Analiza/ Kontestime dhe dilema, Milani është në udhëkryq
Duhej të ishte një ditë feste për Milanin, por ja që e diela e 15 dhjetorit do të hyjë në histori edhe si dita e protestës së madhe.
Që gjatë ceremonisë festive që parapriu ndeshjen me Xhenoan, ultrasit e “Curva Sud” nuk i kursyen fishkëllimat për Zlatan Ibrahimoviç dhe administratorin Furlani, mendjet pas punësimit të Fonsekës. Pas 90 minutave në fishkëllimën e fundit të arbitrit, i gjithë stadiumi përshëndeti daljen nga fusha të Leaos me shokë me një breshëri ofendimesh që nuk kursyen askënd, nga lojtarët te klubi e deri te trajneri.
“Ky klub nuk na meriton”, bërtitën ultrasit, të lodhur nga një ekip që vazhdon të lërë pikë dhe që tashmë është praktikisht jashtë garës së titullit.
KRAHASIMI – Protesta e mbështetësve të organizuar ka vijuar edhe jashtë stadiumit ku u shfaq një pankartë e qartë dhe lehtësisht të interpretueshme: “Klubi i Milanit: të kemi pritur dhe të kemi mbështetur deri në fund, por tani boll me mediokritetin tuaj. Drejtues të paaftë, një klub pa ambicie. Ju nuk jeni në lartësinë e historisë tonë “. Një zhgënjim që ndoshta u përforcua edhe nga shumë legjenda që morën pjesë në ceremoni: duke parë Van Basten, Gulit dhe Rajkard, heronjtë e Milanit të madh të Sakit dhe Kapelos, dhe të gjithë trofetë e fituar në të kaluarën dhe më pas duke parë shfaqjen e ofruar nga kuqezinjtë aktualë ishte e tepërt edhe për tifozin më të qetë e optimist.
VENDIME E KONTESTIME – Fonseka, me mbështetjen e klubit, dërgoi në pankinë Teo Hernandezin dhe Kalabria (duke mos i dhënë asnjë minutë), por lëvizja nuk pati efekt në një ekip shumë të parashikueshëm dhe që krijoi probleme për Xhenoan vetëm kur arriti të kundërsulmonte vertikalisht. Fofana dhe Reijnders e kanë konfirmuar veten si thelbësorë, ndërkohë që shumica e bashkëlojtarëve të tjerë nuk po arrijnë të gjejnë vazhdimësi. Ato pak duartrokitje të mbrëmjes iu rezervuan të rinjve, të vetmit që nuk kishin faj për projektin e dështuar deri më tani: Himenez ishte madje më i miri i ekipit të tij, Liberali disi më i ndrojtur, po ashtu si Kamarda, por ata ishin të vetmit të përshëndetur me shumë dashuri në momentin e zëvendësimit.
E ARDHMJA – Sigurisht, me pak më shumë fat (shih traversën e Moratës), Milani mund të kishte fituar tre pikët, por thelbi vështirë se do të kishte ndryshuar. Mbi të gjitha, përçarja mes klubit dhe tifozëve duket të jetë e pariparueshme (“Na çatë …”, “Ne nuk jemi amerikanë” ishin thirrjet që u ngritën në fund), duke qenë se protesta nuk kurseu edhe një idhull si Ibrahimoviç. Milani mbetet ende në garë si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në Kupën e Italisë, por pa mbështetjen e tifozëve është e vështirë të mendosh për një epilog pozitiv.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"