Analiza e javës së 27-të/ Ndahen zonat e influencës, ka “luftë” vetëm për mbijetesën në të Parën
Java e 27-të e Kategorisë së Parë, dashje pa dashje, ka hedhur piketat e verdikteve përfundimtare. Kështu që ngjitja direkte në Superiore i mbetet Elbasanit dhe Bylisit, pasi Flamurtari dhe Vora duket se nuk kanë kapacitet që t’i bezdisin dy kryesueset.
Por vlonjatët dhe vorakët thuajse kanë siguruar biletën për në fazën “play off” dhe ndeshjet e mbetura do të shërbejnë si fazë koaludimi për të shfrytëzuar mundësinë shtesë për t’u ngjitur në elitë. Katërshen e kësaj faze e plotësojnë Apolonia dhe Korabi që duket se edhe në javët e mbetura do t’i ruajnë pozicionet, pasi Lushnja dhe Burreli po tregojnë luhatje dhe pamundësi për të kapur vendet pesë dhe gjashtë. Kështu që lushnjarët dhe matjanët duhet t’i bëjnë hyzmetin pozicioneve që kanë, shtatë dhe tetë, që sigurojnë mbijetesën në të Parën pa asnjë ndeshje shtesë.
Me humbjen e fundit në shtëpi nga Besa, Tomori i ka “larë duart” me Kategorinë e Parë dhe për këtë gjë beratasit janë edhe vetë të vetëdijshëm dhe në vazhdim presin që të luajnë në funksion të skuadrës që do të militojë në Kategorinë e Dytë. Për momentin, shoqëruesi direkt i Tomorit në të Dytën është Luzi 2008, por mundësitë për ndonjë rokadë të befasishme janë, pasi Besa dhe Kastrioti janë shumë pranë. Ndaj, në 6 javët në vazhdim mbetet për të parë se cili nga kjo treshe mund të shoqërojë Tomorin në Kategorinë e Dytë.
Matematikisht Tomori ka shpresa për të shpëtuar, por në Berat janë dorëzuar tashmë dhe e pranojnë që janë “ngelës” në këtë lëndë dhe në vazhdim presin që të promovojnë elementin e ri që mund të vlejë për edicionin pasardhës. Përmendëm që skuadra e dytë që mund të zbresë direkt do të jetë një mes treshes Luzi-Besa-Kastrioti, por jashtë përkëmbimeve “ogurzeza” nuk mbeten as Burreli dhe Lushnja, duke ditur se në lojë janë edhe 18 pikë dhe diferenca e tyre nga vendi i 11-të është vetëm +7 pikë. Në javët e mbetura të Kategorisë së Parë betejat më të mëdha i përkasin gjysmës së poshtme të renditjes, ku vallja për mbijetesë përfshin pesë ekipe.
Sa i përket javës së fundit, ranë në sy fitoret me përmbysje, ku Vora ka humbur shumë shkëlqimin në katër javët e fundit duke mos arritur që të administrojë avantazhin e pjesëve të para. Lushnja shënoi e pra, por u përmbys me tre gola nga Elbasani që marshon i sigurt drejt Superiores. Fitore me përmbysje mori edhe Luzi ndaj Burrelit, ku matjanët në tre përballje nuk kanë marrë asnjë pikë ndaj luznjakëve. Bylisi ka bërë detyrën ndaj Kastriotit duke vijuar ndjekjen e elbasanasve për titullin kampion. Flamurtari dhe Apolonia e mbyllën në paqe dhe pa rrjeta të prekura. Korabi fitoi në shifrat 3-2 në transfertë duke përmbysur Vorën. Besa ka fituar në shifrat 4-1 në Berat dhe kavajasit kanë marrë 6 pikë brenda një jave.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"