Analiza e ish-trajnerit, Lleshanaku: Duhet durim, Elbasani do të jetë në majë
Pritshmëritë për Elbasanin e këtij sezoni në elitë janë të mëdha,pasi edhe investimet kanë qenë të konsiderueshme. Katër pikë në start shihen me pozitivitet, për aq kohë sa bëhet fjalë për një skuadër debutuese mes më të mirave në futbollin shqiptar.
Ish-trajneri i skuadrës së Elbasanit, Shkëlqim Lleshanaku, skanon për “Panorama Sport” Elbasanin e këtij edicioni, që ka hyrë në kampionat si protagonist. Ai vlerëson paraqitjet e bëra deri më tani, por normalisht kërkon durim dhe pak kohë për të parë Elbasanin që është ndërtuar. Sa i përket objektivave, ai thekson se ato duhet të vijnë me kohën.
“Elbasani mund dhe duhet të jetë protagonist. Objektivat duhet të vijnë me kohën. Në përgjithësi loja ka qenë e qëndrueshme me një fizionomi të qartë dhe ka ardhur në rritje pas çdo ndeshje. Edhe takimi i humbur me Dinamon më tepër erdhi si pasojë e gabimeve individuale, sesa atyre kolektive”, u shpreh fillimisht Shkëlqim Lleshanaku.
MERKATO – Verdheblutë kanë ndërruar thuajse tërësisht fytyrë sa i përket skuadrës që kanë në dispozicion, duke bërë shumë afrime. Mirëpo, sipas Lleshanakut, është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare sesi do të përshtaten ata me skuadrën. “Objektivat e merkatos dhe realizimet e saj i sheh më mirë stafi teknik. Duhet edhe pak kohë më shumë për t’u harmonizuar dhe për të dhënë një mendim të saktë”, vijoi më tej ish – trajneri i Elbasanit të vjetër, i cili tanimë është shkrirë si skuadër.
TRAJNERI – Një faktor i rëndësishëm për të shkuar tek suksesi është pikërisht trajneri. Verdheblutë zgjodhën që ai të ishte i huaj, me Roberto Bordin që ka një detyrë jo pak të vështirë përpara. Për Lleshanakun, vlen eksperienca e italianit dhe për më tepër që vjen nga një vend si Italia që e ka merak taktikën. “Trajneri, eksperiencën e ka të madhe. Vjen nga vendi i taktikës dhe lojtarët që ka dashur i ka marrë. Mbështetja nga drejtuesit dhe tifozët nuk i mungon. Tani i duhet pak kohë t’i vërë në funksion të gjitha”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Shkëlqim Lleshanaku.
Elbasani i ka provuar në këtë start kampionati të tria rezultatet e mundshëm, fitoren, barazimin dhe humbjen. Ajo që “djeg” më shumë janë pikët e lëna me Dinamon në “Elbasan Arena”, duke i kushtuar edhe humbjen e parë verdhebluve.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"