Shqipëri e mpirë, mesfushorët stonuan edhe fizikisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2024 | 8:24

Shqipëri e mpirë, mesfushorët stonuan edhe fizikisht

NEPTUN BAJKO

MixCollage-24-Mar-2024-11-39-AM-642

Ndeshjet miqësore tani nuk mund të quhen më aq miqësore, pasi kanë rëndësinë e asaj që ka çdo kompeticion zyrtar.Çdo ekip, në të tilla takime, jo vetëm që duhet të tregojë formën që ka, por edhe pikësynimet për të ardhmen, sepse në rastin tonë jemi në prag të pjesëmarrjes në Europian. Në 15 minutat e para m’u krijua ideja se jo vetëm që po luanim në mbrojtje, por edhe sikur po prisnim në çdo moment të pësonim gol. Pati një lloj apatie dhe mungesë përqendrimi nga skuadra. Nuk kishte ritëm dhe ishim më tepër statikë në fushë, ndërsa mungoi shumë vertikalizimi.

Vërtet mund të luanim në mbrojtje dhe të ishim të kujdesshëm kundër një Kili që është teknikisht dhe atletikisht i fortë, por të luash në gjysmëfushën tënde, është një vlerë për ato skuadra që me marrjen e topit, synojnë të dalin menjëherë në sulm, duke zhvendosur lojën. Gjëja më e rëndësishme që na mungoi ishte presingu, si ndaj kundërshtarit edhe topit. Kili e qarkulloi lirshëm topin, pasi mesfushorët tanë nuk bënë presing ndaj kundërshtarëve. Shqipëria ishte e mpirë, pa ritëm dhe pa krijimtari.

Pjesa e parë nuk më la përshtypje të mirë, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, skuadra sikur e rriti entuziazmin dhe dëshirën që kishte për të reaguar. U përpoq të bënte disa veprime të shpejta, për të goditur portën, por edhe këtë asnjëherë nuk e bëri si duhet. Kur mendohej nga momenti në moment që do të krijoheshin raste dhe do të shkonim drejt barazimit, erdhi edhe befasia e veprimeve të Kilit. Me shpejtësinë e tyre na shënuan dy gola, ndoshta në momentin më të mirë tonin.

SILVINJOS I VLEJTI Unë mendoj që trajnerit Silvinjo kjo ndeshje i vlejti në shumë aspekte. Më e rëndësishmja është që skuadra të njohë detyrën primare, pra lojtarët të dinë si të vendosen dhe çfarë duhet të bëjnë gjatë 90 minutave. Pati shumë gabime në vendosjen e repartin e mbrojtjes dhe këtë e konfirmojnë golat që pësuan. Megjithatë, ashtu si e shikoj unë futbollin, vetëm Gjimshiti dhe Hysaj më pëlqyen nga kjo ndeshje. Mitaj ishte nën nivelin e vetë, ndërsa Mihaj nuk ra në sy.

Nga krahu i Hysajt erdhën dy golat e Kilit, por ai i zbatoi detyrat e veta. Gjithsesi, pjesa tjetër e skuadrës ishin totalisht jashtë forme dhe me motivim të tepruar. Edhe pse ndeshje miqësore, këto janë tepër të rëndësishme dhe nuk mund të lejohen gabime të tilla në lojë, ose në formacion dhe përgatitjen shumëplanëshe të skuadrës. Miqësoret kanë qëllimet e veta, sepse trajneri shikon më tepër se ku do të arrijë, ndryshe nga ne që e ndjekim si vëzhgues të thjeshtë dhe e analizojmë nga larg Kombëtaren. Skuadra duhet të përmirësohet në disa pika dhe ky takim tregoi se kemi shumë për të bërë. Lojtarët duhet ta dinë rolin dhe përgjegjësinë që kanë ndaj skuadrës dhe sigurisht tifozëve.

MANAJN E NXORËN JASHTË LOJE… Manaj ishte risia e formacionit, por me karakteristikat që ai ka, mendoj se nuk u shfrytëzua aspak. Së pari, në veprimet sulmuese ne treguam dobësi të madhe si ekip. Së dyti, nuk u luajt asnjëherë në anësore apo me daljet në fundore, si dhe nuk pati vertikalizime, ku mund të shfrytëzohej Manaj. Së treti, skuadra nuk tregoi aspak se ku duhet të luajë, pra me qendrën, nga anësoret apo të tentojë me goditje nga jashtë zone. Edhe pse Asani tentoi disa herë, nuk kishte shënjestër. Këto situata nxorën jashtë loje edhe Manajn. Më ra në sy loja e dobët e mesfushorëve, sidomos nga pikëpamja fizike. Nuk kishin siguri në veprime dhe kjo më habiti.

Nuk dilnin me top për të ndihmuar Seferin, Asanin dhe Manajn. Një lojë pa kriter dhe pa fantazi. Mungoi freskia fizike e mesfushorëve, si në ndërtimin e lojës, aq më tepër në aspektin mbrojtës, ku humbën thuajse të gjitha duelet. Ne kemi mangësi në ndërtimin e lojës kolektive si ekip, sepse nuk jemi të kristalizuar. Nuk jemi të qartë në manovër si luajmë. Po të shikoni golat e Kilit, nisën nga anësorja dhe më pas na goditën në qendër. Kili e qarkulloi topin siç deshi, sepse nuk kishte kundërshtar përballë. Kjo ndodh kur të kap mungesa e besimit, ritmit, koordinimit apo veprimit. Megjithatë, besoj se në ndeshjen e radhës miqësore në Suedi, do të bëjmë një lojë më të mirë. Trajneri do të nxjerrë konkluzionet e duhura. Kjo shuplakë që morëm ishte në të gjitha aspektet, prandaj dhe pres një reagim pozitiv në Suedi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"