Aluku: Valbonës i mungojnë të paktën 4 penallti, me gjykim të drejtë do të ishim më lart
Valbona u mund në Rrogozhinë kundër Besës, gjithsesi tropojanët bënë një paraqitje të mirë dhe në pjesën e dytë edhe mund të kishin barazuar shifrat në 2-2. Sipas tropojanëve, humbja erdhi edhe nga gjykimi jo i drejtë.
Nëse gjyqtari Dyrmishi nuk do t’i mohonte penalltinë sulmuesit Llanaj, në minutat e fundit të takimit, Valbona mund të dilte me një pikë. Tashmë kjo humbje është lënë pas dhe në kampin tropojan po punohet me përqendrim ndeshja e radhës në kampionat kundër matjanëve, që do të luhet në Tropojë. Në të njëjtën kohë po punohet edhe për ndeshjen e Kupës me Erzenin që do të luhet në fushën e këtyre të fundit. Synimi i Valbonës për të dy sfidat është fitorja. Tropojanët kërkojnë të kalojnë edhe këtë tur të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që në kampionat i duhen pikët për t’iu larguar rrezikut. Mesfushori Esmerald Aluku rihapi ndeshjen me një supergol dhe për “Panorama Sport” u shpreh:
“Valbona është një skuadër e frikshme për të gjithë dhe se po të ishim gjykuar drejt, nuk do të ishte në këtë pozicion. Në shumë ndeshje skuadra është e penalizuar nga gjykimet, shumë 11-metërsha na janë mohuar, të paktën në 4 takime. Të padiskutueshme kanë qenë dy 11-metërsha në Pogradec, një kundër Besës dhe po kështu edhe në ndeshje të mëparshme. Megjithatë, ne kemi ulur kokën, nuk jemi konfliktuar asnjëherë me gjyqtarët. Jemi penalizuar, pasi duhet të kishim marrë pikë, të paktën në Pogradec po ashtu së fundmi kundër Besës”.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"