Analiza e javës së 11-të/ Faza e parë konfirmon pretendentet, Erzeni mbetet zhgënjimi më i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2024 | 13:49

Analiza e javës së 11-të/ Faza e parë konfirmon pretendentet, Erzeni mbetet zhgënjimi më i madh

Kategoria e Parë ka mbyllur 1/3 e sezonit 2024-2025, ku në përfundim të këtij rrugëtimi janë vënë edhe disa piketa për sa i përket ecurisë së 12 skuadrave pjesëmarrëse. Faza e parë ka vërtetuar të gjitha bindjet që ekzistonin në prag të nisjes së këtij edicioni, ku Flamurtari, Vora dhe Besa mbeten ekipet që do të luftojnë deri në fund për dy vendet që të ngjisin direkt në Superiore.
besa flamurtari 0-0Gara për dy vendet e para është “e nxehtë”, pasi Flamurtari dhe Vora po ecin “rrotë më rrotë”, ku bashkëkryesojnë me nga 28 pikë. Besa, edhe pse është skuadra e vetme që nuk e ka provuar humbjen në Kategorinë e Parë, mbetet e treta në renditje. Ata kanë 3 pikë më pak se dy kryesueset, duke paguar 4 barazimet. Sa i përket fundit, Erzeni mbetet skuadra më e rrezikuar, pasi nuk e ka provuar fitoren në fazën e parë. Shijakasit e mbyllën fazën e parë me dy pikë dhe janë 7 pikë larg Valbonës së vendit të 11-të. Sa i përket rezultateve të fundit, java e 11-të ka qenë thuajse e ekuilibruar, por nuk munguan as surprizat, ku spikat fitorja 2-0 e Valbonës në “Roza Haxhiu” ndaj Lushnjës. Kryendeshja e kësaj jave të 11-të ishte ajo mes Besës dhe Flamurtarit, që u luajt të martën në stadiumin “Arena Egnatia” dhe u mbyll pa gola. Kavajasit ndalë serinë e fitoreve radhazi të Flamurtarit, nëntë të tilla, por pa mundur që të afrohen me kreun.

Pika u vlejti më shumë vlonjatëve, të cilët nuk e lanë Vorën që të kryesonte e vetme. Vorakët arritën të merrnin një fitore minimale në Shijak, ku vendosi goli i Sergeso Gecit. E vetmja “njollë” e Vorës në fazën e parë mbetet humbja e thellë, 3-0, në Vlorë. Flamurtari, pas humbjes në start në shtëpi me Burrelin, reflektoi me 9 fitore radhazi, për t’u frenuar së fundmi me barazimin 0-0 me Besën. Festival golash në Fushë-Krujë, ku Kastrioti dhe Korabi testuan lojtarët e stolit. Krutanët arritën të merrnin një fitore me përmbysje në shifrat 4-3 dhe e mbyllën fazën e parë në vend të katërt me 17 pikë. Dibranët këtë vit kanë pasur shumë luhatje dhe janë të nëntit me 11 pikë.

Kukësi i dha fund serisë së humbjeve dhe falë paraqitjes së mirë të portierit Dervishaj mori një pikë me vlera në Burrel. Matjanët janë të pestët me 16 pikë, ndërsa Kukësi ka 10 pikë dhe mban vendin e 10-të. Lushnja dhe Apolonia e mbyllën fazën e parë me zhgënjim, si dhe duke u pozicionuar shumë larg pretendimeve madhore, pasi janë 16 pikë larg vendit të dytë. Fierakët u mundën në Pogradec me autogolin e Ndubuisit. Liqenorët e mbyllën fazën e parë brenda pritshmërive, pasi bëhet fjalë për një ekip që ka ardhur nga Kategoria e Dytë. Pogradeci është i gjashti me 15 pikë, por synim mbetet katërshja e parë.FORM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"