Analiza e dështimit në Gjeorgji/ Gabime dhe lojtarë jo të qetë, Partizanit i “laget”… baruti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2024 | 9:19

Analiza e dështimit në Gjeorgji/ Gabime dhe lojtarë jo të qetë, Partizanit i “laget”… baruti

Partizani u kthye nga Gjeorgjia me një dis fatë të dhimbshme me shifrat 2-0 dhe me një karton të kuq të Rrapajt, që nuk do të mund të luajë në ndeshjen e kthimit.

partizan

Ky rezultat është padyshim një goditje për ekipin e kuq, që për hir të së vërtetës vijon prej tri ndeshjesh të mos funksionojë në shumë aspekte, nga mbrojtja në sulm, duke mos përmendur ndonjë element të jashtëm, që mund të ndikojë në atë që skuadra bën në fushë.

NJËSOJ – Pas kualifikimit të vështirë kundër Marsaslok, pavarësisht kënaqësisë për rezultatin, askush, edhe vetë ata në klub nuk ishin të kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Gjatë analizave shfaqeshin mendime të ndryshme, ku një prej tyre ishte fakti se kundërshtarë të një niveli të tillë nuk të lënë të dalësh në lojën karakteristike tënden. Përballë të enjten ishte Iberia, një kundërshtar ndjeshëm më cilësor se maltezët, por Partizani rezultoi i njëjti. Paraqitje e vakët, me kundërshtarin, që merr një fitore bindëse pa luajtur ndeshjen e vet perfekte.

MBROJTJA – Difensiva nuk ofron garanci. Pëson në çdo ndeshje dhe di t’i pësojë golat edhe vetë nga hiçi, si ajo penallti e shkaktuar nga Qirko në rrjetën e parë të gjeorgjianëve. Mbrojtësit i pamë të mos ishin të kthjellët në veprimet e tyre me dhe pa top. Pamë pasime jo të llogaritura si duhet në zona të rrezikshme dhe zhbalancime të herëpashershme. Po të mos ishte për Qirkon, që i ndali 2- 3 herë ballë për ballë gjeorgjianët, rezultati mund të ishte edhe më i thellë dhe i vështirë për tu përmbysur. Largimet e Sotës dhe Atanaskoskit, duket se kanë lënë mjaft boshllëqe në këtë repart, që nuk është më pika më e fortë e ekipit.

MESFUSHA – Në fakt Partizani vuan i gjithi. Në stadiumin “Mikheil Meskhi” gjatë ndeshjes ngjante sikur mesfushorët nuk flisnin me njëri-tjetrin. Mehmeti, Maget dhe Rrapaj luanin të veçuar dhe hasnin vështirësi për të krijuar një repart solid e të pathyeshëm. Bënin shumë faulle dhe vuanin në duele, duke nxitur edhe një lloj tensionimi më pas. Maget nuk është më i dikurshmi, ndërsa Mehmeti nuk e bën dot lojën “e pisët” dhe kilometrat e Muratajt. Rrapaj tentoi më së shumti të ndërtonte në sulm, por herë shënjestra e herë qartësia e “tradhtuan”. Përveç kësaj, mori edhe të kuqin, që caktoi shumë mbi fatin e ndeshjes.

FORCA GODITËSE – Një nga pikat më të forta të Partizanit në sezonet e fundit ka qenë forca e madhe goditëse dhe “bombardimi” që i bënte portave kundërshtare. Ky element nuk ekziston më. Ekipi i kuq bëri vetëm një gjuajtje në portë në Gjeorgji, tërësisht e parrezikshme. Kishte disa raste sporadike, të iniciuara më së shumti nga ndërmarrje personale të lojtarëve të caktuar. Ndoshta mungesa e fantazistëve ndikon direkt në krijimin e rasteve. Dikur në ekip Partizani kishte lojtarë si Hoti apo Da Silva, që kishin elokuencën e duhur për të shkuar te porta kundërshtare. Shto këtu formën e dobët të thuajse të gjithë sulmuesve. Zeka dhe Piloto, të ardhur nga merkatoja, nuk kanë shtuar ende asgjë në skuadër dhe duket se kërkojnë kohë. Mba dhe Bintsuka duken larg nivelit të tyre. Të vetmit që kalojnë klasën janë Cara dhe Keko.

GRINTA DHE TENSIONI – Të tregosh grintë përmes tensionit, është e gabuar. Këtë u duk sikur donte të bënte Partizani, që u shpërblye me gjashtë kartonë të verdhë dhe një të kuq. Agresiviteti në lojë mungon dhe skuadra duket e acaruar psikologjikisht. Rrapaj mori të kuq, Maget u kap me Nonikashvilin, teksa të njëjtën gjë e provoi edhe Zguro, në një mënyrë më të moderuar. Përveç se në paraqitjen në fushë, ekipit i mungon edhe qetësia në veprimet me kundërshtarët.

SKEMA – Në mungesë të një tresheje sulmi për skemën 4-3-3, Shehi e vendosi skuadrën 3-5-2 për të shfrytëzuar aftësitë e Buxhelajt dhe Hadrojt në gjerësi. Kjo funksionoi shumë mirë kundër Marsaslok, por gjeorgjianët e kishin studiuar mirë dhe i bllokuan këto pika të forta. Në kthim trajneri me siguri do të duhet të gjejë zgjidhje të reja.

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"