Analiza e javës së 5-të/ Flamurtari lë Apoloninë pa trajner, përmbysje në zonën “e ftohtë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 20:10

Analiza e javës së 5-të/ Flamurtari lë Apoloninë pa trajner, përmbysje në zonën “e ftohtë”

Java e pestë e Kategorisë së Parë ka lënë disa gjurmë në ecurinë e kampionatit. Në përfundim të kësaj jave ka ardhur edhe largimi i dytë në pankinat drejtuese. I pari ka qenë Ilir Spahiu te Kukësi, ndërsa të dielën ka qenë radha e Artan Mërgjyshit.

flam apol

Fitorja e Flamurtarit në shifrat 3-1 ndaj fierakëve, bëri të mundur që Apolonia të mbetet pa trajner. Trajneri Mërgjyshi mori përgjegjësitë e ecurisë negative të fierakëve, 4 pikë në pesë javë, dhe pas humbjes në Vlorë dha dorëheqje të parevokueshme nga Apolonia. Të besuarit e trajnerit Andrea Agostineli kanë gjetur ritmin dhe me fitoren e katërt radhazi i janë afruar me 1 pikë vendit të parë. Padyshim, kuqezinjtë përfituan si duhet nga frenimi që Lushnja i bëri Besës në “Roza Haxhiu”.

Sfida u mbyll në shifrat 0-0, padyshim një pikë që përligj startin pozitiv të lushnjarëve. Besa, edhe në këtë takim e ka mbajtur portën të paprekur, kështu që portieri Mehdiri është i vetmi në Kategorinë e Parë, që në 450 minutat e luajtura ia ka vënë “drynin” kuadratit të portës. Duket se kavajasit po krijojnë një varësi nga Mazrekaj, pasi tri ndeshjet e fundit u fituan vetëm me golat e kapitenit “veteran”. Lushnja ia doli edhe pa trajnerin Magani në stol, pasi ishte i pezulluar dhe në stadium ishin të pranishëm mbi 2 mijë tifozë. Hapin e ndjekjes së Besës e ka ruajtur më së miri edhe Vora e trajnerit Arian Bellai, që fitoi me golin e Avdiut të shënuar në minutën e 4-t. Flamurtari dhe Vora kanë nga 12 pikë, një më pak sesa Besa kryesuese.

Kjo treshe pretendentesh gradualisht po vendos një distancë me skuadrat pas tyre. Në javën e pestë ka ardhur edhe dorëzimi i Burrelit. Humbjen e parë për këtë edicion matjanët e pësuan të shtunën në Fushë-Krujë, ku i mundi Kastrioti në shifrat 2-1. Në pushim të ndeshjes ka ndodhur edhe një protestë 5-minutëshe e matjanëve, ku u ngujuan në dhomat e zhveshjes në shenjë revolte e pakënaqësive të tyre ndaj gjykimit të ndeshjes, ku kryesor ishte Laver Alla. Ringritja e Kukësit pretendohet se po nis nga derbi i veriut. Të dielën, trajneri Emiliano Çela ka shijuar fitoren e parë në krye të pankinës së Kukësit, ku falë dygolëshit të Beshirajt përmbysën golin e kapitenit të Valbonës në Tropojë.

Trepikësh me fat dhe me peshë mori edhe Pogradeci në shtëpi, ku në minutën e tretë shtesë kroati Panadiç u dha fitoren liqenorëve duke lënë “thatë” sërish Erzenin. Shijakasit janë skuadra e vetme që ende nuk kanë shënuar gol apo fituar pikë në pesë javë. Rezultatet e kësaj jave sollën përmbysje vendesh në zonën “e ftohtë” të renditjes, ku përjashtim bën vetëm Erzeni, që e ka “blindur” vendin e 12-të.  Në krahasim nga sezonet e fundit, deri tani, Korabi dhe Apolonia janë humbësit më të mëdhenj në të Parën.

formacione

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"