Analiza e trajnerit te Skënderbeu, zbardhet fjalimi i Gvozdenoviç pas kthesës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 14:20

Analiza e trajnerit te Skënderbeu, zbardhet fjalimi i Gvozdenoviç pas kthesës

Skënderbeu kërkon vijimësinë e rezultateve pozitive në kampionat edhe në transfertë ndaj Elbasanit. Pas fitores me Bylisin, korçarët kërkojnë që të vijojnë me serinë e rezultateve pozitive për të krijuar distancën nga fundi i klasifikimit dhe mbi të gjitha për të qëndruar pranë grupit të skuadrave me shumë pikë.

ivan gvozdenovic

Kjo është ajo që trajneri i Skënderbeut Ivan Gvozdenviç ka kërkuar nga të tijtë në analizën e zhvilluar pasditen e djeshme me ekipin dhe stafin e tij. Në këtë analizë trajneri serb i korçarëve ka theksuar se ekipi tashmë është liruar dhe mund të mbështetet te psikologjia dhe morali i krijuar nga fitorja e fundit për të zhvilluar një ndeshje të mirë edhe ndaj Elbasanit në transfertë. Sipas tij mungesa e pikëve sillte bllokim edhe ngërç në lojën e ekipit të tij, por tashmë kjo duket e kaluar ndaj pret nga të tijtë një ndeshje të mirë në “Elbasan Arena” ndaj verdhebluve.

“Kemi lënë pas një periudhë shumë të vështirë me lojë jo të mirë dhe rezultate të munguara çka na kishin bllokuar psikologjikisht dhe na kishin zhytur në krizë loje dhe rezultatesh. Ndaj kjo fitore ndaj Bylisit ishte shkëndija e duhur për të rikthyer besimin te forca e grupit dhe moralin e lartë në skuadër. Edhe pse loja nuk ka qenë ajo që ne kemi dashur e rëndësishme për këtë takim ishte fitorja dhe kjo u arrit. Tashmë jemi më të qetë dhe shoh se jemi më të lirshëm.

Ndaj pres që në ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit të shoh një skuadër më të përqendruar dhe mbi të gjitha një ekip që di të luajë mirë futboll. Ne jemi Skënderbeu dhe ka ardhur momenti që ta tregojmë këtë edhe në fushë përmes lojës sonë. Jemi një skuadër e fortë që dimë të luajmë dhe mbi të gjitha dimë edhe të dalim nga situata jo të mira. Tani është koha që të grumbullojmë sa më shumë pikë. Na pret një kalendar i vështirë në javët në vijim, por duhet që të kapim të njëjtën kuotë pikësh si sezonin e kaluar. Kemi dy pikë më pak nga ajo periudhë e vjetshme ndaj duhet të shkojmë përpara për të tentuar të marrim maksimumin. Pres një ndeshje të madhe në Elbasan dhe një skuadër që do të dijë të tregojë vlerat e veta në këtë takim.”-theksoi veç të tjerash trajneri i Skënderbeut drejtuar ekipit të tij.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"