Analiza e Leverkusen-Inter/ Inzagi mendoi për mbrojtjen, por ka shanse në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2024 | 12:54

Analiza e Leverkusen-Inter/ Inzagi mendoi për mbrojtjen, por ka shanse në Champions

Interi u rikthye nga Leverkuseni me humbjen e parë sezonale në Champions dhe me golin e parë të pësuar.

6758b2bb2e9f2

Një humbje që bën më shumë dëm për moralin sesa për klasifikimin, nisur nga fakti që kualifikimi për në raundin tjetër të Champions-it është në duart e zikaltërve. Por ndeshje të tilla zhgënjyese si ajo ndaj Leverkusenit nuk duhet të përsëriten më. Sepse në tokën gjermane mund të humbasësh dhe nuk ka vend për drama, por kambanat e alarmit bien për mënyrën se si luajti skuadra në tërësi dhe faktin që hoqi dorë nga sulmi.

Kurrë nuk e goditi portën për më tepër. Inzagi mendoi që të bënte rrotacion nisur edhe nga ndeshjet e shumta që ka gjatë kësaj periudhe, por rezultati ishte zhgënjyes dhe shumë larg mjaftueshmërisë. Për një natë, Inzagi nuk bëri Inzagin dhe vendosi autobusin përpara Zomerit, me një katenaço të viteve 60-të. Dhe për më tepër nuk është se mbrojtja vuajti shumë, e udhëhequr nga një De Vraj i vëmendshëm.

Por kjo mënyrë loje duke e mbajtur skuadrën shumë ulët në fushë dhe duke ia lënë topin gjithmonë kundërshtarëve të tradhton nga momenti në moment. Dhe humbja erdhi e merituar në fund. Interi që kishte si synim maksimal vetëm barazimin, sepse nëse nuk godet kurrë në portë, është e pamundur të shënosh gol.

Taremi zhgënjeu, Turam vrapoi pafund, por pa sukses, Lautaro u fut 30 minuta nga fundi kur skuadra ishte e lodhur. Keq bëri edhe mesfusha, me Fratezin dhe Zielinskin që janë vite dritë larg Barelës dhe Mkitarianit. Edhe Barela në fakt kur u fut nuk pati impakt në lojë.

Krahët gjithashtu nuk funksionuan dhe as Dimarko nga stoli nuk dha shkëndijat e duhura. Vetëm De Vraj, Zomer dhe Bisek mund të themi që kaluan klasën. Tani Champions-i ndalet për t’u rikthyer në janar dhe zikaltrit do të kenë transfertën në Pragë kundër Spartës dhe në San Siro kundër Monakos. Me 6 pikë kualifikimi është i garantuar, por ndoshta edhe me 4.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"