëlqyer. Mënyra sesi ne luajmë tani është shumë intensive. Ka bashkuar ekipin dhe lojtarët që punojnë mirë në stërvitje. Çdo seancë stërvitore është si një luftë. Asgjë nuk është e garantuar”, shpjegoi Dejvis. Ai vlerësoi gjithashtu mënyrën sesi sillet trajneri me lojtarët:
“Vinsent flet me mirësjellje, por me vendosmëri me ekipin”. Pasi mbrojtësi i majtë kanadez e gjente shpesh veten në stol në fillim të sezonit, ai së fundmi ka luftuar sërish për një vend të rregullt. Krahas punës intensive në stërvitje, belgu ka futur edhe ndryshime taktike që duket se u pëlqejnë lojtarëve. Ndryshe nga qasja më e kujdesshme e ish-trajnerit Tomas Tuhel, Kompani mbështetet në presionin agresiv dhe kundërpresing të fortë. Bajerni është gjithnjë e më i pranishëm në pjesën e kundërshtarit dhe përpiqet ta vendos rivalin nën presion që në fillim.
Sipas “Sport BILD”, fjala “kundërpresing” është bërë pjesë integrale e fjalorit stërvitor për trajnerin e ri të bavarezëve. Te lojtarët kjo do të thotë lojë me intensitet të lartë dhe tranzicion të shpejtë, që gjithashtu duket se u jep energji të re.
Pavarësisht sukseseve, ka ende sfida që ekipi duhet t’i kapërcejë. Në ndeshjet kundër skuadrave të rëndësishme si Bajer Leverkusen dhe Eintraht Frankfurt sistemi zbuloi gjithashtu dobësi, pasi skuadra është shumë e lartë dhe është e ndjeshme ndaj kundërsulmeve të shpejta.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"