Analiza e Artion Poçit: Apolonia pa bosht, nuk bëhet ekipi çdo 6 muaj. Në të Parën spikatën dy ekipe
Artion Poçi, ish-mesfushori i Apolonisë që ka luajtur edhe në të tjera klube, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” skanon Kategorinë e Parë. Në mënyrë të veçantë Apoloninë, që luan në këtë nivel prej 4 sezonesh radhazi. Kur ka mbaruar gjysma e kampionatit, fierakët duken sërish larg pretendimeve për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Cili është opinioni i Artion Poçit për këtë sezon në Kategorinë e Parë, kur është mbyllur gjysma e kampionatit?
Kampionati i Kategorisë së Parë është shumë i fortë. Konkurrenca është e madhe. Mendoj se kjo garë e paparashikueshme do të vijojë deri javën e fundit mes tri skuadrave të para pretendente për t’u ngjitur direkt në elitë, si Vora, Besa dhe Flamurtari. Nuk duhet harruar apo nënvlerësuar Apolonia, që këto gjashtë javët e fundit ka treguar rritje në çdo aspekt dhe i ka mundur me meritë skuadrat pretendente.
Nga ekipet e kësaj kategorie kë do të veçoni dhe që mund të bëjë diferencën, e që gjithashtu i bën mirë Superiores në sezonin tjetër?
Ekipet që do të veçoja, janë Besa dhe Flamurtari. Këtë të fundit do ta veçoja pak më shumë për shkak të organikës që ka. Është me të vërtetë një ekip shumë i mirë, me lojtarë shumë cilësorë në çdo repart, që i kanë dhënë shumë futbollit në vend.
Po ekipet që nuk kanë bërë mirë dhe që ju kanë zhgënjyer?
Ekipi që nuk ka bërë mirë dhe më ka zhgënjyer, është Apolonia, pasi nuk futet asnjëherë në ritëm që në fillim të sezonit. Arsyeja e vetme është lëvizja e shpeshtë e trajnerëve. Pikërisht kjo nuk tregon stabilitetin e duhur për të qenë ekip pretendent për Superioren.
Si e prisni pjesën e mbetur të kampionatit?
Pres sërish një garë shumë të fortë mes tri ekipeve të para në renditje, dhe mendoj se skuadra që do të gabojë më pak, veçanërisht në duelet e ashtuquajtura më të lehta, do të ngjitet direkt në Superiore. Shpresoj shumë dhe për Besën që t’i bëjë mirë dhe lëvizja e trajnerit.
Ndalemi pak tek Apolonia, që pas 17 javëve të luajtura ka marrë vetëm 19 pikë. Si e vlerësoni këtë ecuri të skuadrës fierake?
Me ulje-ngritje të frikshme, pra një ecuri e çuditshme, që mbetet larg pritshmërive të sportdashësve fierakëve. Unë do të veçoja 6 javët e fundit, ku Apolonia ka treguar rritje në çdo aspekt, siç e përmenda dhe më lart. Këtë gjë Apolonia duhet ta bëjë që në start, nëse do të jetë një ekip pretendent dhe të konkurrojë mes më të mirave. Kështu që, duhet të luftojë fort, të shtrëngohet mirë dhe të përpiqet të ketë vazhdimësi loje dhe rezultatesh.
Drejtuesit kanë objektiv të qartë, Superioren. E shihni të arritshme edhe përmes “play off”-it?
Nuk më duken se kanë objektiv të qartë dhe të arsyeshëm, pasi nuk është bindës ky lloj pretendimi. Për më tepër, Superiorja pretendohet që në fillim të kampionatit dhe ty të mbetet të luftosh me “mish e shpirt” javë pas jave. Mirëpo, duke parë ecurinë e javëve të fundit rritet dhe oreksi. Ndaj, shpresojmë që ta arrijë objektivin përmes “play off”-it. E them këtë, pasi për mendimin tim, në Superiore ka ekipe më të dobëta se Apolonia.
Çfarë nuk shkon me Apoloninë, që nuk po arrin të ngjitet në elitë?
Apolonia po gabon vit pas viti. U bënë katër sezone radhazi që gabon. Gjëja e parë, gabon me lëvizjet e shpeshta të trajnerëve. Nuk ka një projekt afatgjatë. Gjëja e dytë, gabon në merkato. Nuk mund ta ribësh ekipin çdo 4 apo 6 muaj. Duhet të krijojë një bosht të mirë lojtarësh dhe më pas të përforcohet aty ku e ka më të nevojshme.
E shihni merkaton e janarit si një lloj shpëtimi për Apoloninë dhe mendoni se skuadra ka nevojë të përforcohet?
Të gjitha skuadrat, por më shumë ato që kanë pretendime, veçanërisht për t’u ngjitur në Superiore, kanë nevojë për përforcime. E ritheksoj, Apolonia të krijojë një bosht të mrekullueshëm lojtarësh dhe më pas të forcohet me 3-4 lojtarë në merkato.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"