Aliji në luftë me kohën, Rufati jep sinjale pozitive/ Ja situata te Dinamo
Për ndeshjen e radhës me Teutën blutë shpresojnë që të rikuperojnë ndonjë nga lojtarët e dëmtuar dhe ai që ka më shumë shanse është Naser Aliji. Ish-futbollisti i Kombëtares mungoi në Korçë për shkak të një problemi muskulor, që e ka lënë pa stërvitje disa ditë gjatë javës së kaluar.
Tashmë Dinamo ka nisur të përgatitet për sfidën e së shtunës me Teutën dhe Daja shpreson ta ketë në dispozicion 30-vjeçarin. Aliji është në luftë me kohën dhe nëse ia del të rikuperohet plotësisht, do të jetë një plus i madh në mbrojtje. Me eksperiencën e gjatë që ka, anësori i majtë i ka shërbyer skuadrës edhe në qendër në disa ndeshje.
Drejt riaftësimit është ndërkohë mbrojtësi tjetër me përvojë, Rustem Hoxha, i cili mungon që nga ndeshja e fazës së parë me Vllazninë, ku theu gishtin e madh të këmbës. Hoxha mund të jetë i gatshëm që në fundjavë, ose javën e ardhshme kundër Vllaznisë.
RUFATI – Një sinjal pozitiv në Korçë trajneri Daja duket se ka marrë edhe nga mbrojtësi Agron Rufati. Ai luajti në 15 minutat e fundit të ndeshjes dhe kuptohet që nuk mjafton për të dalë në konkluzione të sakta, por paraqitja e 25-vjeçarit dukej vërtet pozitive.
Edhe Rufati vjen nga një dëmtim në fakt në thembrën e këmbës. Lojtari i ardhur te Dinamo në merkaton e verës kishte vetëm dy ditë stërvitje me grupin dhe kjo është arsyeja pse trajneri Daja nuk e aktivizoi titullar. Kundër Teutës Rufati mund të jetë një alternativë për formacionin, por gjithçka varet nga gjendja e Alijit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"